top of page

Pasuria e fundit nuk shitet!


Nga Arian Galdini


(Zarfi, buka dhe njeriu i pashitshëm)


Një njeri i varfër mban një zarf në dorë.


Zarfi është i lehtë.


Kjo është e keqja e tij.


Asgjë në peshën e tij nuk tregon se brenda mund të jetë dita kur njeriu bëhet më i vogël se vetja, ose dita kur kupton se nuk ka humbur gjithçka për sa kohë nuk ka shitur nderin.


Askush nuk e di menjëherë çfarë ka brenda.


Mund të jetë buka.


Mund të jetë vota.


Mund të jetë ikja.


Mund të jetë heshtja.


Mund të jetë çasti kur njeriu mëson çmimin që i kanë vënë.


Në atë çast, askush nuk sheh vetëm një zarf.


Aty takohen buka dhe karakteri.


Aty takohen politika dhe uria.


Aty takohet shteti me vetminë e qytetarit.


Aty njeriu nuk pyetet më thjesht sa i mungon.


Pyetet sa mund t’i merret pa ia marrë veten.


Këtu nis ndarja.


Fukarallëk–Maskarallëk.


Apo Varfëria–Fisnikëria.


Çdo kulturë ka një fjali me të cilën e shfajëson rënien e vet.


Një fjali që përsëritet aq gjatë, sa në fund nuk duket më si helm, por si urtësi.


Ne kemi një të tillë.


Fukarallëk–Maskarallëk.


E thonë me atë të qeshurën e hidhur ku njeriu nuk e mbron më të mirën, por pajtohet me të keqen sikur po tregon mençuri.


Sikur varfëria të ishte leje për poshtërsi.


Sikur halli ta lironte njeriun nga detyrimi për të mbetur njeri.


Sikur nderi të ishte luks i atyre që kanë para.


Kjo është fyerja më e madhe që i bëhet të varfrit.


Jo kur i thuhet se është në hall.


Kjo mund të jetë e vërtetë.


Por kur i thuhet se halli e bën të blershëm.


Njeriu i varfër mund të jetë i lodhur, i frikësuar, i harruar nga drejtësia, i përdorur nga politika.


Por kjo nuk e bën të shitshëm nga natyra.


Kjo nuk ia heq nderin.


Kjo nuk e nxjerr nga detyrimi për të mos u bërë vegël e së keqes.


Varfëria është plagë.


Maskarallëku është zgjedhje.


Ky dallim është themeli.


Pa këtë dallim, shoqëria nuk është më shoqëri.


Është treg justifikimesh.


Secili shet diçka dhe pastaj nxjerr hallin si faturë pafajësie.


Me këtë fjali kemi justifikuar votën e shitur, heshtjen para të fortit, patronazhin, vendin e punës me parti dhe pazarin me dinjitetin.


Pastaj kemi thënë, çfarë të bëjmë, jemi të varfër.


Jo.


Kjo nuk mjafton.


Varfëria mund ta mundojë njeriun.

Mund ta zgjojë herët.

Mund ta dërgojë në mërgim.

Mund t’ia ngushtojë sofrën.


Por nuk e detyron ta shesë votën.


Nuk e detyron të adhurojë cubin.


Nuk e detyron ta quajë mashtrimin zgjuarsi.


Nuk e detyron ta nxjerrë shpirtin në pazar.


Këtë duhet ta themi jo për ta qortuar të varfrin, por për ta mbrojtur.


Sepse ka një padrejtësi më të thellë se skamja, ta bindësh njeriun e varfër se ndërgjegjja është privilegj i atyre që nuk kanë uri.


Këtë e ka bërë shpesh kultura jonë e dorëzimit.


E ka bërë politika.


E ka bërë pazari.


E ka bërë cinizmi.


E ka bërë ajo fjalia e zezë që përsëritet si proverb, por punon si helm.


Fukarallëk–Maskarallëk.


Një popull nuk u lë fëmijëve vetëm tokën, gjuhën, shtëpitë, borxhet dhe kujtimet.


U lë edhe fjalitë që përsërit.


Fjalitë bëhen strehë ose burg.


Bëhen rrugë ose mur.


Bëhen nder ose dorëzim.


Nëse u lëmë fëmijëve fjalinë “Fukarallëk–Maskarallëk”, u kemi lënë një leje të fshehtë për t’u bërë të vegjël sa herë jeta u bëhet e vështirë.


U kemi thënë, kur të jesh në hall, mund të shitesh pak.


Kur të të mungojë buka, mund të shesësh votën.


Kur të të mungojë puna, mund të shesësh zërin.


Kur të të mungojë siguria, mund të adhurosh të fortin.


Dhe një fëmijë që e mëson këtë herët nuk rritet vetëm i varfër.


Rritet me idenë se nderi është gjë që pritet derisa të vijnë kohë më të mira.


