Mendime Shpirti: Zemra që ska emër!
- Arian Galdini

- Jul 3, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
S’ka nevojë të dëgjohet. Është.
Heshtja nuk vjen. Heshtja është.
Në një botë që e ngatërron zërin me të vërtetën, heshtja është e vetmja që nuk ka nevojë të shpjegojë veten. Ajo nuk bind.
Nuk sfidon. Nuk të shikon. Nuk ikën.
Thjesht qëndron.
Nëse e ndjen, ke nisur të digjesh.
Jo si zjarr që përfshin.
Si dritë që ndriçon nga brenda.
Dhe kjo është shenjë. Jo e përmbushjes.
E kthimit në vete.
Aty ku s’ka fjalë, nis ajo që s’ka emër.
Dhe kur asgjë nuk të kërkon më prej jashtë, nisin të çelin sy të padukshëm brenda teje.
Njeriu i vërtetë nuk pyet pse rrënjoset.
As nuk pret fruta. As nuk lëshon hije për të qetësuar të tjerët. Ai rrënjoset.
Sepse të qëndrosh pa një arsye që matet, është mënyra e vetme për të mos u shuar.
Rrënja e tij s’është në tokë, thellohet në heshtje. Nuk lidhet me përfitim.
Lidhet me atë boshësi që mban gjithçka pa pasur asgjë.
Njeriu i tillë nuk planifikon. As tundohet.
Aq më pak braktis veten për të qenë dikush. Ai nuk qëndron për të lënë gjurmë.
Ai frymon për të mos u shuar.
Dhe kur era përpiqet ta thyejë, ai nuk përkulet nga frika, as nga krenaria.
Ai qëndron, jo se është i fortë, a me siguri sepse nuk është i largët nga vetja.
Nuk është i dukshëm. As kërkon. Nuk ndryshon botën. As veten.
Ai nuk flet për dashurinë. Ai është vendi ku dashuria pushon. Ai nuk lutet.
Ai është vendi ku heshtja lutet vetë.
Ai është bosh që mban urën. Valë që nuk e ndal asnjë breg. Nuk e di ku shkon.
As ku nis. Por është. Sepse nuk është bërë. Sepse nuk ka pse të bëhet.
Ai nuk frymëzon. Ai është vetë frymëmarrja.
Në praninë e tij nuk ka drit që verbojnë.
Ka qetësi që zgjon. Ndonjëherë, kur të gjithë largohen nga dhimbja, ai mbetet pranë saj, si njeri që nuk kërkon të shërojë, por të mos lërë vetëm.
Dlirësia nuk është virtyt. As qëllim.
As përpjekje.
Është prani. Është qëndrim.
Kur s’të tundon e mira, as e keqja. Kur s’të tërheq as drita, as terri. Je thjesht dritë që nuk kërkon të dalë nga dritarja.
Sepse nuk ka mur.
Të jesh i dlirë do të thotë të mos kesh nevojë të jesh asgjë. Dhe megjithatë, të jesh gjithçka që nuk bërtet për të qenë.
Në këtë qëndrim, nuk ka zgjidhje. As ka fitore. E patjetër s’ka as sfidë. Ka një zemër që nuk pyet, që nuk bindet, që nuk tundet. Që s’ka emër. Sepse është përtej çdo emri.
Në këtë qëndrim, lotët nuk janë dobësi. Janë lutje që nuk kërkojnë përgjigje. Janë kripë që shenjtëron heshtjen.
Në fund të të gjitha fjalëve, kur çdo dritë është fikur, kur çdo shpresë ka përplasur kokën në murin e mbylljes, një boshësi qëndron.
Ajo nuk të thërret. Nuk të ndriçon. Nuk të mbush. Por nuk të lë të rrëzohesh.
Sepse ka zemra që nuk rrahin. Nuk dridhen. Nuk pyesin. Por mbajnë gjithçka. Pa u dukur kurrë.
Dhe pikërisht aty, ku asgjë nuk nis, asgjë nuk mbaron, aty qëndron ajo, zemra që s’ka emër.
Dhe ti e ndjen. Jo sepse ta thonë. Por sepse digjesh, pa u djegur.
Arian Galdini
.png)











Comments