top of page

Mendime Shpirti: (Rishkruar) Rruga e qetë e lirisë: Dhjetë dritare të udhëhequra nga shembulli i Nelson Mandelës!

ree


Nga Arian Galdini


Prolog: Dritë në shkallën e pallatit


Një llambë digjet pas mesnate mbi një sheshpushim të gërryer nga koha.


Një qytetar mbështetet te parmakët.


Përballë tij, thirrur nga nevoja a ndoshta nga pavetëdija, qëndron Mandela.


Qytetari: Dua të flasim për lirinë. Nuk e di pse të thirra ty, por ndoshta ti je i vetmi që më flet si baba i mirë i botës që na mungon. Jam njeri i thjeshtë që nuk tërheq vëmendje të madhe.


Mandela: Pikërisht për këtë jam këtu. Ti po ndërton themele. Liria nis aty ku janë duart e punëve të mbara.


Qytetari: Atëherë gjykimin ma bëj sipas duarve, se fjalët më kanë tradhtuar më parë.


Dritare 1:


Duar të përditësisë


Qytetari: Një mëngjes shkurti autobusi u mbush shpejt. Një grua e moshuar që mezi mbahej në këmbë u kap pas mbështonjës metalike. Asnjë ofshamë a ankesë.

Pa bërë fjalë e pa i rënë në sy, u ngrita heshturazi, pa pritur falënderime, dhe i lirova vendin tim ku isha i ulur.

U zhyta mes njerëzve, që askush të mos vërente asgjë.

Po aty, ndërsa isha mes pasagjerëve që shtyheshin e ngjesheshin, nuk mu durua e ndërhyra dhe ua ndërpreva me rreptësi shakanë mizore që disa adoleshentë po bënin me shokun e klasës së tyre duke e bullizuar pamëshirshëm.

Njëkohësisht mbajta derën hapur të autobuzit me trupin tim, për dikë që po vraponte mbushur me djersë e ankth drejt stacionit. E vura re atë djalë të vrapo me furi, ndaj e mbajta derën.


Mandela: Ja kaq mjafton. Tre veprime të paqta, pa bujë, dhe një njeri, një komunitet, një qytet, një vend përsoset me një gradë më lart në universin e lirisë dhe mirësisë.


Dritarja 2


Burgjet e padukshme


Mandela: Qelitë e dukshme janë të lehta për t’u perceptuar e përkufizuar.


Qytetari: Të fshehtat udhëtojnë me mua. Janë mbushja ime me mëri, zemërata, mllef, brenga, krenari boshe, frikëra që mbyllin dyer e ndalin hapa...


Mandela: Aty, në ato biruca të brendshme duhen hapur dritare. Jo me porosi e dekrete. Vetëm me vetëshqyrtimin si mjet.


Dritarja 3


Heshtja në punë


Qytetari: Në punë dështova. Një koleg gënjeu për disa fatura. Unë heshta “që të mos prishej klima”.


Mandela: Heshtja në fakt është fatura më e rëndë. Kujt i ra barra ta shlyejë?


Qytetari: Kur mashtrimi u zbulua, disa të pafajshëm humbën punën e shumëçka.

Dhe unë naivi, zgjedhjen time për të mos folur, e quaja paqe.


Mandela: E ke quajtur gabim. Mospërballja ka emrin e vetë. E ta dish se çdo lëshim ndaj të pavërtetave, çdo shmangie dhe mospërballje për hir të paqes, duhet ta konsiderosh si oportunizëm, mëkat, e madje shpesh edhe tradhëti. Kur ti ta pranosh e kuptosh këtë, atëherë ka shpresë. Aty nis ndryshimi i vërtetë.


Dritarja 4


Çdo të thotë të falësh?


Mandela: Falja çliron, por e vërteta shëron.


Qytetari: Falja pa dritë është si garza mbi thyerje.


Mandela: Të falësh dikë vetëm brenda teje pa e ballafaquar e pa ia nxjerrë rrënjët çështjes, s’është paqe, është amnezi me aromë qirinjsh.


Qytetari (me vete): Uau, kjo po që është sfidë. Përndryshe, a po fal për tu shëruar, apo për të fshehur bashkëfajësinë time?


Dritarja 5


Shtëpia e frikës


Qytetari: Në shtëpi dëgjoja çdo ditë atë të godiste motrën time më fjalë që bëheshin si kopaçe, gjithnjë e më të rënda, e ngahera më të ashpra. Kujtoj, çajnikun sesi fishkëllente derisa thahej. Filxhani i saj ftohej.


