Përtej frikës, drejt mrekullisë!
- Arian Galdini

- Mar 12
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Njeriu nis të humbasë veten para se të bjerë. E humbet në çastin kur e ul zërin para se ta ketë hapur gojën, kur dora i ndalet mbi firmë, kur hapi i shkurtohet para sheshit, kur e quan mençuri atë që thjesht po e zvogëlon.
Atëherë frika pushon së qenuri ndjenjë.
Bëhet rend.
Në tryezë flet më pak nga sa di.
Para një fjale të drejtë ndalet jo sepse s’e njeh të vërtetën, por sepse e njeh çmimin e saj.
Para një firme nuk pyet më çfarë është e drejtë, por çfarë mund të humbasë.
Kështu pushteti fiton formën e vet më të leverdishme, jo kur ta mbyll gojën, por kur të mëson ta mbyllësh vetë.
Pikërisht këtu fillon sprova e vërtetë e njeriut. Jo te britma. Jo te poza.
Te masa e shpirtit.
Te pyetja nëse do të jetojë nën përmasën që i cakton frika, apo në përmasën që i kërkon ndërgjegjja.
Rendet e vjetra mbështeten pikërisht te kjo ulje e masës.
U duhet njeriu që para çdo hapi pyet sa kushton e vërteta.
U duhet qytetari që e quan pjekuri përkuljen, realizëm tërheqjen, urti heshtjen e pavend.
U duhet mendja që e ngatërron mbijetesën me dinjitetin.
Kështu pushteti nuk ka më nevojë të jetë gjithmonë i dukshëm, njeriu e vazhdon punën e tij nga brenda.
Por asnjë kohë nuk mbyllet krejt mbi këtë ligj.
Gjithmonë del një pakicë që s’e pranon.
Jo domosdoshmërisht më e fortë.
Jo domosdoshmërisht më e mbrojtur.
Vetëm më e paaftë për ta quajtur mençuri atë që e ul.
Që nga ky çast, jeta ndahet më dysh, nga njëra anë ata që ruajnë strehën, nga ana tjetër ata që ruajnë masën e vet.
Frika kërkon shpëtim.
Ndërgjegjja s’pranon.
I pari ruan vendin dhe humb përmasën.
I dyti rrezikon strehën dhe ruan tërësinë.
Kjo është arsyeja pse kthesat e vërteta të historisë lindin pothuajse gjithmonë si vetmi, si skandal, si marrëzi në sytë e ditës.
Bota qesh me atë që refuzon të bëhet më i vogël për hir të rehatisë.
Më vonë e quan të domosdoshëm.
Pikërisht këtu fillon mrekullia. Jo si magji.
Jo si stoli e gjuhës.
Si provë.
Mrekullia fillon kur e pamundura s’pranohet më si alibi.
Një dorë nuk firmos atë që s’e beson.
Një gojë nuk e quan urti atë që e poshtëron.
Një bashkësi e vogël nuk hyn në pazar edhe kur pazari i premton rrugë më të shkurtër.
Në pamje të parë janë gjëra të vogla.
Pikërisht për këtë arsye janë të mëdha.
Aty ideja paguhet me jetë.
Shumica kërkon garanci para se të lëvizë. Kjo është arsyeja pse shumica rrallë e fillon kthesën.
E reja vjen pa vulë, pa strehë, pa duartrokitje.
Vjen me koston e vetmisë, me talljen e të tjerëve, me rrezikun e humbjes së përkohshme.
Vetëm ata që e duan të vërtetën më shumë se rehatinë pranojnë ta mbajnë.
Rrëzimi të lëndon.
Dorëzimi të zbraz.
Për këtë arsye ka humbje që e nderojnë njeriun dhe fitore që e zvogëlojnë.
Nuk ka rend të ri pa një vendim të fshehtë moral.
Gjithçka fillon aty ku dikush nuk e nënshkruan atë që s’e beson.
Nuk ka kthesë epoke pa njerëz që më parë kanë refuzuar, në heshtje, ta quajnë urti atë që i ul.
Nuk ka bashkësi të lirë pa njerëz që kanë pranuar të mbeten pa strehë, pa përkrahje, pa garanci, vetëm që të mos humbin masën e vet.
Pikërisht këtu duket pse rendet e vjetra druhen më shumë nga disa njerëz sesa nga shumë turma.
Turma mund të shpërndahet, të joshet, të lodhet, të trembet.
Një njeri që nuk pranon të jetojë më i vogël se vetja është më i vështirë.
S’ka nevojë të jetë i shumtë për të qenë i rrezikshëm.
Mjafton të jetë i vërtetë.
Mjafton që dikush ta shohë dhe të kuptojë se ajo masë tjetër e jetës është e mundshme.
Kështu lind imitimi i së drejtës, në fillim si skandal, pastaj si pyetje, më vonë si mundësi, në fund si masë.
Në fillim qeshin me të. Pastaj e sulmojnë.
Më pas përpiqen ta blejnë.
Në fund sillen sikur ajo gjë ka qenë gjithmonë aty.
Ky është cikli i zakonshëm i çdo të vërtete që fiton trup.
Para se të bëhet trup i kohës, ajo kalon nëpër provën më të rëndë, frikën.
Jo frikën e britmës, por frikën e ulët, të përditshme, që i thotë njeriut të ruhet, të mos e teprojë, të mos dalë nga masa që i është caktuar.
Vetëm përtej kësaj frike fillon rruga e vërtetë.
Përtej frikës nuk gjendet qetësi e lehtë. Gjendet kosto. Gjendet vetmi.
Gjendet pasiguri.
Por vetëm aty lind edhe e vetmja mrekulli që ka peshë, jo ajo që e zbukuron jetën, por ajo që ia ndërron masën.
Botën e ndryshojnë ata që pranojnë të mbeten pa strehë.
Arian Galdini
.png)



Comments