Sovraniteti i pranisë: Kur Regjimi dënon me harresë, njeriu ka të drejtë t’i përgjigjet me refuzim!
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 7 min read

Nga Arian Galdini
Regjimit nuk i duhet gjithmonë t’ia mbyllë gojën njeriut për ta dënuar me harresë, mjafton ta mbajë larg vendeve ku shoqëria mëson emrat, vë në provë idetë dhe ndërton kujtesën e saj publike.
Njeriu vazhdon të punojë, të shkruajë, të kundërshtojë, të krijojë lidhje e të marrë përgjegjësi, por publiku, duke mos e parë aty ku është mësuar të kërkojë faktin politik, nis ta marrë mungesën si tërheqje, padukshmërinë si parëndësi dhe boshllëkun e prodhuar nga ndërmjetësi si dëshmi se ai nuk ka më asgjë për të thënë.
Ky dënim i heshtur synon ta ndajë njeriun nga historia e vetë dhe pastaj t’ia paraqesë shoqërisë këtë ndarje si gjendje të natyrshme.
Dua ta mbyll këtë keqkuptim pa ankesë, pa vetëvajtim dhe pa krenari mbrojtëse.
Mungesa ime nga mediat shqiptare nuk më gëzon, por as nuk më lëndon në mënyrën që mendojnë disa.
Do të më kushtonte shumë më tepër hyrja në një studio, po të kërkonte si çmim humbjen e vetvetes, zbutjen e bindjeve, marrëveshjen me pushtetin ose heshtjen përballë interesave që kam zgjedhur t’i kundërshtoj.
Sqarimet që kam bërë nuk kanë qenë kërkesa për ftesë.
U janë drejtuar njerëzve që, duke mos më parë në televizion, e kanë lexuar mospraninë si pushim nga veprimtaria, si tërheqje ose dorëzim, po ashtu, u janë drejtuar atyre që nuk më njohin dhe pyesin, me të drejtën e njeriut të painformuar, se kush jam, nga dola dhe përse flas tani.
Ata nuk kanë faj që nuk e njohin një histori të cilën ndërmjetësit nuk ua kanë treguar.
Kur rrëfimi ndërpritet nga jashtë, përgjegjësia për ta rindërtuar i mbetet atij që është lënë jashtë, por mënyra si e bën këtë vendos nëse po kërkon keqardhje apo po rimerr autorësinë mbi jetën e vetë.
Që prej vitit 2016, sipas përvojës dhe gjykimit që mbaj publikisht me emrin tim, jam bllokuar, censuruar dhe shtyrë drejt harresës mediatike.
Për këtë akuzoj Regjimin, oligarkinë mediatike, pronarët e mëdhenj të kanaleve dhe rrjetet e interesit që kam sfiduar, mes tyre edhe atë që kam denoncuar publikisht si “Mafia Farmaceutike”.
Kjo është dëshmia ime politike, e firmosur prej meje, nuk e sjell si lutje për rehabilitim dhe as si kërkesë që ata që më mbajtën jashtë të më rikthejnë sipas kushteve të tyre.
Gjatë këtyre viteve kam punuar çdo ditë, kam shkruar, organizuar, udhëtuar, takuar njerëz, ngritur nisma, përballuar humbje dhe rifilluar.
Kamera mund ta ketë kufizuar njohjen time publike, por nuk ka pasur juridiksion mbi vendimin tim për të vepruar.
Unë nuk kam munguar nga jeta politike, kam munguar nga një sistem transmetimi që kishte fuqinë t’i bindte shumë njerëz se këto dy mungesa ishin e njëjta gjë.
Prej sot, megjithatë, marrëdhënia përmbyset, për vite me radhë, të tjerët ushtruan fuqinë faktike për të vendosur nëse do të më jepnin qasje te publiku i tyre, ndërsa tashmë as përjashtimi i tyre nuk më fshin, as ftesa e tyre nuk më legjitimon.
Një redaksi mund të zgjedhë kë fton, unë ruaj të drejtën të zgjedh kujt ia jap emrin, kohën, fjalën dhe peshën që prodhon vetë paraqitja ime.
Studioja nuk është më destinacion që duhet fituar, por një mundësi që mund të pranohet ose të refuzohet.
Kjo përmbysje kërkon të dallohen tri të drejta që shpesh ngatërrohen.
Liria e fjalës e mbron njeriun nga ndalimi arbitrar i shprehjes.
Liria redaksionale i njeh një organi privat të drejtën të përcaktojë programin dhe të ftuarit e vetë.
