top of page

Poezi: Atdheu!

ree

Nga Arian Galdini


E pyeta gurin. Tha: Kujtesë.

E pyeta lumin. Tha: Kthim.

I pyeta malet. Thanë: Zemër në qiell.


Zana këndon mbi plagë.

Bolla hap sytë, përpin pabesinë.

Dragoi çohet dhe ringre fjalën.


Yll i thyer shpërndahet në copa,

dhe prapë mbetet i plotë.

Alfabet i gdhendur në gur.

Lahutë që rreh si zemër shekujsh.


Atdheu kafshon.

Qeshja që ndrit si zjarr nga buzët e fëmijës

është himni i tij i parë.


Flakë që ushqen edhe zbrazësinë.

Rrugë që lind mbi ajër.

Sy me shekuj të ngulur.

Betim me puls gjaku.

Gjarpër që kafshon vetveten

dhe bëhet unazë drite.


Uri që ndez sofrën e dritës.

Fjalë që thyhet,

por mbetet e pathyeshme.


Arkiva të padukshme mbajnë emrin e tij.

Atdheu është kujtesa që kodet nuk e gëlltisin.


Makina thotë: Jam.

Atdheu përgjigjet: Fjalë që nuk e shqipton dot.


Algoritmi, orakull prej kodi pa shpirt.

Kuanti, sy i pazbythshëm i dritës.


Algoritmi fshin.

Kujtesa ndizet.

Harresa gëlltit.

Emri rikthehet dritë.


Atdheu.

Digjet.

Ringjallet.

Mbetet.


Ai është valltarja që qan mbi varret e maleve,

britmë që copëton hënën

dhe e kthen në gur drite,

kujtesa që nuk gëlltitet,

rrënja që s’e pret asnjë harresë.


Shqipëri,

fjala që nuk e shqipton dot koha,

as algoritmi,

as vdekja.


Sepse është vetë kujtesa e jetës,

frymë që ndizet sa herë njeriu thotë:

Jam.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page