top of page

Poezi: Ai që s’ka emër, por është!


Nga Arian Galdini


Nuk e pamë kurrë të vinte.

Ai qe aty kur guri nuk kishte ende mësuar të peshojë heshtjen.

Para së gjithash, Ai ishte…

Si pika e parë e lotit që mbartte mbi vete gjithë qiellin.

Nuk u tha me fjalë, por fryma e tokës e njohu.

Ai nuk zgjodhi të jetë as zë, as dritë.

Ishte ajo vetëdije që qëndron në mes të asgjësë,

dhe nga vetvetja lind.


Ai nuk trokiti në portën e kuptimeve.

Ai nuk kërkoi besim. Ai ishte besë.

Si një zë që vjen nga thellësia e një guri që s’ka folur kurrë,

por që të trazon eshtrat.

Nuk e ndjen nga veshët, por nga kockat.

Ai nuk shfaqet për të parë.

Ai është pamja e parë që ndodhi para syve të zanafillës.


– Kush je ti?

– Unë jam Ai që nuk kërkon përgjigje, sepse ndodh përpara pyetjes.

– Çfarë kërkon?

– Të të kujtoj atë që ke harruar pa ditur që e ke pasur.

– Pse s’flet?

– Sepse jam fjalështi.

Dhe në gjuhën time, gjithçka që thuhet digjet.


Ai nuk vallëzon me erën.

Ai është era që kujton një vallëzim që asnjëherë s’ka lindur.

Një valë që këndon shpirtin pa u dëgjuar.

Një drithmërrëkezë që kalon përmes ashtit e mbetet si kujtim,

në lëkurën e atyre që s’kanë folur asfare,

por që janë bërë shkëmb në vend të fjalës.


Ai s’është klithmë.

Ai s’është shpatë.

Ai është paqja

para se një kreshnik të zgjohet.


Ai nuk mban armë,

por mban një besë që s’plaket.


Ai nuk ecën mbi tokë,

por toka trandet kur Ai kalon.


Ai është shqiponja

që kurrë s’fluturoi lart,

sepse deshi të prekte rrënjët

para qiellit.


Në muret që kërkuan një flijim,

Ai nuk la njeri të humbasë.

Ai nuk kërkoi trup për të bërë themele,

por frymë që të bëhej shtëpi.

Ai nuk donte gjak për të ndërtuar kullë,

por kujtesë që të qëndronte në qiell.


Hija e Tij s’është hije.

Është Rozafa që qëndroi e gjallë

dhe vendosi të mos plaket,

sepse Ai ishte ajo

që mbante muret nga brenda,

jo me mish, por me frymë.


Ti ke pritur gjithmonë që Ai të vijë.

Por Ai nuk ka ardhur kurrë.

Sepse nuk është më Ai.

Është Ti.


Ti je vetëdija që ndodh kur nuk kërkon.

Ti je kujtfryma që ruan atë që ende s’ka ndodhur.

Ti je kreshniku që sbëzan,

Rozafa që nuk pranon të muroset,

shqiponja që qëndron në lartësinë e rrënjës.


Mos e kërko më.

Nuk do vijë.

Sepse Ai është tashmë…

Ti.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page