Kjo nuk është kulturë mbijetese.


Është edukim i dorëzimit.


Prandaj më trondit sa shpesh i lexojmë mendimtarët që duhej të na zgjonin dhe i përdorim si jastëk për të fjetur më rehat brenda dorëzimit.


I citojmë jo për t’u ngritur, por për të thënë, ja, kështu kemi qenë gjithmonë, ja, kjo është Shqipëria, ja, ky vend nuk bëhet.


Kështu fataliteti vishet me kulturë.


Dhe dorëzimi bëhet i lexuar.


Ka diçka që nuk ecën drejt në jetën tonë publike.


Akrepat bëjnë përpara.


Ora, nga brenda, rrotullohet mbrapa.


Ne kemi mësuar të quajmë mallkim atë që shpesh është zakon.


Të quajmë fat atë që shpesh është pranim.


Të quajmë varfëri atë që, në çastin vendimtar, është dorëzim i karakterit.


Nuk them se vuajtja jonë nuk është reale.


Është reale.


Nuk them se varfëria nuk dhemb.


Dhemb.


Nuk them se politika nuk e ka përdorur qytetarin e varfër si lëndë të lirë për pushtet.


E ka përdorur.


Por asnjë nga këto nuk e shenjtëron shitjen e shpirtit.


Asnjë padrejtësi nuk i jep njeriut të drejtën të bëhet i padrejtë me veten e vet.


Këtu hyn përsëri zarfi.


Zarfi nuk është vetëm para.


Është provë.


Në të mund të jetë buka e javës, vota e blerë, heshtja e paguar, vendi i punës që kërkon përkulje, bileta e ikjes.


Por gjithmonë, diku brenda tij, është edhe një pyetje:


Sa vlen ajo pjesë e jotja që nuk duhet të shitet?


Në fund, zarfi nuk pyet vetëm sa i duhet njeriut.


Pyet sa mund të marrë prej tij pa ia marrë veten.


Kjo është Shqipëria e sotme në çastin e saj më të zhveshur, qytetari përballë një çmimi, pushteti përballë një nevoje, politika përballë një barku bosh, dhe nderi përballë një zarfi të lehtë.


Në atë zarf nuk futet vetëm paraja.


Futet edhe pyetja nëse njeriu është ende qytetar apo është kthyer në mall.


Por sot nuk provohet vetëm qytetari.


Provohet edhe vendi.


Sepse ka çaste kur zarfi del nga dora e të varfrit dhe vendoset mbi hartë.


Mbi breg.


Mbi lagunë.


Mbi ishull.


Mbi tokën ku një popull duhet të njohë veten, jo vetëm investimin.


Atëherë pyetja nuk është më vetëm, sa kushton vota?


Është, sa kushton atdheu kur atdheu trajtohet si parcelë?


Sa kushton bregu kur bregu quhet zhvillim para se të pyetet qytetari?


Sa kushton kujtesa e vendit kur gjithçka futet në gjuhën e investimit dhe del si faturë kombëtare?


Këtu Shqipëria e sotme bëhet laborator i madh moral.


Një pushtet thotë zhvillim.


Një treg thotë mundësi.


Një qytetar pyet, a jam pyetur?


Një i ri del në shesh jo vetëm për një lagunë, për një breg, për një ishull, por sepse ndjen se vendi po i merret nga fjala para se t’i merret nga prona.


Dhe kur qytetari del në shesh, fillon prova e dytë.


Sepse edhe zemërimi mund të blihet.


Edhe protesta mund ta humbë qytetarin në emër të qytetarit.


Edhe plaga mund të kërkojë pronar.


Edhe sheshi mund ta kthejë njeriun në dekor, nëse njeriu nuk ruan mendjen e vet.


Pushteti e do qytetarin të varur.


Tregu e do qytetarin të blershëm.


Media e do qytetarin të rrëfyeshëm.


Protesta rrezikon ta dojë qytetarin të numërueshëm.


Republika e do qytetarin të pashitshëm.


Kjo është ndarja.


Prandaj zarfi është më i madh se zarfi.


Është mënyra si një shoqëri e pyet njeriun, a ke ende një vend brenda vetes ku nuk hyj dot?


Një vend ku kjo pyetje shuhet, mund të pasurohet dhe prapë të mos bëhet.


Mund të ketë kulla dhe prapë të mos ketë nder.


Mund të ketë rrugë dhe prapë të mos ketë drejtim.


Mund të ketë zgjedhje dhe prapë të mos ketë qytetarë.


Sepse varfëria më e keqe nuk është mungesa e parasë.


Është mungesa e turpit.


Është mungesa e kufirit.


Është mungesa e “jo”-së.


Është mungesa e atij vendi brenda njeriut ku ai thotë, jam në hall, por nuk jam mall, kam nevojë, por nuk kam çmim, jam i varfër, por nuk jam i shitshëm.


