Pas lirisë, prova e vetëkufizimit: Kosova dhe Shqiptarizmi që e kthen çlirimin në shtet!
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 8 min read

Nga Arian Galdini
Popujt që kanë jetuar gjatë nën dhunë e kuptojnë lirinë, së pari, si largimin e dorës së huaj nga jeta e tyre, si ditën kur polici i pushtuesit nuk troket më në derë, kur gjuha nuk kërkon leje për t’u folur, kur i dëbuari mund të kthehet te toka, te varri, te pragu, te emri i vetë.
Kjo është sprova e dukshme e historisë, ajo që kërkon qëndresë, kurajë dhe aftësinë për të mos u zhdukur edhe atëherë kur një fuqi më e madhe përpiqet të të bindë se vetë ekzistenca jote është një gabim.
Pas çlirimit vjen një virtyt më pak heroik në pamje, por shumë më i rrallë në politikë, aftësia për të mos marrë gjithçka që mund të merret.
Pushtimi lë pas vetes jo vetëm varre e plagë.
Lë edhe një gramatikë të pushtetit, sipas së cilës ai që fiton zotëron, ai që humbet bindet, ndërsa shteti kuptohet si hapësira e atij që arrin ta marrë.
Çlirimi politik nuk e shuan vetvetiu këtë gramatikë, ajo mund të mbijetojë te të çliruarit, të ndërrojë uniformë, të hyjë në parti, në administratë, në marrëveshje dhe madje në mënyrën se si interpretohet Kushtetuta.
Prandaj çlirimi e largon sunduesin e jashtëm, ndërsa vetëkufizimi pengon që zakoni i sundimit të rilindë brenda shtëpisë së atyre që fituan lirinë.
Prej atij çasti, një komb nuk pyetet më vetëm kundër kujt e fitoi të drejtën për të qenë, por çfarë është i gatshëm t’ia ndalojë vetes pasi e ka fituar atë.
Kosova e njeh deri në palcë pjesën e parë të kësaj historie.
Ajo ka kaluar përmes shtypjes, dëbimit, masakrës, luftës, kthimit të të përzënëve, ndërhyrjes së botës demokratike, shpalljes së pavarësisë dhe punës së vështirë për ta kthyer një të drejtë historike në realitet shtetëror.
Pikërisht pse liria e saj është paguar kaq shtrenjtë, asnjë forcë politike nuk mund ta trajtojë sakrificën e përbashkët si certifikatë pronësie mbi institucionet.
Kriza e tanishme në Prishtinë është prova konkrete e këtij kalimi nga çlirimi te vetëpërmbajtja.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Vetëvendosje doli qartësisht e para, por pa shumicën që do t’i lejonte ta mbyllte e vetme gjithë arkitekturën institucionale.
Seanca konstituive e 6 gushtit mbeti e papërfunduar pasi Albin Kurti kërkoi kohë për një marrëveshje presidenciale, LDK-ja hoqi dorë nga pretendimet e saj për poste dhe pranoi idenë e një Presidenti konsensual, Kurti e mirëpriti këtë kthesë por vazhdon ta kërkojë dakordësinë para përfundimit të konstituimit, ndërsa PDK-ja këmbëngul që Kuvendi të vihet më parë në funksion.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes ka ftuar drejtuesit politikë në konsultime.
Pra, kundërshtia nuk lidhet më me nevojën e kompromisit, por me renditjen e hapave që çojnë tek ai.
Albin Kurti ka fituar të drejtën politike për të provuar qeverisjen.
Ky rezultat nuk mund të zhbëhet me lodhje procedurale vetëm sepse opozita nuk e dëshiron fituesin.
Por vota që i jep një force drejtimin e ekzekutivit nuk e shndërron atë në pronare të gjithë frymëmarrjes kushtetuese të vendit.
Shqetësimi i Kurtit për Presidencën është real.
Përvoja e muajve të kaluar ka treguar se një Qeveri mund të formohet dhe përsëri vendi të rrëshqasë drejt zgjedhjeve, nëse procedura presidenciale dështon.
Kushtetuta kërkon një mbështetje më të gjerë në raundet e para të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parashikon shpërndarjen e Kuvendit në rast se procesi nuk përfundon sipas afatit e mënyrës së përcaktuar.
Mirëpo një arsye e fortë nuk e shenjtëron çdo mjet të përdorur në emër të saj.
Kuvendi nuk është kasafortë ku shumica mban mbyllur funksionimin institucional derisa të sigurojë çdo garanci për të nesërmen.
Ai është vendi ku qytetari, me gjithë kundërshtitë e veta, bëhet juridikisht i pranishëm.
Fituesi që e lejon këtë institucion të funksionojë pa pasur çdo levë nën kontroll nuk humbet prej mandatit të vetë, përkundrazi, dëshmon se beson te fuqia e tij më shumë sesa te gardhet që mund të ngrejë rreth saj.
