Pak fjalë për Revolucionin tim të vogël!
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Revolucioni im është i vogël.
Nuk ka bulevard.
Nuk ka mikrofon.
Nuk ka kamera që e ndjekin.
Nuk ka dron mbi kokë.
Nuk ka turma që e mbajnë në duar.
Nuk ka parulla që ia shtojnë madhësinë.
Ka vetëm një njeri që, ditë pas dite, për tridhjetë e gjashtë vjet, nuk ka pranuar ta këmbejë dinjitetin me vend, bukë, post, ekran, lavdi, leje, sukses, arritje, ngjitje, status social, financa, mbrojtje apo hyrje në oborr.
Ky është revolucioni im i vogël.
Nuk e vendos përballë revolucionit tuaj të madh.
Nuk e mat vetminë time me turmën tuaj.
Nuk kërkoj vend në rrëfimin tuaj.
E them sepse revolucioni nuk nis vetëm kur njeriu del në shesh.
Ndonjëherë nis kur njeriu mbetet vetëm dhe prapë nuk e shet emrin e vet.
Ky revolucion nuk është pamje.
Është karakter.
Nuk është numër.
Është refuzim.
Nuk është një natë e ndezur.
Është një jetë që nuk pranon të hyjë në pazar.
Ka njerëz që presin turmën për të marrë guxim.
Unë kam mësuar të mos e pres turmën për të qëndruar në këmbë e drejt, e për të mos u shitur.
Kjo më ka kushtuar.
Le të thuhet.
Më ka kushtuar punë, mundësi, ekran, miqësi, vend, mbrojtje, emër, qetësi, rrugë më të lehta.
Ka pasur tryeza ku një karrige do të më mjaftonte për të hyrë në lojë.
Nuk u ula.
Sepse disa karrige nuk të japin vend.
Të marrin shtyllën kurrizore.
Ka vende që të japin strehë.
Ka vende që të marrin emrin.
Unë kam refuzuar vendet ku njeriu ulet dhe del më i ulët.
Le të jem i dështuar.
Por nuk jam i blerë.
Le të jem askush.
Por nuk jam i përdorur.
Le të jem i vetmuar.
Por nuk jam pronë.
Ka vetmi që nuk vjen nga mungesa e njerëzve përreth.
Vjen nga refuzimi për të hyrë në pazarin ku secili e di çmimin e vet dhe pret vetëm blerësin e duhur.
Unë nuk kam qenë i asnjë oborri.
As i pushtetit.
As i opozitës.
As i parasë së pistë.
As i fondacionit që blen ndërgjegje.
As i të huajit që kërkon shqiptar të përdorshëm.
As i bandës, i partisë, i medias, i tavolinës ku njeriu hyn me emër dhe del me çmim.
Kush ka dashur të më gjejë te pushteti, te opozita, te paraja, te i forti, te i huaji, te rrjeti, te klientela, te frika, te moda, te duartrokitja apo te pazari, ka kërkuar njeriun e gabuar.
Unë kam qenë vetëm te fjala ime.
Kjo është arsyeja pse revolucioni im është i vogël.
I vogël nuk do të thotë i dobët.
I vogël do të thotë i papërdorshëm.
Nuk kërkon ta sundojë turmën.
Nuk kërkon të hipë mbi kalë kur kali duket fitues.
Nuk kërkon emër mbi një plagë që nuk e ka mbajtur.
Është i vogël sepse nuk ka pronë tjetër përveç dinjitetit.
Dhe është i pathyeshëm për aq kohë sa nuk e dorëzon atë.
Revolucioni i madh mund të mbushë sheshin.
Revolucioni i vogël mban njeriun në këmbë kur sheshi është bosh.
Revolucioni i madh mund të rrëzojë një qeveri.
Revolucioni i vogël vendos nëse qeveria tjetër do të gjejë përsëri njerëz të blershëm.
Revolucioni i madh mund ta tronditë pushtetin.
Revolucioni i vogël trondit tregun ku njeriu shitet.
Prandaj nuk e përbuz revolucionin tuaj të madh, nëse është i qytetarit.
Qytetarin që del pa pazar, e nderoj.
Banorin që kërkon pronën, dokumentin, tokën, mjedisin, drejtësinë, e respektoj.
Por konglomeratit që lufton në prapaskenë për zotërimin e protestës nuk i jap as dorën, as emrin, as hijen time.
Nuk kërkoj mandat prej tij.
Nuk flas në emër të tij.
Nuk kam ardhur të marr flamur, vend apo trashëgimi mbi një valë që nuk më ka lindur mua.
Qytetari që del nuk është problemi im.
Problemi im është dora që del pas tij për t’ia marrë emrin.
Problemi im është çasti kur sheshi fillon të ketë pronarë që nuk i ka votuar.