Këtu nis fisnikëria.


Jo në pasuri.


Jo në tituj.


Jo në gjak.


Jo në fjalë të mëdha.


Fisnikëria nis aty ku njeriu nuk e përdor plagën e vet si alibi për të bërë plagë të tjera.


Fisnik është ai që mund të ishte shitur dhe nuk u shit.


Fisnik është ai që mund të justifikohej me varfërinë dhe nuk e bëri.


Fisnik është ai që nuk pati pushtet mbi botën, por ruajti pushtet mbi veten.


Këta janë fisnikët e vërtetë të një vendi.


Nëna që ndau bukën në katër pjesë dhe nuk e mësoi fëmijën të shiste votën.


Babai që punoi rëndë dhe nuk vodhi.


Emigranti që u poshtërua, u vonua në jetë, por nuk e ktheu hallin në poshtërsi.


Mësuesi që jetoi thjesht dhe nuk e përdori klasën si pazar.


Këta njerëz e rrëzojnë me jetën e tyre fjalinë “Fukarallëk–Maskarallëk”.


Sepse ata ishin të varfër.


Por nuk ishin maskarenj.


Dhe kur një njeri i varfër mbetet i ndershëm, ai nuk është thjesht njeri i mirë.


Është kundërprovë ndaj një kulture të tërë dorëzimi.


Vuajtja nuk prodhon vetëm vaj.


Ajo prodhon atë që kultura e mëson të prodhojë, këngë, urrejtje, disiplinë, lutje, treg, ose karakter.


Ky është dallimi.


Disa popuj i lënë së nesërmes vajin.


Disa i lënë këngën.


Disa i lënë mallkimin.


Disa i lënë karakterin.


Prandaj pyetja nuk është vetëm çfarë kemi vuajtur.


Pyetja është çfarë kemi bërë me vuajtjen.


Çfarë po dërgojmë lart nga jeta jonë?


Ankim?


Mallkim?


Cinizëm?


Dorëzim?


Apo një besim më të vështirë, se edhe varfëria mund të mbahet pa e dorëzuar nderin?


Ne kemi përsëritur shumë gjatë fjalinë e zezë.


Fukarallëk–Maskarallëk.


Ndoshta ka ardhur koha ta thyejmë.


Jo sepse varfëria është e bukur.


Jo sepse skamja duhet romantizuar.


Jo sepse njeriu që vuan duhet të qortohet nga ata që nuk ia njohin dhimbjen.


Por sepse varfëria nuk duhet të ketë pushtet mbi karakterin.


Sepse buka e pakët nuk duhet ta hajë nderin.


Sepse halli nuk duhet ta bëjë njeriun pronë.


Sepse vota nuk është zarf buke.


Sepse qytetari nuk është mall me çmim sezoni.


Sepse atdheu nuk është zarf investimi.


Sepse protesta nuk është prokurë mbi qytetarin.


Sepse fëmija nuk duhet të rritet me mësimin se dinjiteti fillon vetëm pasi të kesh para.


Kjo është sfida jonë sot.


Jo vetëm të dalim nga varfëria ekonomike.


Por të dalim nga tregu i ulët që i është bërë njeriut.


Jo vetëm të shpëtojmë një breg.


Por të shpëtojmë qytetarin që nuk pranon më të matet me çmim.


Jo vetëm të bëhemi më të pasur.


Por të bëhemi më të pashitshëm.


Sepse një vend nuk bëhet kur ka më shumë para.


Bëhet kur ka më shumë njerëz që nuk shiten.


Nuk bëhet kur ka më shumë kulla.


Bëhet kur ka më shumë karakter.


Nuk bëhet kur ikën vetëm fukarallëku nga shtëpia.


Bëhet kur ikën maskarallëku nga ndërgjegjja.


Varfëria nuk është alibi për të shitur votën, për të shitur veten, për të shitur dinjitetin, për të adhuruar sunduesin batakçi, politikanin plaçkëbërës, cubin, të fortin, mashtruesin, dhunuesin, mafiozin, njeriun që e quan poshtërsinë zotësi dhe krimin sukses.


Në çastin kur pranojmë se varfëria prodhon natyrshëm maskarallëk, kemi fyer çdo njeri të varfër që ka mbetur i ndershëm.


Kemi fyer të gjithë ata që nuk patën shumë, por nuk u shitën.


Kemi fyer fisnikërinë e heshtur të këtij vendi.


Dhe ajo fisnikëri, sado e varfër, është më e pasur se çdo pasuri e bërë me turp.


Fukarallëk–Maskarallëk është fjalia e dorëzimit.


Varfëria–Fisnikëria është fjalia e ringritjes.


E para thotë, jam në hall, prandaj mund të shitem.


E dyta thotë, jam në hall, prandaj nderin e kam pasurinë e fundit.


Dhe pasuria e fundit nuk shitet.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page