Në këtë pikë politika ndahet nga shtetaria.
Politikanët e zotë dinë ta përdorin kohën për të mbajtur trysni mbi kundërshtarin, shtetarët njohin çastin kur zgjatja e trysnisë fillon të dëmtojë vetë vendin që pretendojnë se po mbrojnë.
Lumir Abdixhiku, duke hequr dorë nga ministritë, nga bashkëqeverisja, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga pretendimi që Presidenca t’i takojë LDK-së, e ka zhvendosur debatin prej shpërndarjes së karrigeve te natyra e kreut të shtetit.
Kjo lëvizje ka vlerë për aq kohë sa nuk shndërrohet në medalje personale ose në pronësi morale mbi zgjidhjen.
Kur një parti bëhet e domosdoshme për të hapur një derë, mund të harrojë se çelësi nuk është shtëpia.
Heqja dorë nga postet provohet vetëm kur shndërrohet në sjellje parlamentare, në marrëveshje të shkruar dhe në gatishmëri për ta vënë institucionin në punë.
LDK-ja nuk mund ta shpëtojë veten nga përgjegjësia duke thënë se nuk kërkon asgjë, ajo duhet të dëshmojë se prania e saj nuk do të përdoret as për bojkot, as për imponim të maskuar, as për prodhimin e një krize të re nga e cila shpreson të përfitojë politikisht.
PDK-ja përballet me një tundim tjetër, po aq të vjetër sa vetë opozita, ta ngatërrojë kontrollin me pamundësimin.
Ajo ka të drejtë kur kërkon konstituimin e Kuvendit, por madhësia e saj nuk matet vetëm nga saktësia me të cilën emërton gabimin e shumicës.
Një opozitë shtetformuese e ndalon arrogancën pa e bërë vendin të paqeverisshëm, ajo ndjek buxhetin, veriun, diplomacinë, sigurinë dhe marrëveshjet e mëdha, duke e bërë të pamundur qeverisjen e papërgjegjshme, jo vetë qeverisjen.
AAK-ja, me më pak mandate, mund ta fitojë peshën e vet aty ku shteti nuk duron improvizim.
Një forcë politike bëhet e rëndësishme jo vetëm nga numri i vendeve që ka në sallë, por nga serioziteti me të cilin merr përsipër një çështje të madhe të sigurisë, qëndrueshmërisë së vendit dhe lidhjes euroatlantike.
Spektakli kalon shpejt, zotësia e provuar mbetet.
Në qendër të gjithë kësaj qëndron Presidenca, jo si shpërblim që pret fituesin në fund të negociatës, por si provë e mënyrës se si shoqëria kosovare e kupton Republikën.
Presidenti nuk është njeri pa histori, pa bindje e pa rrënjë, një figurë e tillë do të ishte zbrazëti, jo pavarësi.
Ai është partizan i Kushtetutës kundër secilës palë sa herë ajo kërkon të kalojë të drejtën që i është dhënë.
Kjo është asnjanësia e vërtetë republikane, një hierarki besnikërish ku zyra që përfaqëson tërësinë nuk i detyrohet atij që e solli aty më shumë sesa i detyrohet vendit që do të vazhdojë të ekzistojë pasi zgjedhësit e tij politikë të kenë dalë nga skena.
Një President i denjë për Kosovën ka nevojë për aq shqiptari sa të mos e provojë me zhurmë, për aq vetëdije perëndimore sa të mos e përdorë aleancën si stoli dhe për aq ndjesi shteti sa ta kuptojë se qytetari serb i Kosovës nuk është Serbia.
Në mënyrën se si Prishtina mbron këtë qytetar nga instrumentalizimi i Beogradit dhe nga padrejtësia e administratës së vetë, sovraniteti pushon së qenuri deklaratë dhe bëhet dëshmi.
Asnjëra prej këtyre nuk zhvillohet në një botë që pret.
Ndërsa institucionet kosovare mbeten të pazgjidhura, Serbia vazhdon të punojë në disa drejtime njëherësh, mban kanale me Moskën, ndërton marrëdhënie me Kievin, kërkon hapësirë në Perëndim dhe e përdor çdo pasaktësi kosovare si material diplomatik.
Vizita e Volodymyr Zelenskyt në Beograd, falënderimi i Vučić-it për mosnjohjen ukrainase të Kosovës dhe bisedimet për tregti, energji e infrastrukturë tregojnë një realitet të ftohtë, marrëdhëniet ndërkombëtare nuk administrohen nga mirënjohja, por nga interesat, lidhjet dhe aftësia për ta bërë veten të dobishëm.
Prishtina mund ta mbështesë Ukrainën kundër agresionit rus dhe njëkohësisht t’i kërkojë Kievit të shohë dallimin midis pushtimit të një territori dhe historisë së Kosovës, e cila kaloi nëpër represion, luftë, administrim ndërkombëtar dhe një proces të gjatë statusi.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk është stoli retorike, por kapital juridik që kërkon diplomaci këmbëngulëse dhe të përgatitur.
