Mendime Shpirti: Shenjat që mbeten!
- Arian Galdini

- Aug 10, 2025
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Fëmijët janë stinë që vjen pa orë.
Ne rregullojmë pragun, ndezim dritën te korridori, lëmë te dera këpucë të thata pas shiut.
Ata e gjejnë vetë emrin e ditës.
Ne jemi fillimi i një rruge, jo rruga.
Nxitimi kërkon përgjigje menjëherë.
Jeta s’i nxjerr gjërat nga furra pa u pjekur.
Disa gjëra duan kohë të tharmosen, guximi, mirësia, fjala që mbahet.
Në vend që t’i nxitojmë me zor, më mirë të banojmë nëpër pyetje, si të jenë ajo dhoma ku kthehemi natën, me dritare hapur, shtratin e rregullt, ajërin që qarkullon.
E vërteta hyn pa bujë dhe drita rritet pas perdes.
Çfarë vjen për të qëndruar gjatë e rezistuar nuk flet me brohorima, ulërima, gjoksrrahje e trumpeta.
Shfaqet në të zakonshmen, të dish emrin e fqinjit, të shërbesh e ndreqësh gjithçka që duket vogëlsi me të cilën askush nuk merret, të ndihmosh ata në nevojë, pa t’i kërkuar kush, të mos e shkelësh fjalën edhe kur s’të sheh askush.
E përhershmja s’kërkon skenë; njihet nga gjurma e punës së pastër.
“Të jesh” është peshore që anon nga njerëzit.
Nuk ka vlerë të numërosh pa parë.
Veshët dhe këmbët na e tregojnë rrugën, dëgjojmë, pastaj shkojmë.
Vetëm më pas flitet.
Kur dëgjimi lidhet me veprimin, kuptimi s’ka nevojë për dekor.
Jashtë rrjedhin pa fund shirita lajmesh; çdo zë kërkon hapësirë.
Ne vendosim ritmin e shtëpisë, një kuti te hyrja ku lihen pajisjet para darkës; një mbrëmje në javë pa rrjete; tre pyetje të hapura në tryezë: “Çfarë mësove sot?”, “Kë ndihmove?”, “Kush të ndihmoi?”. Nuk është luftë me botën; është rregull i brendshëm që mbron bisedën.
Pyetjet e mira janë rrugica pa tabela.
Të detyrojnë të ecësh ngadalë, të shohësh numrat mbi dyer, të trokasësh, të pyesësh.
Nëse i lëmë të qëndrojnë, pas një kthese del një shesh që s’e dinim se po e kërkonim.
Fëmijët na mësojnë t’i japim fillim pa marrë fundin peng.
U japim dorën te shkallët, por u lëmë hapësirë te fusha.
U tregojmë si përdoret një vegël, por i lëmë të zgjedhin ç’do të ndërtojnë.
Ne jemi pragu; hapi është i tyre.
Përtej pragut s’është fotografia jonë.
Dashuria s’del me parulla; hyn si rregull i vogël.
Të palosësh xhupin e dikujt para se ai ta kërkojë.
Të lësh biskotën e fundit pa zhurmë.
Ta mbyllësh një zemëratë në shishe dhe ta hapësh nesër me kujdes.
Të shkruash një letër dore, me shkronja të palodhura.
Këto janë gjurmë që zgjasin.
Ka ditë kur mbetesh me veten.
Le ta kthejmë atë orë në dhomë pune me dritare nga brenda.
Aty heqim fjalët e tepërta, zhveshim llakun, provojmë heshtjen si rrobë që rri mirë.
Mos e mat jetën me duartrokitje; matje më e saktë është qetësia pas “faleminderit”.
Edukimi nuk është mburojë prej druri; është një kuti mjetesh.
Në të vëmë, pyetje që hapin derë, aftësi për ta ndrequr fjalën kur gabojmë, respekt për vijat e tjetrit, kujdes për gjërat e përbashkëta.
Rregulli mësohet prej trupit, si ulemi, si dëgjojmë, si i kthejmë sendet në vend.
Thjeshtësia nuk vjen vetë; është punë dore. Si tavolina para shkrimit, hiq pluhurin, lër vetëm ç’duhet, mbaj një gotë ujë.
Tre fjali mjaftojnë për të thënë të vërtetën; pjesa tjetër është zbukurim që e fsheh.
Kur hapësira pastrohet, zemra punon më drejt.
Le të na udhëheqin pesë kujtues të thjeshtë:
— Ec ngadalë kur të tjerët nguten.
— Mbaj një premtim që s’e di askush.
— Fol me atë që rri në skaj.
— Ruaj një orë në javë për heshtje të përbashkët.
— Çdo ditë, një gjë e vogël, e dobishme, e padukshme.
Kur dyshimi afrohet, ule pranë dhe lëre të flasë; shpesh kërkon veç një vend ku të mbështetet.
Kur gëzimi troket, mos e shtrëngo; lejoje të qarkullojë.
Kur dhimbja të bjerë mbi sup, huazo shpatullën e tjetrit; mos u ngurtëso kot, qëndrueshmëria s’është ngurtësi.
Në fund, gjithçka kthehet te mënyra si rrimë në vendin ku jemi.
Të mos ikim nga tryeza, të mos shmangim vështrimin kur dikush flet, të mos e lëmë punën pa mbaruar pjesën e fundit.
S’duhen heroizma, mjafton besnikëria ndaj asaj që kemi marrë përsipër.
Prej aty fillon ajo që qëndron.
Në mes të ditës, dëgjojmë, shkojmë, mbarojmë ç’filluam.
Fëmijët do ta hapin vetë faqen e tyre; ne do të ruajmë faqen tonë të ndershme.
Dhe, pak nga pak, pa bujë, përgjigjja del vetë prej asaj që bëmë.
Arian Galdini
.png)











Comments