Për ata që më shohin sot për herë të parë…
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Është e mundur që ky shkrim t’ju dalë sot përpara dhe emri im të mos ju thotë pothuajse asgjë.
Është e mundur të keni parë ndonjë video timen këto javë, një poster për 21 gushtin, fjalët “Rama ikën” ose “Republika Hapet”, dhe të keni menduar:
Kush është ky njeri? Nga doli? Përse po flet tani?
Janë pyetje të drejta.
Madje, po të isha në vendin tuaj, do t’i bëja edhe unë.
Nuk dua t’ju kërkoj të më besoni përpara se të dini se kë keni përballë.
Dhe aq më pak dua që disa minuta në një rrjet social të zëvendësojnë gjykimin tuaj.
Prandaj sot nuk dua t’ju flas nga maja e ndonjë parimi.
Dua t’ju tregoj thjesht vendin nga i cili po ju flas.
Kam një histori të gjatë në jetën publike e politike shqiptare.
Kam qenë aktiv prej dekadash, kam themeluar e drejtuar nisma politike, kam qenë kryetar i LRE-së, kam dhënë dorëheqjen nga drejtimi i saj, kam shkruar libra, kam mbajtur qëndrime që më kanë kushtuar dhe kam kaluar edhe vite kur prania ime në mediat tradicionale ka qenë pothuajse e zhdukur.
Prandaj shumë prej jush nuk më njohin.
Të tjerë mund të më njohin vetëm nga një episod.
Dikush nga një lajm i vjetër.
Dikush nga një akuzë.
Dikush nga një kundërshtar.
Dikush nga një video e këtyre javëve.
Dhe ka njerëz që nuk kanë asnjë arsye të më njohin fare.
Ky është realiteti nga i cili nisem.
Nuk kam ndër mend ta mbuloj duke u sjellë sikur kam një fuqi që nuk e kam.
Sot komunikoj me ju kryesisht këtu, përmes rrjeteve të mia.
Nuk kam pas vetes një makineri të madhe mediatike.
Nuk kam një aparat të madh që mund ta zëvendësojë njohjen njerëzore me përsëritjen e emrit tim.
Edhe LRE Rinisja, shtëpia politike që kam themeluar dhe së cilës po përpiqemi t’i japim përsëri jetë, është në një proces rindërtimi që duhet provuar me njerëz realë, jo shpallur me fjalë.
Kjo është arsyeja pse 21 gushtin nuk dua t’jua paraqes si kurorëzim të diçkaje që tashmë ekziston.
Për mua është takim me realitetin.
Dua të shoh nëse, pas gjithë këtyre viteve dhe pas gjithë kësaj distance ndërmjet nesh, ekzistojnë njerëz që janë të gatshëm të vijnë, të dëgjojnë, të pyesin, të kundërshtojnë, të njohin njëri-tjetrin dhe pastaj të vendosin vetë nëse kjo përpjekje meriton një hap tjetër.
Nuk keni pse të jeni njerëzit e mi.
Në të vërtetë, nuk dua që të vini si njerëzit e askujt.
Nëse jeni demokratë, ejani demokratë.
Nëse jeni socialistë dhe mendoni se Shqipërisë i duhet ndryshim, mos e lini bindjen tuaj te dera.
Nëse nuk keni parti, mos kërkoni një të tillë vetëm për të hyrë.
Nëse nuk jeni dakord me mua për gjithçka, aq më mirë, një Republikë ku njerëzit duhet të bien dakord me nismëtarin përpara se të marrin fjalën do të ishte vetëm një oborr tjetër me emër të ri.
Unë kam bindjet e mia dhe nuk i fsheh.
Besoj te Shqiptarizmi, sepse një popull që harron çfarë ka marrë në trashëgim e humbet lehtë edhe atë që duhet t’u lërë të tjerëve.
Besoj te E Djathta Humane, sepse liria, prona, familja, puna dhe sipërmarrja kanë kuptim vetëm kur në qendër mbetet dinjiteti i personit.
Besoj te Prindërimi, sepse politika nuk ka të drejtë ta konsumojë të ardhmen sikur fëmijët tanë nuk do të jetojnë në të.
Besoj te Kombëtarizimi, sepse Shqipëria duhet të ketë aftësinë ta mendojë e ta mbrojë interesin e vet pa e shndërruar kombin në armë kundër tjetrit.
Besoj te Properëndimorizmi, sepse Shqipërinë e dua shqiptare dhe perëndimore njëkohësisht, mike të Shteteve të Bashkuara, të sigurt në NATO, europiane në institucione dhe të palëkundur për Kosovën.
Dhe besoj se asnjëra prej këtyre fjalëve nuk vlen shumë nëse nuk dimë t’i vendosim një kufi vetes.
Kjo është arsyeja pse kam propozuar Republika Hapet.
Jo sepse mendoj se kam në dorë Republikën.
Jo sepse pretendoj se po përfaqësoj një shumicë që nuk ma ka dhënë askush.
Por sepse edhe një qytetar që nuk ka pushtet ka të drejtë të mendojë se çfarë rregulli do të donte të vlente për ata që e kanë.
Dhe unë dua një rregull të thjeshtë, qeveria të mund të ndryshojë pa u rrëzuar shteti, kundërshtari të mos bëhet armik, socialisti të mos trembet nga ardhja e demokratit, demokrati të mos e marrë fitoren si tapi mbi administratën, gazetari të jetë i lirë edhe kur na godet, sipërmarrësi të mos ndërrojë mik sa herë ndërrohet qeveria, dhe askush që hap një proces të mos fitojë prej kësaj të drejtën për ta mbyllur pas vetes.
Pikërisht për këtë po e lidh 21 gushtin me fjalët “Rama ikën”.
Unë besoj se cikli i Edi Ramës duhet të mbyllet demokratikisht.
Por nuk dua që kundërshtimi i Ramës të na japë paraprakisht pronësinë mbi atë që vjen pas tij.
Pas tij duhet të jetë përsëri qytetari ai që zgjedh.
Ndoshta më 21 gusht do të jemi pak.
Ndoshta do të jemi më shumë nga sa mendoj.
Nuk e di.
Dhe nuk kam ndër mend t’ju tregoj sot një numër që vetëm ajo ditë mund ta tregojë.
Di vetëm për çfarë jam përgjegjës unë, të jem aty, të mos ju mashtroj për atë që jemi, të mos e shndërroj praninë tuaj në besnikëri që nuk ma keni dhënë dhe të pranoj gjykimin e realitetit, çfarëdo qoftë ai.
Nëse më njihni prej vitesh, e dini vetë çfarë peshe i jepni historisë sime.
Nëse më njihni sot për herë të parë, mos më besoni nga ky shkrim.
Më njihni.
Lexoni.
Pyesni.
Kërkoni të dini çfarë kam bërë, çfarë kam thënë, ku kam qenë, ku kam gabuar dhe çfarë kam mbrojtur.
Pastaj gjykoni.
Dhe, nëse më 21 gusht mendoni se ia vlen të vini, mos ejani për të më dhënë mua një madhësi që nuk ma keni borxh.
Ejani me emrin tuaj.
Me bindjen tuaj.
Me dyshimin tuaj.
Me lirinë tuaj.
Sepse ndoshta hapi i parë i një politike tjetër nuk është që qytetari të gjejë më në fund njeriun pas të cilit duhet të ecë.
Është që askush të mos i kërkojë më të ecë pa veten.
Arian Galdini
.png)

Comments