Ne jemi këtu
- Arian Galdini

- Aug 23, 2025
- 3 min read

Miq,
Ne nuk kemi heshtur. As nuk jemi tretur.
Ne kemi qenë këtu, çdo ditë, në heshtjen që formon, në dritën që nuk kërkon asgjë, përveçse të ndriçojë.
Ndërsa shumë të tjerë bërtasin për të mos dëgjuar veten, ne kemi zgjedhur të dëgjojmë më thellë.
Në kohën e thashethemeve dhe çjerrjeve, ne kemi ndërtuar tryezën tonë të mendimit.
Jo për të grumbulluar duartrokitje, por për të mbjellë ide.
Rubrikat tona të përditshme nuk ishin e as janë thjesht ushtrime mendimi, ishin e janë aktet tona të ndërtimit.
Çdo fjali ishte dhe është një gur.
Çdo ditë një dritare.
Çdo heshtje, një themel që nuk tundet.
Sepse nuk jemi lindur nga zhurma.
Jemi lindur nga vetëdija.
Në këto javë, ne nuk jemi larguar.
Ne kemi gdhendur fytyrën tonë politike, me dashuri dhe durim, si një skulptor që punon me diellin dhe durimin e gurit.
Nuk jemi as rastësi, as produkt i ndonjë nevoje të çastit.
Ne nuk jemi pjesë e asnjë loje që zhvillohet pas dyerve të mbyllura.
Nuk jemi krijuar për pazare.
Nuk jemi mbështetur nga asnjë dorë që do të kërkonte llogari më vonë.
As nga dora e ngrohtë e Ramës dhe Berishës.
As nga ndonjë ambasadë.
As nga ndonjë Fondacion i Huaj.
As nga ndonjë shkelje syri e financim Oligarkësh, Ndërtuesish e as nga ndonjë ujdi me pronarë mediash, e as pakte me Grupe Kriminale.
As nga ndonjë “grup investitorësh në vend a Diasporë” që më pas kërcënojnë dynjanë për ne se kanë investuar shumë në ne.
Ne jemi vetëbesim që nuk rrëzohet dhe ndërgjegje që nuk shet veten.
Kemi ndërtuar karakterin tonë si njerëz, dhe identitetin tonë si bashkësi.
Kemi treguar se jemi të vetmit që guxojnë të tregojnë shqiptarëve se çfarë është një e djathtë me themele, doktrinore, vlerore, ideologjike.
Jo nëpërmjet dogmave të huaja, por përmes një dashurie të rrënjosur për këtë vend dhe për frymën që e ka mbajtur gjallë.
Ne nuk po shpikim të djathtën.
Ne po e rikujtojmë. Po e rizgjojmë.
Po e rilindim në vetëdijen shqiptare, pa zhurmë, pa mbivendosje, pa kopje, pa import.
Kemi treguar, për herë të parë në këtë vend, se një e djathtë mund të ndërtohet jo nga halli, jo nga pazari, jo nga mllefi ndaj të tjerëve, por nga besimi.
Nga bindja se politika është mision, jo spektakël.
Se fjala është përgjegjësi, jo marketing.
Se heshtja ndonjëherë flet më qartë se çdo retorikë.
LRE – Rinisja nuk është një emër.
Është një kthjelltësi.
Një qëndrim që nuk lëkundet.
Një zë që nuk kërkon të dominojë, por të kumbojë brenda çdo njeriu që ende beson se Shqipëria nuk është vetëm vend i humbur, por vend që mund të rifitohet.
Në këto muaj nuk bëmë zhurmë, ndërtuam themel.
Nuk kërkuam spektakël, ndërtuam karakter.
Nuk folëm sa më shumë e mes zhurmnajës e zullumhanes së Tiranës, ne ndërtuam fjalën që qëndron.
Dhe kjo, është ajo që nuk kuptohet nga ata që jetojnë vetëm në sipërfaqe.
Tani, ne jemi këtu.
Dhe askush nuk do të mund të thotë më: “Ku është LRE-ja?”
Sepse ne nuk ishim kurrë larg.
Ne ishim më thellë se kurrë.
Jemi LRE.
Jemi Rinisja.
Ne nuk po përgatitemi për të zënë një vend në skenë.
Ne po përgatitemi për të ndërtuar skenën e re.
Dhe kjo është shumë më e madhe sesa një përballje e zakonshme.
Ne jemi, ne mundemi!
🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🙏
.png)











Comments