Mandela: Në krah të kujt ishe?


Qytetari: Thashë “paqe”, dhe qëndrova mënjanë. Motra iku me një trastë të vogël, unë mbeta me alibinë.


Mandela: Qetësia e rrejshme, pa përgjegjësi është tradhti. Shtirja dhe neutraliteti në kurriz të së vërtetës, është bashkëfajësi.


Qytetari: E pranoj përunjësisht. Isha pjesë e së keqes. Vetëm pasi iu dorëzova të vërtetës, gjeta forcën ti kërkoja falje motrës, e qëndrova pranë saj ditë për ditë. E prej asokohe gjërat nisën të lëvizin mbarë.


Dritarja 6


Mëshirë me sytë hapur


Qytetari: Dëgjova pastruesen e katit të dytë teksa fliste për qiranë e papaguar. Më pikoi në zemër. Qëndrova deri në fund për të dëgjuar çdo fjalë që ajo po i thoshte dikujt në telefon. Askush nuk më pa. U ndjeva pak tinzar me atë përgjim të pavullnetshëm. Megjithatë, vrava mendjen dhe pak ditë më pas gjeta një mënyrë që asaj ti shkonte ndihma pa e ditur se prej kujt.


Mandela: Mëshira është guxim që s’e shpërfytyron tjetrin në as në dritë e as në hije.


Qytetari: Pa të, ligji ftohet dhe kthehet në teh.


Mandela: Asnjë gjykim s’është i drejtë veç nëse gjykatësi sheh njeriun. Kujdes, jo hijen, jo numrin, por njeriun.


Dritarja 7


Drejtësia në rregullin e përditshëm


Mandela: Drejtësia s’është as objekt e as subjekt skenik.


Qytetari: Fillon me akte të thjeshta, refuzo talljen, përbuzjen e sharjen ndaj dikujt, mos u fut përpara në radhë, bëj vend në tryezë, mos e shit votën e as mos e shpërdoro për taraf e favore, hap portën për mikun e njeriun në nevojë, etj.


Mandela: Republika ngrihet aty ku dora mendon thelle e mbarë para se të veprojë, e pastaj bën të drejtën.


Qytetari (me vete): Vërtetë, kur sillesh mirë që të të shohin të tjerët, e bën për të bërë të duhurën që të jep përfitim, apo për t’u ndjerë i drejtë?


Dritarja 8


Ura e dallimeve


Qytetari: Ekipi im flet shumë dialekte e të gjithë kanë besime të ndryshme.

Ne gatuajmë kuzhina të llojllojshne, kremtojmë çdo festë. Askush s’shuhet, e secili i jep shije tjetrit.


Mandela: Kur mirëpriten, dallimet bëhen urë, kur refuzohen, kthehen mur që s’e mban as erën jashtë.


Dritarja 9


Qëndresë me shembull


Qytetari: Tre muaj me radhë, çdo të shtunë, dy fqinjë dhe unë lyenim shkallën e pallatit. Pa mburrje. Pa ankesa. Çdo javë, një kat.


Mandela: Puna e mirë, pa përfolje e tam-tame, gërryen gurin, dhe justifikimet.


Qytetari: Ne nuk rrahim gjoksin. Shembullzojmë pa ia thënë e kërkuar madje edhe pa ia predikuar askujt.


Dritarja 10


Çelësi i “pse”-së


Qytetari: Netëve, i lexoj djalit një kapitull nga libri i radhës dhe i bëj pyetjen “pse”.

Kur dija prek mendjen, çliron, kur zbret në zemër, hap dyer.


Mandela: Pyetjet që s’bëhen ngurtësohen dhe shndërrohen në uniforma.


Ura e quajtur pajtimi


Mandela: Pajtimi është urë me kufij barrash të pamata.


Qytetari: Pa kujtesë dhe drejtësi të ndershme, ajo shembet.

Irlanda e Veriut, Ruanda, Kolumbia, Bosnja e Hercegovina e thanë të vërtetën dhe e lidhën me reformat. Aty ku reformat u vonuan, urat u tronditën.


Në Haiti, pas tërmetit të 2010-s, e vërteta u tha hapur, por elitat bllokuan reformën e tokës dhe gjithçka u tret.


Në Jemen, armëpushimet e 2020-s u plasaritën pa gjykata të pavarura që t’i zbatojnë.


Mandela: Po ti? Cili është tejkalimi yt shpirtëror? Ku dhe kur e takove qashtërsinë shpirtërore?