Përballë Serbisë, forca e shtetit të Kosovës rritet sa më e padepërtueshme bëhet sjellja e tij juridike dhe administrative.
Beogradit i është më e vështirë ta rrëzojë të drejtën kosovare në themel sesa ta gjejë në një incident të menaxhuar keq, në një procedurë të cunguar, në një përkthim të vonuar, në një qytetar lokal që nuk e kupton pse vepron administrata ose në një aleat të lodhur nga surprizat.
Kundërshtari i mençur nuk sulmon gjithmonë murin, ai kërkon dritaren që pronari harroi hapur.
Prej këtu merr kuptim Shqiptarizmi shtetformues.
Shqiptarizmi i kujtesës ruan ndërgjegjen e prejardhjes dhe e shpëton një popull nga harresa e vetë.
Shqiptarizmi i interesit e mëson të mendojë me kokën e tij në një botë ku edhe miqtë kanë axhendat e tyre.
Shqiptarizmi shtetformues kërkon shkallën më të rëndë të pjekurisë, të ndërtojmë aq mirë sa shqiptaria të mos përdoret më kurrë si perde për dobësinë e institucioneve.
Shqiptaria e pjekur nuk provohet nga sa shpesh përmendet Kombi, por nga sa pak cenueshmëri i lihen atij për t’u shfrytëzuar prej të tjerëve.
Ajo shihet te një shoqëri që mbron burimet jetike pa panik, që ka drejtësi të besueshme, aftësi mbrojtëse të rritur me aleatët, administratë që nuk e pyet qytetarin kë ka votuar dhe shkollë që kultivon njeriun e lirë në vend të klientit të ardhshëm politik.
Këtu përkatësia bëhet kapacitet.
E njëjta pjekuri i jep një kuptim më të lartë marrëdhënies ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Dy shtete shqiptare nuk afrohen duke e përdorur njëra-tjetrën si metaforë ceremoniale, bëhen më të fuqishme kur bashkërendojnë diplomacinë, sigurinë, energjinë, arsimin, infrastrukturën dhe diasporën, duke e kthyer afërsinë kombëtare në zotësi strategjike.
Një komb nuk matet vetëm nga ajo që ndjen së bashku, por nga ajo që arrin të ndërtojë së bashku pa ia lënë të ardhmen rastit.
Prandaj pyetja më e rëndësishme që kjo krizë ua shtron Kurtit, Abdixhikut, Hamzës, Haradinajt dhe çdo njeriu me pushtet në Prishtinë nuk është se çfarë mund të marrin nga marrëveshja e radhës.
Ajo pyet çfarë janë të gatshëm të mos marrin, edhe kur matematika, posti apo rasti ua lejon, që vendi të mos paguajë më shumë se partia e tyre.
Fituesi mund të qeverisë pa kërkuar çdo levë.
Partia vendimtare mund të ndihmojë pa e kthyer domosdoshmërinë në tarifë.
Opozita mund ta ushtrojë forcën pa e rraskapitur institucionin që nesër mund t’i duhet ta drejtojë.
Një subjekt më i vogël mund ta fitojë autoritetin përmes përgjegjësisë së marrë dhe jo përmes madhësisë së skenës.
Kjo është etika e vetëkufizimit, të kuptosh se fuqia nuk zvogëlohet gjithmonë kur refuzon një pjesë të saj, nganjëherë vetëm atëherë bëhet e ligjshme.
Nëse Prishtina arrin ta kthejë këtë çast në marrëveshje të shkruar, ta vërë në punë Kuvendin, t’ia lërë shumicës përgjegjësinë e qeverisjes, ta mbajë opozitën në funksionin e kontrollit dhe të zgjedhë një President që nuk është borxhli i një pale, atëherë kriza mund të kujtohet si koha kur politika kosovare kuptoi një të vërtetë që shumë kombe e mësojnë vonë, çlirimi ta jep shtetin vetëm një herë, ndërsa vetëpërmbajtja duhet ta shpëtojë atë çdo ditë.
Kosova nuk do të gjykohet vetëm nga dita kur fitoi lirinë, atë ditë e kishte merituar përpara se bota të guxonte ta pranonte.
Do të gjykohet nga mënyra se si e mban atë liri kur dhuna e hapur është zëvendësuar nga tundimi i pushtetit, nga interesat e partive dhe nga një botë që nuk ka detyrim të presë derisa shqiptarët të merren vesh me veten.
Shteti i vërtetë fillon atëherë kur njeriu që mund të marrë më shumë pranon të mos e marrë, sepse e ka kuptuar më në fund se Republika nuk është ajo që i përket brezit që qeveris sot, por ajo që ky brez ka detyrë t’ua dorëzojë të paprekur atyre që ende nuk kanë ardhur për ta kërkuar.
Arian Galdini
.png)



Comments