top of page

Mendime Shpirti: Rifitimi i mendimit të thellë në epokën e performancës!


Nga Arian Galdini


Ja ku vjen një çast kur gjithçka ndriçon aq shumë, saqë s’mund të shohësh më asgjë. Kur zhurma është aq e madhe, saqë dëgjimi humbet. Kur shpejtësia është aq e madhe, saqë njeriu s’ka më gravitet.


Në këtë çast ndodhemi sot.

Në këtë epokë.

Ku mendimi i thellë nuk ndalohet.

Asfiksohet në një atmosferë ku gjithçka është “këtu” dhe “tani”.

Asgjë nuk është e vërtetë.


Sepse e vërteta kërkon rrënjë.


Ndërsa performanca kërkon duartrokitje.


Vëmendja e vërtetë është akt ontologjik. Është mënyra si njeriu ia jep vetes një drejtim të brendshëm, një qëndër.


Në një kulturë ku vëmendja është mall, nuk ka më subjekt.


Ka vetëm lëvizje.


Kështu, njeriu nuk përjeton më botën, por përshkohet prej saj.


Ai nuk ndalet më për ta përthithur kuptimin.

Klikon për të kaluar në të ardhshmen që nuk pushon kurrë.


Në këtë zhvendosje të heshtur, humbet jo vetëm thellësia, edhe vetë mundësia për të qenë njeri.


Humbet ajo që dikur quhej ndërgjegje.


Ajo që i jepte peshë fjalës dhe kuptim heshtjes.


Mendja nuk është thjesht një enë ku hidhen fjalë dhe imazhe.


Ajo është një aparat i ndërtuar për të duruar boshësinë, për ta përpunuar mungesën, për ta lënë kuptimin të vijë si një frymë që nuk ndjek oraret tona.


Por kur mendja shndërrohet në rrjetë që kap vetëm imazhe kalimtare, kur përpunimi zëvendësohet nga rrëshqitja, ajo pushon së qeni një organ i vetëdijes dhe bëhet një hapësirë e qepur pas pasqyrave.


Dhe pasqyra më e rrezikshme është ajo që nuk reflekton më.


Që i kthen njeriut vetëm atë që ai dëshiron të shohë.


Dhe kështu ai pushon së kërkuari.


Në një botë që mbizotërohet nga imperativi i lëvizjes, ndalesa është akt politik.


Është mospjesëmarrje në logjikën e konsumit të vetvetes.


Kur njeriu ndalon për të menduar, ai nuk është më prodhues i imazhit.

Në ndalesë njeriu bëhet prodhues i kuptimit.


Ai nuk është më spektator i shfaqjes, e megjithatë krijues i heshtjes.


Të mendosh nuk është thjesht të jesh i mençur.

Është të jesh i gjallë.


Sepse vetëm mendimi që vjen nga një ndalesë e vërtetë lind vetëdijen.


Dhe vetëm vetëdija krijon shpëtim.


Ka një inteligjencë që tregon, por nuk kupton.

Që zgjidh, por nuk shëron.

Që kryen, por nuk mban.


Kjo është inteligjenca e performancës.


Dhe ka një tjetër. Ajo që rri.

Që e duron pasigurinë.

Që nuk ka nevojë të bëjë përshtypje, sepse kërkon kuptim.

Ajo nuk është më “e dukshme”.

Ë#shtë më njerëzore.


Ajo nuk ngjit podiume.

Shkruan poema në heshtje.

Poema që lexohen nga sy që kanë guxuar të mos rrëshqasin.

Nga mendje që kanë mësuar të mos ikin nga vetja.


Nuk mund ta shpëtojmë botën duke e përshpejtuar.


Domosdoshmërisht vetëm duke e përqendruar.


Mendimi i thellë nuk është luks i mendimtarëve.

Është instrument i ekzistencës.

Është mënyra si ne ngulim rrënjë në një botë që ka humbur gravitetin.


Të mendosh thellë është të kthehesh në realitet jo për ta kontrolluar, veç e thjesht për ta shëruar.

Jo për ta analizuar në copa, ama për ta ribashkuar në një rrëfim që lind nga brenda.


Nëse duam të shpëtojmë vetveten, duhet të mësojmë të rrijmë me pyetjet pa përgjigje. Të mos frikësohemi nga boshësia, sepse vetëm aty lind ndriçimi që nuk verbon.


Të rikuperosh mendimin e thellë nuk do të thotë të kthehesh mbrapa.

Do të thotë të shkosh më thellë.

Të rishpikësh veten jo si imazh.

Si pranues i misterit.


Në një botë që po zbret në horizont pa dritë, mendimi është e vetmja kthesë drejt një qendër që nuk zhduket.


Kjo nuk është filozofi.

Kjo është etje.


Etje për një mendje që s’matet me shpejtësinë e rrëshqitjes.

Ajo matet me thellësinë e kuptimit që mbetet kur gjithçka tjetër ka kaluar.


Dhe në atë pikë, heshtja sërish do të bëhet fjalë.

Dhe fjala sërish do të bëhet njeri.

Dhe njeriu sërish do të bëhet mendim.

Dhe mendimi, do të jetë sërish dritë që nuk ka nevojë të duket për të ndriçuar.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page