Poezi: Çelësat në tokë!
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Në fillim nuk kishte qytet.
Kishte një fushë ku era nuk përplasej me asgjë,
një burim që rridhte për cilindo që përkulej
dhe një grua të moshuar
që ndante bukë për udhëtarët.
Copat i priste njëra pas tjetrës,
gjithnjë pak më të holla,
që buka të arrinte deri te dora e fundit,
ajo që ende nuk dukej në udhë.
Pranë burimit rrinte një fëmijë.
Një mëngjes gjeti një gur të lëmuar,
që i mbushte pëllëmbën.
E mori dhe pyeti:
- Me këtë do ta ndërtojmë qytetin?
Gruaja ia mori nga dora,
e lau ngadalë në ujë
dhe ia ktheu.
- Mbaje.
Fëmija priti fjalën tjetër.
Ajo nuk erdhi.
Nga udha mbërriti një punëtor
me çekanin të mbështjellë në një këmishë të vjetër.
Kur godiste, mbyllte syrin e majtë,
sikur muri mund t’ia kthente goditjen.
Pas tij erdhi një ushtar.
E la armën larg burimit
dhe u ul pranë ujit.
Kur hapi duart,
një gisht nuk iu hap.
Askush nuk e pyeti përse.
Punëtori ngriti një mur
që të mbante çatinë.
Ushtari i solli gurët,
një nga një.
Fëmija vendosi në themel
gurin që gruaja kishte larë.
Kur mbaroi çatia,
njerëzit fjetën poshtë saj.
Çatitë u shtuan.
Mes tyre u shkelën rrugë,
u ngrit një portë
dhe pranë saj një dhomë e ulët
ku ruheshin çelësat.
Fëmija u bë burrë.
Një mëngjes, qyteti
ia vuri çelësat në dorë.
Gruaja e uli pranë burimit
dhe preu bukën.
Të gjithëve u dha nga një copë.
Atij i dha më të voglën.
Burri pa bukën,
pastaj çelësat.
- Pse mua më pak?
Gruaja priti
derisa udhëtari i fundit të hante.
Pastaj tha:
- Tani.
Burri hëngri.
Pastaj erdhi dimri.
Gruri u pakësua.
Era goditi portën.
Nëpër shtëpi kaloi lajmi
se drejt qytetit po vinin njerëz të uritur.
Një burrë shkoi te muri
dhe nxori gurin e parë.
Një tjetër mbylli portën,
i mbajti çelësat
dhe, kur në shesh mbeti një bukë,
zgjati dorën i pari.
Askush nuk foli.
Burri me gurin ngriti krahun.
Nga ana tjetër e portës
erdhi një trokitje e hollë.
Një fëmijë godiste drurin
me një lugë të çarë.
Gruaja, tashmë e verbër,
erdhi deri te burimi.
Nuk preku as gurin, as çelësat.
Askujt nuk i tha ta hapte portën.
U ul pranë bukës
dhe filloi ta ndante.
Copën e parë
e bëri më të vogël se të dytën.
Të dytën,
më të vogël se të tretën.
Kur arriti te copa e fundit,
nuk e preu.
E shtyu drejt portës së mbyllur.
Luga trokiti sërish.
Burri me gurin uli krahun.
Dora mbi bukë u tërhoq.
Çelësat ranë në tokë.
Porta u hap.
Fëmija hyri
me lugën ende në dorë,
mori copën e fundit
dhe u ul pranë burimit.
Të nesërmen,
gurin e vunë sërish në mur.
Llaçi u tha,
por në njërën anë të gurit
mbeti një vijë e hollë.
Që prej asaj nate,
sa herë kalonin nga një dorë në tjetrën,
çelësat rrinin një çast në tokë,
pa i përkitur askujt.
Gruaja u plak
derisa një mëngjes nuk erdhi më.
Pranë burimit mbetën disa thërrime
dhe një gropë e cekët në dhe,
aty ku kishte ndenjur për vite.
Fëmija i dikurshëm, tashmë plak,
u ul atje.
Atë mëngjes,
çelësat rrinin në tokë.
Nga udha erdhi një djalë.
Plaku preu bukën
dhe i dha copën më të madhe.
Djali hëngri pranë ujit.
Mbetjen e bukës
e mbajti në njërën dorë.
Pastaj u ngrit
dhe shkoi te muri.
Kaloi gishtat mbi gurët.
Te guri i parë,
gishti iu ndal në vijën e hollë.
E shtyu.
Guri lëvizi.
Djali e nxori.
Pak pluhur llaçi
ra mbi bukën në dorën tjetër.
Nga porta e hapur hyri era
dhe kaloi mbi çelësat në tokë.
Plaku pa duart e djalit.
Nuk tha asgjë.
Arian Galdini
.png)



Comments