Ky është dallimi.
Unë nuk kam frikë nga humbja ime.
Kam frikë nga fitoret që e bëjnë njeriun më të lirë në bulevard dhe më të shitur në tryezë.
Kam frikë nga revolucioni që rrëzon një emër dhe i dorëzohet një pronari të ri.
Kam frikë nga turma që del si popull dhe kthehet si material për mikrofonin e dikujt tjetër.
Kam frikë nga fjala “e re” kur del nga goja e atyre që e kanë mbajtur të vjetrën gjallë.
Kam frikë nga fitorja pa karakter.
Sepse fitorja pa karakter është vetëm ndërrim pronari.
Republika nuk fillon te brohorima.
Republika fillon aty ku njeriu nuk pranon pronar.
Fillon te qytetari që nuk shet votën, nuk shet fjalën, nuk shet heshtjen, nuk shet fëmijën, nuk shet librin, nuk shet miqtë, nuk shet besimin, nuk shet atdheun, nuk shet Zotin, nuk shet emrin e vet për një karrige më pranë tryezës.
Një njeri që nuk shitet është republikë e vogël në këmbë.
Kjo është arsyeja pse revolucioni im i vogël nuk është privat.
Ai nuk ka bulevard, por ka ligj.
Nuk ka turmë, por ka provë.
Nuk ka mikrofon, por ka fjalën që nuk e kam shitur.
Nuk ka fitore, por ka një kokë që nuk është ulur përpara atij që kërkonte të më blinte.
Kjo është politika ime më e vjetër.
Para partisë.
Para studios.
Para sheshit.
Para ftesës.
Para baltës.
Para duartrokitjes që nuk erdhi.
Unë nuk jam bërë pronë.
Kaq.
Prandaj nuk mund ta shoh asnjë protestë, asnjë revolucion, asnjë shesh, asnjë valë, asnjë “Shqipëri të Re”, asnjë front, asnjë parti të re, asnjë qeveri teknike, asnjë mikrofon të madh, pa pyetur, kush e ka qytetarin në dorë? Kush po ia fallcifikon qytetarit pronësinë në Kadastrën e Hileve të Pushteteve të Prapaskenës?
Kush e pyeti?
Kush e mori mandatin?
Kush po flet në emër të tij?
Kush po e kthen në dekor?
Kush po e përdor si numër?
Kush po i merr zërin pasi ai doli për të folur?
Nuk flas në emër të popullit.
Pikërisht prandaj nuk pranoj që dikush tjetër ta bëjë pa e pyetur.
Ky është revolucioni im i vogël kur përballet me revolucionin tuaj të madh.
Nuk kërkon t’ju udhëheqë.
Nuk kërkon t’ju ndalë.
Nuk kërkon t’ju marrë emrin.
Kërkon vetëm një gjë, që askush të mos ju marrë juve pa ju pyetur.
Sepse një shesh që nuk pyet vetveten, në fund përgjigjet e tij ia pronësojnë të tjerët.
Dhe atëherë nuk është më populli që vendos.
Është populli që përdoret, pasi është duartrokitur si sovran.
Ndoshta revolucioni juaj i madh do të fitojë.
Uroj të fitojë qytetari.
Uroj të fitojë dosja.
Uroj të fitojë prona, mjedisi, drejtësia, Republika, e vërteta.
Por nuk kërkoj pjesë në fitoren tuaj.
Nuk kam ardhur për të marrë flamur pas betejës.
Nuk do ta ndërroj vendin tim për një vend në fotografi.
Nuk do ta ndërroj vetminë time për një karrige te tryeza e fituesve, nëse tryeza kërkon prej meje të bëhem i përdorshëm.
Te ai vend ku njeriu vendos nëse do të shitet apo jo.
Te ajo vijë ku fitoret nuk vlejnë nëse e lënë njeriun pa fytyrë.
Te ajo derë ku hyhet vetëm me dinjitet dhe dilet vetëm me emër të paprekur.
Nuk e krahasoj revolucionin tim me tuajin.
Nuk e vendos mbi tuajin.
Vetëm nuk e dorëzoj.
Revolucioni im i vogël nuk ka lindur nga turma.
Ka lindur nga refuzimi im për t’u bërë pronë.
Prandaj nuk mund ta vrasë as turma, as pushteti, as tallja, as harresa, as fitorja e dikujt tjetër.
Mund ta vrisja vetëm unë, po ta shisja.
Dhe këtë nuk e bëj.
Le të fitojë revolucioni i madh, nëse është i qytetarit.
Unë do të ruaj vendin ku nuk shitem.
Sepse kush e humb atë vend, një ditë duartroket edhe kur ia shesin vendin ku jeton.
Arian Galdini
.png)


Comments