Mendime Shpirti: Si të jetosh mes kaqolave pa humbur hirin!
- Arian Galdini

- Aug 24
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Çdo epokë ka nxjerrë idiotët e vet.
Disa lindin ashtu, disa tjetërsohen nga rehati që i përgjum, disa trajnohen nga partitë si milici të padijes, disa ushqehen nga pushtetet si hije me pagesë e nën urdhëra.
Kaqolat s’zhduken kurrë, i takon në rrugë, i sheh në zyra, i gjen në institucione, i ke përballë edhe në tryezën e kafenesë, apo edhe të shtëpisë. Fjalët e tyre janë tym pa dritë, jehonë pa mendim.
Një i vetëm duket qesharak, i tretur në zbrazëtinë e vet.
Por turma e tyre shndërrohet në armë shkatërrimi.
Një individ nuk rrëzon themele, ndërsa grumbulli gërryen çdo mur.
Një komb nuk e shemb ushtria, e rrënon poshtërimi i përditshëm nga qindra gojë të paditura që shajnë, përgojojnë, baltosin, këdo që ndërton diçka, çdo njeri të mirë e të vlerë që përpiqet të ngrejë zërin a hedhë hapin e një vepre të mbarë.
Marrëzia nuk shteron. Ajo ndryshon maska. Sot ka formë digjitale.
Trollitantët janë bijtë e sotëm të fuksave e shpirtcofunve të djeshëm.
Në vend të gurëve hedhin komente, vrer, shpifje e sharje mbi tastiera e ekrane.
Në vend të përgojimit përdorin raportime të fshehta. Në vend të kritikave në mbledhjet e partisë tani të bëjnë target të sharjeve lum, e kur nuk u mjaftojnë fjalët për ta ngopur fëlligështinë e tyre përdorin edhe emoji. Shfaqen si qytetarë, por janë fantazma serverësh.
Janë profile pa sy, pa frymë, pa përgjegjësi. Një klikim i tyre shuan një mendim.
Një tufë raportimesh varros një shkrim.
Një rrjet avatarësh fshin një emër.
Regjimet i përdorin si milici virtuale, si patrulla të padukshme, partitë i vërsulin si militantë virtualë, kompanitë si burim fitimi.
Në të vërtetë janë skllevër të një zinxhiri kodesh e algoritmesh që, manovrohen sipas nevojës së pushteteve.
Një mbrëmje, hyra “live” në Facebook për të folur për librin tim të ri.
Brenda pak minutash shpërtheu turma e padukshme, mbushur me sharje si “mashtrues”, “delirant”, “njeri i pavlerë”, shpifje banale për jetën private e publike, fyerje që s’kursyen as familjen.
Komente të fabrikuara pushtuan ekranin. Çdo fjalë që dilte nga goja ime shoqërohej nga kori i kotsinarëve që mbushnin hapësirën me hiç e helm.
Aty e ndjeva si fryhej një stuhi mbi ekran, por brenda meje qëndroi qetësia e një mali.
Sa më shumë më shanin, aq më fort heshtja ime ngrihej si shkëmb.
Kuptova se kaqolat, trollitantët, kotsinarët jetojnë nga reagimi yt.
Pa të, treten në hiç.
Po ashtu edhe një tjetër mik i imi është bërë prej kohësh shënjestër e kotsinarëve digjitalë.
Shpifën për veprën e tij, e mbuluan me vrer. Ai nuk reagoi.
Heshtja e tij u bë zjarr i fshehtë.
Shpifjet u shuan si flluska, ndërsa fjala e tij, e shkruar me qetësi, u shpërnda si dritë.
Që prej asaj dite e kuptova, kotsinarët, si pluhur që era e shpërndan, mbushin rrjetin me boshni, por zhduken para qetësisë së njeriut që mban hirin.
Kaqolat e kafeneve, patronazhistët e lagjeve, shpirtcofëtinat e bisedave të kota, trollitantët e rrjeteve dhe kotsinarët, njerëzit bosh që fryjnë hapësirën me hiç, ndajnë të njëjtin mision, të pengojnë mendimin e lirë.
Diktaturat dikur vrisnin trupin, autokracitë burgosnin idetë, demokracitë gërryhen nga marrëzia kolektive.
Sot kemi dhunë të padukshme, pasi fjala s’ndalohet me ligj, por fshihet me algoritëm.
Nuk goditet njeriu, por imazhi.
Nuk mbyllet goja, por dritarja.
Idiotët e strukturuar janë edhe më të rrezikshëm.
Si kukulla me fije të fshehta, vallëzojnë sipas urdhrit të padukshëm.
Ata shfrytëzojnë frikën dhe bindjen e turmës, duke e kthyer marrëzinë në vegël kontrolli.
Nuk kanë mendim, vetëm komandë.
Nuk kanë shpirt, vetëm zbatim.
Arma e tyre është lëvizja e rreme.
Mbushin hapësirën me sharje, tallje, raportime të sinkronizuara.
Algoritmi i ngre lart.
Realiteti shtrembërohet. Mendimi fundoset. Marrëzia shfaqet shumicë.
Ky është trollitantizmi.
Nuk është lojë, është dhunë moderne.
Nuk të arreston, por të zhduk nga syri i botës.
Nuk të vë pranga, por të heq praninë.
Nuk të hesht, por të kthen në hije.
Këtu nis beteja.
Jo mes dy njerëzve përballë, por mes mendjes së gjallë dhe mohimit e tretjes së komanduar.
Midis të vërtetës së shkruar dhe profilit të zhdukur.
Si mbijeton? Jo duke rënë në nivelin e tyre, as duke u hakmarrë. Rruga është të mbash hirin.
Të kujtosh se je më shumë se një sharje, më shumë se një raportim, më shumë se një tallje.
Trollitantët janë mjegull, ti je diell.
Kaqolat janë gjethe që era i shpërndan, ti je rrënjë që nuk tundet.
Shpirtcofunit janë baltë, ti je shiu që pastron.
Kotsinarët janë flluska që plasin, ti je flakë shpirti që ndez botën.
Heshtja bëhet luks.
Botë që bërtet, heshtja fuqizon.
Kur nuk hyn në biseda të zbrazëta, i ke mposhtur.
Kur nuk u jep frymë, ata treten.
Kur ruan qetësinë, ata shuhen.
Pa ushqim prej teje, shuhen vetvetiu.
E vërteta është kjo, idiotët nuk zhduken. Ndërrojnë maska, por mbeten po ata.
Një ditë i sheh në parti, një ditë në rrjet, një ditë në pushtet.
Kaqolat nuk bëhen të urtë.
Shpirtcofunit nuk shndërrohen në mendimtarë.
Kotsinarët nuk mbushen kurrë me kuptim.
Megjithatë, mbi ta ecën njeriu që ruan hirin.
Ai që hesht kur zhurma është helm.
Ai që flet kur fjala është dritë.
Ai që shkruan edhe kur faqja zhduket.
Sepse fjala ka sekretin e saj, është farë që mbin edhe mbi gur.
Mund të vonohet, por nuk shuhet.
Mund të mbytet, por përsëri çel.
Dhe kjo mjafton për të fituar.
Në një botë plot idiotë, mbrojtja është urtësia.
Në një shoqëri të mbushur me trollitantë e kotsinarë, arma është fjala që nuk shuhet.
Në një kohë kaqolash e shpirtcofunësh, madhështia është të ecësh mbi ta pa humbur hirin.
Fjala mbijeton.
Heshtja ngadhënjen.
Drita jote, bëhet flamur dhe shpatë, pret zhurmën e kotsinarëve dhe ndez universin.
Arian Galdini
.png)











Comments