top of page

Republika nuk matet vetëm nga ai që fiton…

21 gusht,

Ora: 18.00

Sheshi Skënderbej



Nga Arian Galdini


Një prej keqkuptimeve më të kushtueshme të politikës sonë është bindja se ndryshimi fillon kur ndërrohet njeriu në krye.


Unë mendoj se aty vetëm mund të fillojë.


Sepse një vend mund ta ndërrojë qeverinë dhe të ruajë të njëjtën marrëdhënie me pushtetin.


Mund të ndërrojë ministrat, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë mik.


Mund të ndërrojë shumicën, ndërsa administrata pret të mësojë kujt duhet t’i bindet tani.


Mund të ndryshojë emri në derën e zyrës dhe, megjithatë, dera të vazhdojë të hapet më lehtë për të afërmin e pushtetit sesa për njeriun që ka vetëm të drejtën me vete.


Pikërisht këtu nis, për mua, kuptimi i Republikës së Hapur.


Nuk po e propozoj si formulë për të paracaktuar se kush duhet ta qeverisë Shqipërinë nesër.


Këtë të drejtë nuk e kam unë dhe nuk duhet ta ketë paraprakisht askush tjetër.


Qytetari zgjedh.


Po propozoj diçka që vjen përpara emrit të fituesit, disa parime që duhet ta detyrojnë këdo që një ditë merr përgjegjësi publike.


Sepse njeriu nuk fiton pagabueshmëri bashkë me zgjedhjet.


Prandaj E Djathta Humane që unë besoj nuk e sheh lirinë si privilegj të të fortit.


Ajo nis nga dinjiteti i personit, nga prona e ligjshme, puna, familja, sipërmarrja, bashkësia dhe përgjegjësia, nga bindja se shteti duhet të jetë mjaftueshëm i fortë për të mbrojtur të drejtën dhe mjaftueshëm i përmbajtur për të mos jetuar në vend të njeriut.


Por kjo e djathtë duhet të provojë veten pikërisht kur pushteti mund të ishte në anën e saj.


Nëse mbrojmë pronën, duhet ta mbrojmë edhe kur pronari nuk na voton.


Nëse besojmë te tregu, nuk mund ta zëvendësojmë klientelën e sotme me miqtë tanë.


Nëse kërkojmë drejtësi, duhet ta pranojmë edhe kur ajo prek njeriun që kemi pranë.


Nëse mbrojmë fjalën e lirë, ajo nuk mund të pushojë së qenuri e lirë sapo fillon të na kundërshtojë.


Këtu hyn edhe Prindërimi.


Politika nuk ka të drejtë të sillet sikur brezi që voton sot është brezi i fundit i Shqipërisë.


Borxhi që marrim, toka që tjetërsojmë, institucioni që dobësojmë, shkolla që lëmë pas, kultura që trashëgojmë dhe besimi publik që konsumojmë kanë pronarë moralë që ende nuk mund të na kërkojnë llogari, fëmijët që do të jetojnë me pasojat tona.


Për mua, përgjegjësia politike fillon edhe aty, te ajo pjesë e së ardhmes që nuk kemi të drejtë ta shpenzojmë vetëm sepse sot kemi mundësinë ta bëjmë.


Prej së njëjtës rrënjë vjen Shqiptarizmi.


Jo si nevojë për të shpikur armiq, por si vetëdije se kemi marrë diçka përpara se të mbërrinim ne, një gjuhë, një kujtesë, një atdhe, një histori të papërfunduar dhe një përgjegjësi që nuk mbaron te kufiri i interesit tonë të përditshëm.


Kombëtarizimi është detyra për ta kthyer këtë përkatësi në aftësi të Shqipërisë, në ekonomi që prodhon, arsim që ngre njeriun, demografi që nuk zbraz vendin, siguri, shtet që di të mbrojë interesin e vetë, lidhje të gjallë me diasporën dhe përgjegjësi të palëkundur ndaj Kosovës.


Dhe pikërisht sepse dua një Shqipëri me vetëdije për veten, e dua pa mëdyshje properëndimore.


Miqësia me Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, Europa dhe orientimi ynë euroatlantik nuk duhet të jenë dekor i një qeverie dhe as certifikatë personale e një kryeministri.


Ato duhet të jenë zgjedhje të pjekura të një shteti që mund të ndërrojë qeveri pa humbur busullën e vet qytetërimore.


Kjo është arsyeja pse për mua ndryshimi demokratik nuk mund të jetë hakmarrje.


Qytetari socialist që nuk mendon si unë nuk është më pak shqiptar dhe nuk duhet të ketë më pak Republikë.


Demokrati nuk fiton të drejtën mbi shtetin vetëm sepse pala e tij fiton zgjedhjet.


Qytetari pa parti nuk është tokë e lirë për t’u pushtuar nga organizata më e fortë.


Edhe ai që propozon një nismë nuk fiton pronësi mbi njerëzit që mund ta mbështesin.


Ky standard vlen edhe për mua.


Prandaj 21 gushtin nuk dua ta ngarkoj me madhësi që vetëm qytetarët dhe koha mund t’ia japin.


Për mua është një provë më e thjeshtë dhe më serioze, të takohemi, të dëgjohemi dhe të shohim nëse mund të ndërtojmë qoftë edhe një fillim ku njeriu vjen me bindjen e vetë, nuk ia dorëzon askujt lirinë e vetë dhe nuk largohet i detyruar të bëhet pjesë e askujt.


Unë mund të propozoj.


Mund të marr përgjegjësinë që më takon.


Por nuk mund ta shpall paraprakisht peshën që kjo nismë ka në Shqipëri.


Atë duhet ta provojë realiteti.


Dhe pikërisht këtu, për mua, politika fillon të bëhet më e ndershme, kur ideja mund të jetë e madhe, por njeriu që e propozon nuk i shton vetes asnjë centimetër që qytetari nuk ia ka dhënë.


Më 21 gusht dua të sjell pikërisht këtë bindje në tryezë:


Shqipëria nuk ka nevojë vetëm të diskutojë se kush duhet të largohet apo kush duhet të vijë.


Duhet të fillojë të pyesë edhe se çfarë duhet t’i ndalohet kujtdo që vjen.


Sepse vetëm atëherë ndryshimi i emrit mund të bëhet ndryshim i rregullit.


Dhe vetëm prej një rregulli që vlen edhe kundër nesh mund të fillojë një Republikë ku qytetari nuk ka nevojë të ketë pronar.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page