Sovraniteti i pranisë i njeh personit të drejtën të gjykojë ndërmjetësin dhe të mos hyjë aty ku paraqitja kërkon heshtje, deformim, vartësi ose përdorim.
Unë nuk pretendoj se çdo televizion më detyrohet me studion dhe audiencën e tij.
Por asnjë televizion nuk mund të pretendojë se përzgjedhja e tij krijon një detyrim mbi mua.
E drejta e redaksisë për të zgjedhur të ftuarin nuk është zotërim mbi të përzgjedhurin, askush nuk mund ta përdorë mungesën për të të fshirë dhe më pas ftesën për të të zotëruar, sepse hyrja e nesërme nuk e shlyen përjashtimin e djeshëm dhe nuk përbën rehabilitim që duhet pranuar me mirënjohje.
Një ftesë e ardhshme do të jetë vetëm propozim për një marrëdhënie të re.
Do ta gjykoj sipas ndershmërisë së formatit, kushteve të bisedës, interesave që e rrethojnë, lirisë reale të fjalës dhe dobisë që mund t’i sjellë qytetarit.
Mund ta pranoj ose ta refuzoj, në asnjërin rast nuk do të sillem si njeri që po fiton ose po humbet të drejtën për të ekzistuar.
E njoh peshën time të sotme pa e zbukuruar.
Nuk jam i famshëm, nuk kam pushtet, nuk zotëroj një aparat që mund t’i detyrojë televizionet të më kërkojnë dhe nuk ushqej iluzionin se mospranimi im do ta tronditë sistemin e tyre.
Media shqiptare mund të vazhdojë fare mirë pa mua.
Pikërisht ky pranim ia heq vendimit tim çdo erë narcizmi, nuk po kërkoj ta ndëshkoj ekranin, po refuzoj ta paguaj dukshmërinë me humbjen e vetvetes.
Një parim që ushtrohet vetëm pasi ke fituar fuqi nuk është më provë karakteri, është avantazh negociues.
Njeriu i njohur mund ta kundërshtojë një studio sepse ka audiencë tjetër, i pasuri sepse mund të ndërtojë kanalin e vetë, i pushtetshmi sepse kamerat e ndjekin edhe kur hesht.
Prova më e vështirë i takon atij që nuk ka asnjërën prej këtyre mbrojtjeve dhe megjithatë thotë jo, pa pasur sigurinë se do të kërkohet përsëri.
Edhe njeriu që sistemi e quan të parëndësishëm ka të drejtë të mos e shesë emrin për t’u bërë i dobishëm për një redaksi.
Nuk do ta paguaj një paraqitje me pakt ndaj Regjimit, me heshtje përballë oligarkisë, me përshtatjen e fjalës sipas interesit të pronarit, me tolerimin e grupeve kriminale, me vartësi nga fondacione që kërkojnë ndikim politik apo me nënshtrim ndaj shërbimeve të huaja.
Këto janë kufijtë e mi, nuk përbëjnë pretendimin se çdo redaksi drejtohet nga secila prej këtyre forcave.
Por çdo hapësirë që kërkon marrëveshje, vetëcensurë ose nënshtrim nuk po më jep zë, po kërkon të blejë të drejtën për të ndryshuar fjalën dhe njeriun që e shqipton.
Kjo akuzë nuk i fut gazetarët në një faj kolektiv.
Reporterë, redaktorë dhe moderatorë të ndershëm, profesionistë e të guximshëm, punojnë nën trysni, me paga të pasigurta, pronarë ndërhyrës dhe institucione më pak të lira se ndërgjegjja e njerëzve brenda tyre.
Respekti për gazetarin është detyrim njerëzor, ai nuk e shfajëson automatikisht strukturën që e kufizon.
Njeriu i mirë mund të punojë brenda një institucioni të varur, ndërsa prania e njerëzve të mirë nuk e shfajëson varësinë e institucionit.
Gjykimi im politik mbetet i prerë, pjesa sunduese e medias shqiptare është bërë pjesë e problemit dhe fraksion i Regjimit.
Ajo nuk raporton vetëm mbi pushtetin, ndikon se kush duket, kujt i ndërtohet reputacioni, kush paraqitet si alternativë dhe kush lihet jashtë kujtesës së përditshme.
Kur lajmi kalon rregullisht nga filtri i pronarit, reklamuesit, qeverisë, marrëdhënieve financiare të padeklaruara ose interesave pa llogaridhënie publike, ndërmjetësimi humbet pafajësinë dhe bëhet teknikë sundimi mbi dukshmërinë.
