top of page

Mendime Shpirti: Të mbetesh i padukshëm për të mos u bërë i panevojshëm!



Nga Arian Galdini


Në një botë që të shtyn të bëhesh i rëndësishëm, ka një trimëri më të rrallë se çdo titull, të mbetesh i padukshëm, por i vërtetë.


Nuk është vetëposhtërim. Nuk është mosbesim në veten.

Është kuptimi i rrallë se ajo që shpëton botën nuk është lavdia, por dëlirësia e heshtur.

Shpesh, prishësit më të mëdhenj të paqes, janë ata që përpiqen të bëjnë diçka “të madhe” për botën, pa e ndrequr veten.

Dhe më e rëndësishmja që njeriu mund të bëjë, është të mos e përdhosë dot qenien e vet për të ndriçuar me një dritë që djeg të tjerët.


Njerëzit shpesh pyesin: “Çfarë bëre me jetën tënde?”

Por pyetja më e thellë është:

“Çfarë nuk le të të ndodhte?”

Çfarë nuk le të hyjë në ty?

Cilës errësirë nuk iu dorëzove, edhe kur ajo vinte si sugjerim i arsyes?

Sa herë nuk ke qenë i ligë, kur të gjitha arsyet të thoshin që kishe të drejtë të ishe?


Këto nuk bëjnë zë.

Nuk krijojnë pasuri.

Por ato janë arkitektura e brendshme që mban shpirtin në këmbë edhe kur trupi lodhet.


Sa më shumë kërkon të jesh dikushi, aq më lehtë bëhesh një mjet.

Për sistemin. Për masën. Për idetë që nuk lindin nga brenda, por që të kërkojnë si mish për reklamë.

Njeriu i vërtetë nuk është antikonformist me zë, por me heshtje.

Ai nuk i jep botës më shumë se ç’i duhet, dhe kurrë më shumë se ç’mund të mbajë pa u bërë i pashpirt.


Nuk të shpëton rëndësia.

Të shpëton përulësia.

Por jo ajo që imiton të dobëtin, por ajo që nuk ka nevojë të jetë i madh për të qenë i vërtetë.


Çfarë ndodh kur dashuron dhe nuk të shohin?

Asgjë nuk ndodh jashtë.

Por diçka e pavdekshme ndodh brenda.


Dashuria nuk është ndjenjë.

As nuk është kontratë.

Është fuqia për të qëndruar i hapur kur bota është mbyllur me çelësa të arit.


Dhe kur ndihmon dikë pa e ditur kush je, kur fal pa e shpjeguar, kur mbështet pa u dukur,

ti bëhesh pjesë e rregullit të padukshëm që mban universin nga shkatërrimi moral.


Në një epokë të klithmës dhe vetëpromovimit, të heshtësh dhe të mos rrëzohesh është më revolucionare se çdo ideologji.

Nuk ke pse shpëtosh botën.

Mjafton të mos bëhesh si ajo.

Jo për përçmim, por për mëshirë.


Sepse nuk ka dhunë më të heshtur se ajo që të bën të besosh se për të qenë njeri i plotë, duhet të të duan të gjithë.

Por ai që vërtet ka zbuluar veten, është i lirë edhe pa miratim.


Të mos kesh nevojë për duartrokitje është një nga format më të larta të forcës.

Sepse kush qëndron i mirë pa shpërblim, është më i lirë se çdo sundimtar.

Kush fal pa dëgjuar ndjesë, është më i madh se çdo gjykatës.

Kush nuk e shet dritën për të ndriçuar më shumë se të tjerët, është më afër asaj drite që nuk shuhet kurrë.


Bota nuk do të shpëtohet nga më të fortët.

As nga më të zgjuarit.

Ajo do të shpëtohet nga ata që nuk u korruptuan nga nevoja për t’u shpëtuar të tjerëve.

Nga ata që e ruajtën veten nga lavdia, njësoj si nga turpi.

Nga ata që nuk kërkuan të jenë të paharrueshëm, por të paprekshëm nga e keqja.


Kjo është rruga më e vështirë që mund të ecë njeriu:


Të jetë i thjeshtë, por i pathyeshëm.

Të jetë i butë, por i panegociueshëm në të drejtën.

Të jetë i padukshëm, por i pazëvendësueshëm në nder.


Në fund, njeriu nuk do të peshohet me suksesin e tij, por me gjithçka që ai refuzoi të bëhej, edhe kur ishte e lehtë.


Sepse vetëm ata që mbeten të pastër, kur askush nuk po sheh, mbeten të gjallë edhe përtej kohës që i harroi.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page