top of page

Poezi: E vërteta...

ree

Nga Arian Galdini


Jemi ne e vërteta që ecën,

Ajo që flet, hesht a lëngon.

Jemi ne e vërteta që fshihet,

Ajo që piskan e askush nuk e don.


E plogësht është hareja që ndjejmë,

I kotë është edhe kërkimi...

E vërteta as vjen e as ikën.

Ngjason porsi gjethe, e ne si vjeshtnimi.


Ajo jemi ne...

Ashtu të humbur a të rrejshëm, të qashtër a shtiranakë.

S’bën diell e as re,

Syve ua shkërrmoq vështrimin, e gojët shkrumb përflak.


Lindim të vërtetë, vdesim të vërtetë...

Por e vërteta rron me ne, e ne pa të.

Sepse e vërteta jemi ne, e dimë a se dimë vetë,

ama ne nuk jemi me të vërtetën, edhe kur ajo udhën na zë...


Kërkojme Planete me jetë,

E mohojme a shpërfillim Jetën në Tokë.

Dorëzohemi në ëndrra për Pushtet,

Duam çka skemi, e me gjithë çkemi bëjmë plotë.


A thua se shtëpinë do gjejmë tek Arratisja,

A thua se këtu ku jemi nuk dimë të qëndrojmë dot.

A thua se më shumë besojmë tek ikja se tek nisja..

A thua se me veten jetojmë të paplotë.


E duam tjetrin kur nuk ka emër,

e urrejtjes ia gjejmë emrin pa kohë e shkak.

Dimë kaq mirë të urrejmë me shpirt e zemër,

Kaq pak dashurojmē, si lundërtarë pa Itakë.


Këndojmë e aktrojmë pafund për dashurinë,

Kur jetën zhytur në urrejtje e çojmë.

Detet zemërojmë me zbrazëtinë,

Anijen vozisim, e nuk dimë ku shkojmē...


Nëse një emër ka nevojë për dashurinë tonë,

Circe bëhemi për shokët tanë.

Derra i bëjmë që tē mos udhëtojnë,

Aty ku E Vërteta dhe Uliksi u ndanë.


Ne jemi Uliksi pa Itakë,

Circe pa magji jemi gjithashtu

Mohimi i vetvetes deteve na flak,

Me padijen ulur jemi gju më gju.


Fund


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page