top of page

Mendime Shpirti: Njeriu që e mbajti dritën në errësirë!


Arian Galdini


Nuk ka lavdi në dritë, nëse nuk ke ecur kurrë zbathur mbi terr.

Nuk ka thellësi në mirësi, nëse nuk ke ndjerë më parë çarje që nuk mund t’ia shpjegosh askujt.

Dhe nuk ka prani të vërtetë në botë, nëse nuk je përplasur më parë me vetveten dhe nuk ke mbetur pa përgjigje, i heshtur, i zhveshur nga çdo iluzion.


Njeriu nuk e mëson ndjeshmërinë nëpër libra, as nuk e trashëgon si virtyt të butë.


Ajo rritet në tronditje.


Rritet në netë ku nuk di as ku të flesh, as pse të zgjohesh.


Ajo bëhet dritë vetëm kur kalon nëpër pasazhet e errësirës që nuk të tregojnë rrugë, por vetëm përballje.


Ka fytyra që ndriçojnë jo sepse kanë pasur jetë të lehtë, por sepse kanë zgjedhur të mos e kthejnë dhimbjen në hakmarrje.

Kanë mësuar të mos e ndërtojnë veten mbi atë që i ka thyer, por mbi atë që i ka ngritur, pa zhurmë, pa ngulmim, pa mllef.


Ka njerëz që nuk kanë nevojë të flasin për plagët e tyre, sepse çdo gjë që bëjnë është lutje për mos me i shkaktuar plagë askujt tjetër.


Forca më e madhe nuk është tek ata që nuk thyhen, por tek ata që dinë si të ngrihen pa u bërë më të ashpër.


Të ringrihesh pa humbur butësinë është një akt hyjnor.


Të kthehesh nga errësira me një zemër që ende zgjedh të falë, kjo është fitore që nuk kërkon duartrokitje.


Kur njeriu e njeh mirë thyerjen, e kupton se të tjerët nuk janë të vështirë, janë të frikësuar.

Nuk janë të ftohtë, janë të pambrojtur.

Dhe nuk janë të ligj, janë të humbur siç ke qenë edhe ti dikur.


Ndjeshmëria e thellë nuk është emocionale.

Ajo është forma më e ndritur e zgjuarsisë.


Është ndërgjegjja që nuk flet më për të pasur të drejtë, por për të parë përtej vetes.


Kur të kuptosh se dhembja jote nuk ishte dënim, por udhërrëfyes, atëherë nuk do ta mallkosh më kurrë plagën.


Do ta ndjesh si pikën ku fillove të kuptosh gjuhën e heshtur të të tjerëve.


Gjuhën që nuk shprehet, por që të fton të dëgjosh.


Ka njerëz që nuk të prekin me fjalë, as me gjeste, por me praninë që të bën të ndihesh më pak vetëm.


Jo sepse kanë zgjidhje për ty, por sepse nuk kanë frikë të qëndrojnë pranë teje, pa e ditur çfarë të thonë.


Kjo është dashuria shëruese, ajo që nuk imiton premtimin, por rri me ty aty ku nuk ka premtime.


Nuk jep garanci, por jep praninë më të ndershme që ekziston.


Kjo është drita që nuk kërkon të ndriçojë,

por që nuk fiket kurrë.


Sepse ajo nuk vjen për të ndryshuar botën,

por për të mos e lënë botën të bëhet krejtësisht e errët.


Dhe ndonjëherë, kjo është gjithçka që duhet.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page