top of page

Një vend varfërohet edhe kur njeriu i ndershëm fillon ta quajë pafuqinë maturi…


Nga Arian Galdini


Kam menduar shpesh se një nga dëmet më të mëdha që politika mund t’i bëjë një shoqërie nuk është ta ndajë në të majtë e të djathtë.


Është ta bindë njeriun e mirë se përfshirja nuk ia vlen.


Ky dëmtim ndodh ngadalë.


Njeriu punon, rrit fëmijët, kujdeset për prindërit, paguan detyrimet, përpiqet të mos i hyjë në hak askujt.


Mund të ketë bindje politike, por nuk dëshiron t’i detyrohet një partie për vendin e punës.


Mund të ketë zemërim, por nuk e gjen veten në britmë.


Mund të dëshirojë ndryshim, por nuk pranon të bëhet ushtar i një njeriu vetëm që të kundërshtojë një tjetër.


Pas shumë vitesh, ai nxjerr një përfundim që duket i mençur, më mirë të rri larg.


Dhe pikërisht këtu politika e keqe fiton një prej fitoreve të saj më të lira.


Nuk ka nevojë ta bindë qytetarin ta dojë.


I mjafton ta bindë se pjesëmarrja e tij është e kotë.


Pastaj hapësira publike mbetet gjithnjë e më shumë në duart e atyre që kanë më shumë kohë për pushtetin, më shumë interes prej tij, më shumë varësi ndaj tij ose më pak drojë për mënyrën se si e kërkojnë.


Njeriu i zakonshëm tërhiqet.


Dhe kur tërhiqet njeriu që nuk kërkon as tender, as emërim, as mbrojtje, as fotografi pranë të fuqishmit, politika humbet pikërisht atë qytetar që mund t’i kërkonte më shumë pa i pasur borxh asgjë.


Këtu shoh një nga plagët më të thella të Shqipërisë sonë.


Kemi folur shumë për njerëzit që ikin jashtë vendit.


Më pak kemi folur për një tjetër largim, për njeriun që jeton ende këtu, por është larguar nga jeta publike.


Trupi i tij është në Shqipëri.


Puna e tij është këtu.


Familja e tij është këtu.


Por besimi se fjala e tij mund të ketë ndonjë vlerë është tërhequr prej kohësh.


Një Republikë nuk mund të jetë vërtet e shëndetshme nëse qytetari duhet të zgjedhë ndërmjet dy skajeve, ose të hyjë në oborrin e dikujt, ose të mos hyjë askund.


Duhet të ekzistojë edhe mundësia e tretë.


Të marrësh pjesë pa u dorëzuar.


Të bashkëpunosh pa u shkrirë.


Të kundërshtosh pa e urryer tjetrin.


Të japësh një dorë pa ia dhënë ndërgjegjen askujt.


Të largohesh po aq i lirë sa erdhe.


Për mua, kjo është një prej provave të E Djathtës Humane.


Liria nuk mund të jetë vetëm e drejta e njeriut për të hapur një biznes, për të zotëruar pronën ose për të mbrojtur familjen e vetë.


Ajo duhet të përfshijë edhe të drejtën për të hyrë në jetën publike pa qenë i detyruar të gjejë një padron politik.


Dhe pikërisht sepse besoj te liria, nuk dua që njeriu që afrohet te Rinisja të ketë detyrimin të bëhet “njeriu i Arian Galdinit”.


Nëse një ditë do të ndërtohet diçka me vlerë këtu, ajo duhet të jetë e aftë të mbajë njerëz që nuk më ngjajnë, që nuk më japin të drejtë për çdo gjë dhe që nuk kanë ardhur për të më bërë mua më të rëndësishëm.


Përndryshe do të kishim ndërruar emrin e oborrit, jo kulturën politike.


Prandaj më 21 gusht ftesa ime është më modeste sesa mund të duket nga larg.


Nuk di sa njerëz do të vijnë.


Nuk kam arsye të shpall paraprakisht një forcë që ende nuk është provuar.


Di vetëm çfarë nuk dua t’i kërkoj njeriut që vendos të vijë.


Nuk dua t’i kërkoj të fshehë të shkuarën e vetë.


Nuk dua t’i kërkoj të heqë dorë nga bindjet që ka.


Nuk dua t’i kërkoj të më premtojë besnikëri.


Nuk dua t’i kërkoj as të bëhet anëtar i Rinisjes.


Dua që të mund të vijë, të dëgjojë, të shohë njerëzit me sytë e vetë dhe pastaj të gjykojë.


Edhe po të largohet pa u bashkuar me ne, nëse është trajtuar si njeri i lirë, diçka e drejtë ka ndodhur.


Sepse politika shqiptare nuk ka nevojë vetëm për njerëz që ndryshojnë kamp.


Ka nevojë që qytetari të rifitojë të drejtën për të mos qenë kamp.


Dhe ndoshta një nga gjërat më të ndershme që mund të provojmë më 21 gusht është pikërisht kjo, që dera e pjesëmarrjes të mos ketë një dorë pas saj që të pyet kujt i përket.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page