top of page

Poezi: Balada që s’u këndua kurrë!



Nga Arian Galdini


Salla ishte gati.


Jo e madhe.

Jo e bukur.


Një sallë si gjithë sallat

ku njerëzit hyjnë me dosje në dorë

dhe dalin me një heshtje më shumë

se ç’kishin sjellë.


Në tryezën e gjatë

kishte tri gota uji,

disa letra të vendosura drejt,

një listë emrash

dhe tre mikrofona.


Dy prej tyre punonin.


I treti rrinte pak mënjanë,

me kokën e zezë ulur,

si një send që pret

pa ditur ende

se pritja e tij

është vendosur më parë.


Ti ishe aty.


Jo në krye.

Jo pranë atyre

që e bëjnë hyrjen

sikur tavolinat të ishin lindur

për t’i njohur.


Rrije në rreshtin e dytë,

me dosjen mbi gjunjë,

me faqet e saj të mbajtura mirë,

me kapësen e vogël metalike

që nuk lejonte letrat

të shpërndaheshin para kohe.


Emri yt ishte në listë.


Jo i pari.

Jo i theksuar.

Jo i rrethuar me laps.


Vetëm një emër

mes emrave të tjerë,

i shkruar saktë,

pa njollë,

pa arsye të dukshme

për t’u kapërcyer.


Pastaj dikush nisi të lexonte.


Lexoi emra

që salla i njihte

para se t’i dëgjonte.


Lexoi mbiemra

që hapnin karrige

pa prekur karrige.


Lexoi emra

që e dinin vendin e vetë

para se të thirreshin.


Kur erdhi radha jote,

faqja u kthye pak shpejt.


Jo aq shpejt

sa të dukej krim.


Mjaftueshëm shpejt

që askush të mos pyeste.


Në tryezë,

mikrofoni i tretë

nuk u ndez.


Drita e tij e vogël

mbeti e fikur,

jo si aksident,

por si një vendim

që nuk deshi

të dukej vendim.


Ti nuk u ngrite.


Salla vazhdoi.


Një kollë e shkurtër

u tret në fund të rreshtit.

Dikush rregulloi xhaketën.

Dikush afroi gotën e ujit.

Dikush shënoi diçka në një fletë

që nuk kishte lidhje me ty.


Pastaj erdhi duartrokitja.


E shkurtër.

E rregullt.


Mjaft sa faqja tjetër

të mos dukej bosh.


Vetëm një emër

që nuk u lexua,

një dosje

që nuk u hap,

një gotë uji

që nuk iu afrua buzëve,

një mikrofon

që nuk mori frymë.


Ti rrije ende drejt.


Dosja nuk lëvizi.

Kapësja mbajti letrat bashkë.

Duart nuk kërkuan tryezën.


Më vonë,

kur salla nisi të zbrazet,

letrat u mblodhën

me po atë kujdes

me të cilin ishin vendosur.


Lista u palos.


Emri yt hyri brenda saj

pa u dëgjuar.


Gota e ujit mbeti e plotë.


Karrigia e rreshtit të dytë

e mbajti pak formën e trupit tënd,

pastaj edhe ajo

u kthye ngadalë

në dru të zakonshëm.


Ti dole me dosjen në dorë.


Jashtë, dita vazhdonte.


Një shitës uli qepenin.

Një fëmijë kërkoi diçka me zë.

Një grua kaloi rrugën

pa kthyer kokën nga ndërtesa.


Në dorën tënde,

dosja nuk ishte hapur.


Në mbrëmje,

dikush pastroi tryezën.


Mori gotat.

Mblodhi letrat.

Palosi listën.


Fiku dy mikrofonat

që kishin punuar.


I treti

nuk kishte nevojë të fikej.


Ai nuk ishte ndezur kurrë.


Mbeti mbi tryezë,

me kokën e zezë ulur.


Jo i prishur.


I palejuar.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page