Qytetari: Më 19 gusht 2022, burra të besuar më tërhoqën në kurth, më rrëmbyen dhe më goditën barbarisht me armë në kokë e trup, për orë të tëra. Më gjakosën e hapën plagë të mëdha.


Mandela: Po pastaj?


Qytetari: Më 26 dhjetor 2022, të njëjtat fytyra u shfaqën në një “hetim” të rremë në një televizion kombëtar për të më përlyer me shpifje e sajesa. Balta u hodh që të mbulonte gjakun.


Qytetari (i afrohet): Mandela, ma thuaj sinqerisht, a e maskon shpresa jote se falja dhe pajtimi, sjellin lirinë, në realitetin kur ato janë si një “vjedhje sistematike e shpirtit” që shitet si shpëtim, një kafaz kadifeje që i prangos të pafuqishmit me heshtje?


Mandela: Ke të drejtë. Nëse shpresa kërkon heshtjen e viktimës, ajo s’është më shpresë. Është qetësim i rrejshëm, i pagëzuar gabimisht si shpresë. Shpresa vjen veç me ligjin dhe të vërtetën.


Qytetari: Atëherë, kur pushteti, institucionet dhe shoqëria s’e hap librin e llogarive, e më keq akoma, muros vetëdijen, falja fiton të drejtën të mos bindet, apo jo. Shpresa e shkëputur nga ligji kthehet në alibi të pushtetit dhe të të ligjve.

Unë e hedh poshtë skenarin që u kërkon të lënduarve të bekojnë të fuqishmit e të ligjtë, para se të lexohet libri, të riparohet dëmi dhe të deklarohen fajtorët.


Të bashkuara, forcat shumohen


Qytetari: Dy prindër nisën të mbledhin libra të dhuruar për të ndihmuar fëmijët në nevojë. U bënë dhjetë, e më pas edhe më shumë. Dy të rinj mblodhën ushqim për të pastrehët. Më tej me ta u bashkua e gjithë lagjja.

Hyra në një lëvizje politike qytetare, iu bashkova edhe këshillit të prindërve në shkollën e fëmijëve të mij, nisëm me disa miq një peticion për një buxhet transparent nga Bashkia; nisa të flas çdo ditë të vërtetat e mia në rrjetet sociale. Bashkuam njerëz, ndryshuam jetë e besojmë se i kemi dhënë vetes një mision qëllim-mbarë.


Mandela: Forca është gërshet, jo biceps. Kur forcat bashkohen, një plus një bëhet më shumë se dy.


Masa e udhëheqjes


Mandela: Udhëheqja s’është as ulërima, as postera e as slogane. Është vendi në radhën e shërbesës e thjeshtësisë. Besimi s’mund të kërkohet po s’u dha.


Shpresa, e lidhur me vepra.


Qytetari: Shpresa, nuk mund të jetë mjegull sociale për ti mbajtur njerëzit me gajret.

Por rryma që mban ndezur llambën e shkallës së pallatit pas mesnate.


Mandela: Ndryshimi s’është magji, është punë, këmbëngulëse, durimtare e qëndrestare.


Qytetari: Kur besimi merr jetë, hapen rrugë e shtigje. Kur vdes, ia behin moria e arsyetimeve. Jepi shpresës krahë, jo thasë gurësh. Nisja me një orë vullnetare për dinjitetin tënd, një telefonatë pajtuese, një “po” e vështirë ndërsa të tjerët rrinë pezull.


Qytetari (me vete): Nëse ia filloj të sillem kështu, a jam mëtonjës për të ndryshuar botën, apo po luaj për të qetësuar fajin tim?


Mandela (si ta kishte dëgjuar Qytetarin duke përsiatur me veten): Njëra ndez tjetrën. Nisja të mirës.


Qytetari: Falja çliron mirëkuptimin; mirëkuptimi dhe empatia e bëjnë drejtësinë njerëzore. Drejtësia ushqen besimin; besimi mban qëndrueshmërinë. Qëndrueshmëria kërkon dije; dija hap mendjen drejt tjetrit. Larushia fton bashkëpunimin; bashkëpunimi e bën shembullin ngjitës; shembulli e kthen shpresën në zakon, e zakoni kthehet në traditë, e tradita mbjell karaktere të drejta.


Mandela: Shembulli yt, vepra jote e mirë sot mund të ndryshojë të nesërmen e dikujt.


Të dy: Kjo është rruga e qetë e lirisë: punë e përditshme, punë e thjeshtë. Vepra e sotme e mirë, ndryshon të nesërmen.

Nuk jep famë; jep dobishmëri, dinjitet dhe drejtësi. Dhe bota merr frymë pak më lehtë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page