top of page

Poezi: Atdheu kalon nëpër jetën tonë!



Nga Arian Galdini


Atdheu nuk rri jashtë nesh.


Ai hyn në jetën tonë

dhe del prej saj

me fytyrën

që ne ia lëmë.


Na u dha

që të mos zvogëlohemi

kur jeta na thërret

me emrin më të vështirë.


Nuk është kujtim

që ngrohet në gjoks

sa herë lodhet koha.


Është dashuri e rëndë,

e gjallë,

e papajtueshme

me njeriun që shet veten

dhe pastaj kërkon këngë

për ta mbuluar rënien.


Atdheu kalon

nëpër jetën tonë.


Nuk kalon vetëm.


Me të vijnë

shtëpitë që na rritën,

emrat që nuk i zgjodhëm,

lutjet që nuk i harruam,

varret që nuk flasin,

dhe pas tyre,

gjuha,

kur nuk bëhet gur kundër tjetrit,

fjala,

kur qëndron pikërisht atëherë

kur kushton,

dita,

kur nuk i dorëzohet tregut

që di të blejë lodhjen

dhe ta shesë si jetë,

dashuria për kombin,

kur nuk kthehet

në urrejtje.


Le të vijë bota

me portat e saj të hapura.


Ne nuk i trembemi botës.


I trembemi ditës

kur do të donim të hynim në të

më të vegjël se vetja,

me fjalë të bukura në gojë

dhe karakter të lënë jashtë.


Kur falim,

plaga të mos bëhet monedhë.


Kur hapemi,

të mos dalim prej vetes

të shuar.


Kur dhembim,

të mos bëhemi më të vegjël

se vendi

që kalon nëpër ne.


Dhe kur koha të pyesë

çfarë mbeti prej nesh,

le të mos përgjigjet kujtimi

i thënë bukur.


Le të përgjigjet fytyra

me të cilën atdheu

doli nga jeta jonë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page