Mendime Shpirti: Zëri që heshti për të mos tradhtuar veten!
- Arian Galdini

- Jun 24, 2025
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Njeriu nuk humbet kur dorëzohet.
Humbja e vërtetë ndodh shumë më herët.
Ndodh kur fillon të bindësh veten se e vërteta është e panevojshme.
Kur ndjen që është më lehtë të mos kuptosh, sesa të veprosh pasi ke kuptuar.
Dituria është e padobishme nëse nuk vdes për të.
Nuk është ndriçim nëse nuk të djeg rrugës.
Shpirtrat e epokës sonë nuk janë të zbrazët nga njohuritë, por nga vendimi.
Ata nuk vuajnë mungesën e së vërtetës, por mungesën e guximit për ta ndjekur deri në fund.
Jetojmë në një epokë ku gjithçka dihet, por askush nuk ngrihet.
Ku e mira adhurohet në fjalë, por nuk përjetohet në trup.
Ku urtësia është mjet për të përftuar admirim, por jo për të sakrifikuar komoditetin.
Jemi mbushur me dëshira që nuk lëvizin dhe ideale që nuk shkojnë askund.
Jemi të përmalluar për drejtësi, por nuk e ndjekim kur na kushton.
Duam dritë, por pa u verbuar.
Duam të shpëtojmë, por pa ndryshuar.
Në këtë udhëkryq të shpirtit, mëkati i vërtetë nuk është të mos dish, por të dish dhe të mos bësh asgjë.
Ka njerëz që bërtasin për të fshehur mungesën e bindjes.
Ka të tjerë që heshtin jo nga mençuria, por nga frika.
Dhe ka nga ata që kanë parë të vërtetën, e kanë ndjerë si therje, si zjarr në kraharor, por pastaj, në vend që të shndërroheshin në dritë, u kthyen në hije të vetes, sepse e vërteta u kërkoi tepër.
Dhe s’ka asgjë më të dhimbshme se një shpirt që e la gjysmën e vet pezull, nga frika se i plotë do të ishte shumë i vërtetë për këtë botë.
Ka njerëz që e përdorin lapsin si maskë, fjalën si strehë, dhe pendën si zëvendësim të veprimit.
Shkruajnë jo sepse nuk dinë të godasin, por sepse nuk kanë guxim të duan aq shumë sa duhet për të goditur vetëm të keqen pa u bërë si ajo.
Ka poetë që fshehin në metaforë plagën e një veprimi të munguar.
Ka filozofë që ndërtojnë teori për të harruar heshtjen e burrërisë.
Ka të mençur që e përdorin mençurinë për të vonuar guximin.
Por koha nuk i pret më fjalët që nuk shndërrohen në qëndrim.
Dhe historia nuk kujton ata që dinin, por ata që besuan aq fort, sa e vunë veten në rrezik për të mos e tradhtuar shpirtin.
Të dish është vetëm fillimi.
Të kuptosh është vetëm dera.
Por të hysh, dhe të mos kthehesh më mbrapa, ky është akti që shndërron njeriun në dëshmi.
Shpresa nuk është ndjesi.
Është një akt i përgjakur.
Një zgjedhje që përsëritet çdo ditë, kur gjithçka rreth teje kërkon të të bindë se nuk ka kuptim.
Është ajo dritë që nuk bërtet për të qenë yll, por nuk pranon të shuhet edhe kur është rrethuar nga natë e zymtë.
Të shpresosh është të mos i shërbesh frikës.
Të mos e vendosësh shpëtimin në heshtjen e mureve, por në guximin për të qenë zë, edhe kur nuk dëgjon njeri.
Mos mendo se mungesa e dhunës është paqe.
Shpesh është thjesht frikë e rregulluar me fjalë të bukura.
Mos mendo se mungesa e zhurmës është urtësi.
Shpesh është vetëm tmerri që fshihet nën maskën e mendimit të thellë.
Bota nuk ndryshohet me ide.
Bota ndryshohet me njerëz që i japin mish e kockë të vërtetës.
Bëhu njeriu që nuk rri pezull midis ndjeshmërisë dhe vendimit.
Bëhu ai që nuk i lutet as heshtjes, as retorikës, por ecën, i qartë dhe i vendosur, drejt asaj që di se është e drejtë, edhe kur do të mbetet vetëm.
Sepse vetëm atëherë, fjala bëhet zjarr.
Dhe heshtja, dëshmi.
Ai që nuk përdor lapsin për të shmangur të vërtetën, por për ta ndezur atë me çdo rresht, është njeriu që ka kaluar nga mendimi në zjarrin e shndërrimit.
Dhe vetëm ky zjarr është dritë që nuk fiket.
Arian Galdini
.png)











Comments