Në një Republikë, media duhet të jetë ndërmjetëse e fjalës publike, jo dogana e ekzistencës publike.
Ajo ka të drejtë të pyesë, të hetojë, të kundërshtojë dhe të zgjedhë përmbajtjen e vetë, nuk ka të drejtë morale ta paraqesë përzgjedhjen e saj si regjistrin e plotë të realitetit politik.
Pronësia private mbi një kanal nuk mund të shndërrohet pa kufi në fuqi publike për të përcaktuar se cilët njerëz qytetari lejohet t’i njohë si alternativa.
Nëse ekrani përzgjedh paraprakisht se kush quhet faktor, qytetari mbërrin te vota pasi horizonti i zgjedhjes së tij është ngushtuar nga të tjerët.
Kështu, pushteti mbi dukshmërinë bëhet parazgjedhor, nuk i merr qytetarit fletën e votimit, por ndikon se cilët emra arrijnë deri te mendja e tij përpara se ai ta përdorë atë.
Nuk them se media është e parëndësishme, sepse po të ishte, përjashtimi prej saj nuk do të kishte kosto dhe mospranimi nuk do të provonte asgjë.
Televizioni arrin një audiencë të gjerë, prodhon njohje dhe mund ta përhapë një ide shumë më shpejt se kanalet e mia.
Pikërisht sepse kjo fuqi është reale, heqja dorë prej saj fiton kuptim kur çmimi është humbja e lirisë.
Rëndësia e medias nuk prodhon sovranitet të medias mbi personin.
Sovraniteti i pranisë është e drejta për të vendosur jo vetëm çfarë thua, por edhe ku e thua, në çfarë rrethanash, me cilat garanci dhe për çfarë dobie publike.
Fjala nuk është mall që i dorëzohet pronarit të një kanali për të marrë lejen e qarkullimit, është përgjegjësi që autori nuk mund t’ia kalojë askujt pa kufi.
Kjo liri më ngarkon më shumë, jo më pak.
Kur flas pa ndërmjetës, nuk mund t’ia faturoj montazhit, titullit apo moderatorit një gabim timin.
Pretendimet duhet të dokumentohen, pasaktësitë të korrigjohen, ndryshimet e qëndrimit të shpjegohen dhe pyetja e vështirë të mos përjashtohet vetëm sepse nuk më pëlqen.
Kanalet e mia nuk do të jenë strehë nga gazetaria e ndershme, unë refuzoj zotërimin e bisedës, jo verifikimin e së vërtetës.
Sovraniteti pa llogaridhënie do të ishte vetëm një arbitraritet i ri.
Rrjetet sociale nuk janë Republika e përkryer e fjalës.
Edhe ato kanë pronarë, algoritme, interesa tregtare dhe forma të reja kontrolli.
I zgjedh si kanalin tim të rregullt jo sepse janë të pafajshme, por sepse, në kushtet e sotme, më lejojnë një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me njeriun që dëshiron të më dëgjojë, burimi dallohet, fjala mbetet e plotë dhe qytetari mund të verifikojë çfarë kam thënë pa pritur përkthimin e një studioje.
Prandaj, kush dëshiron të dijë nëse jam në punë, të njohë qëndrimet e mia ose të ndjekë veprimtarinë e LRE Rinisjes, nuk duhet ta kërkojë më provën në televizionet shqiptare.
Për komunikimin tonë të rregullt, dokumentet, njoftimet dhe fjalën e plotë, më gjeni vetëm në rrjetet zyrtare të Arian Galdinit, në kanalet e LRE Rinisjes dhe në www.rinisje.com.
Çdo paraqitje e mundshme në një organ tradicional do të jetë vendim i posaçëm, i gjykuar rast pas rasti, dhe jo kthim nën autoritetin e vjetër.
Kur pushteti mediatik përdor mungesën për të prodhuar harresën, njeriu i përjashtuar nuk fiton detyrimin për t’u kthyer mirënjohës, fiton të drejtën të gjykojë portën, kushtet dhe koston e hyrjes.
Prej sot, këtë juridiksion e marr mbi emrin, kohën dhe fjalën time.
Ekrani mund ta shumëfishojë jehonën e një zëri, por nuk mund të bëhet burimi i qenies publike të njeriut, Republika fillon aty ku padukshmëria e imponuar nuk e fshin qytetarin dhe drita e ofruar nuk e blen.
Arian Galdini
.png)



Comments