top of page

Në zemër të hijes, për epokën e imitimit që pengon lirinë!


Nga Arian Galdini


Ka histori që ngrihen mbi përplasjen e ideve dhe histori që zvarriten në heshtjen e llogarive. Ne po jetojmë një kohë që flet shumë për lirinë, por që e shkel atë me një mekanizëm më të rafinuar se dhuna, me imitimin e saj. Nuk jetojmë më në frikë nga shtypja. Jetojmë në lodhjen e përditshme të shpresës që nuk lind dot, sepse të gjitha format e saj janë zëvendësuar nga kopje të menaxhuara.


Demokracia sot nuk vritet me tank, por me kostum. Nuk censurohet me ligj, por me mikrofon. Nuk mbytet me heshtje, por me zhurmë. Dhe pikërisht këtu, në këtë zhurmë të koordinuar, ku gjithkush lejohet të flasë, të shajë, të bërtasë, të duket si i guximshëm, si kritik, si përmbysës, ndodh ajo çfarë është më dramatike, e vërteta nuk ndalohet, por as nuk ndryshon më asgjë.


Sepse mekanizmi më i sofistikuar i kontrollit të sotëm nuk është më ndalimi i revoltës, por drejtimi i saj. Jo shtypja e fjalës, por organizimi i fjalës në forma të paracaktuara, që shpërndajnë tensionin, por nuk e përqendrojnë në aksion.


Sot të japin skenën për të folur, për sa kohë që skena nuk çon askënd askund. Të japin mikrofon, për sa kohë që je zë i shurdhër për vendimmarrjen. Të japin një tribunë të përkohshme, për sa kohë që nuk ke asnjë fuqi të ndërtohesh e shndërrohesh në strukturë.


Kjo është epoka e figurës që duket si zgjidhje, por nuk është. E atyre që duken si të guximshëm, por janë të projektuar të mos e kapërcejnë vijën e padukshme.

E lëvizjeve që ngjajnë si spontane, por janë të mbikëqyrura që në embrion.

E zërave që nuk kanë frikë të përmendin emra, por që kurrë nuk përmendin mekanizmin që i mban ata të paprekur.

E guximit të lejuar që nuk shkel mbi linjat reale të interesit.


Në këtë terren, revolta ka marrë formë estetike, nuk është më energji që kërkon të transformojë botën, por gjest që shfaqet nëpër media, në rrjete, në fjalime të matura, të kontrolluara, të zhurmshme, por të padëmshme.

Figura që artikulojnë me një pastërti të përsosur, por që nuk ndërtojnë kurrë një forcë politike reale.


Qytetari që përfaqësohet përmes ikonash të dizajnuara për konsum, jo për përmbysje.


Është kriza më e heshtur që njeh qytetërimi demokratik, rënia e përfaqësimit të vërtetë, jo nga diktatura, por nga inflacioni i përfaqësimeve të rreme.


Çdo shoqëri që vuan, ka dëshirë të besojë. Dhe pikërisht aty ndërtohet pasqyra, qytetari i lodhur nuk kërkon më realitet, por ngushëllim që duket si realitet.


I mjafton të dëgjojë dikë që i thotë të vërtetat që ai vetë i di, për të ndjerë se dikush po e përfaqëson, edhe nëse ai dikushi nuk do e çojë askund.


Kështu lind spektakli që mban peng lirinë, opozita që nuk e kërcënon pushtetin, por e konfirmon atë me stil të ndryshëm.


Jo më përballje mes sistemit dhe kundërshtarit, por balet mes versionit të vjetër dhe versionit të rifreskuar të së njëjtës lojë.


Dhe gjithçka funksionon për aq kohë sa populli nuk organizohet, por vetëm ngazëllehet.


Për aq kohë sa populli nuk e kthen mendimin në aksion, por në duartrokitje.


Në këtë mjedis, liria është bërë spektakël i kontrolluar. E ke të drejtën të thuash gjithçka, për sa kohë që nuk arrin të bësh asgjë. Dhe për këtë janë ngritur figura, emisione, platforma, fjalorë, struktura që e kanalizojnë çdo revoltë të vërtetë në formë të përtypshme, të padëmshme dhe të menaxhueshme. Të gjithë thonë diçka. Askush nuk rrezikon gjithçka.


E vërteta më e dhimbshme nuk është se nuk ka më njerëz që e kuptojnë padrejtësinë.


E vërteta është se ata që e kuptojnë, nuk arrijnë ta organizojnë dot energjinë kolektive për ndryshim.


Sepse terreni është zënë nga ata që janë vendosur aty për të mos e lejuar këtë ndërlidhje të ndodhë.


Këtu shfaqet një tjetër dramë, shteti (Sistemi) nuk rrezikohet më nga anti-shtetësia (anti-sistemsat), por nga format alternative që e imitojnë shtetin pa e ndërtuar asnjëherë.


Një brez i tërë njerëzish që shfaqen si përfaqësues, por nuk kanë rrënjë te njerëzit. Figura që flasin për popullin, por nuk janë prej tij.


Intelektualë që flasin për ndërgjegjen, por nuk zgjojnë dot as veten.


Dhe kështu, vendi mbetet pa asnjë kanal real të shpresës.

Çdo gjë është e zënë nga versionet e simulimit.

Janë atje për të mbajtur vendin bosh.

Që askush tjetër të mos mund ta zërë me të vërtetë.


Por kjo nuk është e pashmangshme.


Ka gjithmonë një çarje. Në sistemet më të mbyllura, gjithmonë ka një frymë që nuk pranon të simulohet.


Që nuk pranon të duket si e vërtetë, por zgjedh të jetë. Që nuk kërkon të ngjajë si e guximshme, por guxon.


Dhe ajo frymë është fillimisht vetjake, pastaj bëhet bashkë.


Në epokën ku gjithçka duket, por pak ndodh, ndryshimi nuk do vijë nga figura që duken si shpresë, por nga strukturat që mbijnë me durim, nga poshtë, pa zhurmë, por me rrënjë.


Dhe kjo kërkon kohë, ndershmëri, refuzim të spektaklit, dhe një liri që nuk pranon të shitet për pak vëmendje publike.


Demokracia e vërtetë nuk është ajo që të lejon të flasësh. Është ajo që të jep kuptim kur flet, dhe ndikim kur vepron.


Dhe kjo nuk kërkon më shumë fjalë. Kërkon prani reale.


Në fund, historia nuk do i kujtojë ata që flisnin më shumë, por ata që ndërtuan rrugën kur askush nuk besonte se kishte më rrugë.

Dhe kjo rrugë nuk kalon përmes pasqyrave. Kalon përmes heshtjes së kthjellët që më pas bëhet veprim.


Përmes atyre që nuk u dukën asnjëherë si të mëdhenj, por që kishin kurajën të mos bëheshin pjesë e lojës.


Sepse dinin se liria e vërtetë nuk është të të dëgjojnë. Por të mos të kontrollojnë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page