Poezi: Fari pas hartave!
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Në vitin kur hartat hynë në xhepat tanë
dhe deti u mbush me vija
që ndiqnin anijet përtej syrit,
erdhi urdhri për ta shuar farin.
Shkruhej se drita mbi shkëmb
i përkiste një kohe të kapërcyer.
Qielli jepte koordinata,
rrymat përllogariteshin,
stuhitë shfaqeshin në ekran
ndërsa mbi breg kishte ende diell,
dhe një pikë mund të ndiqej
edhe kur toka nuk dukej më.
Ti e lexove letrën deri në fund.
Nuk e grise.
Nuk e quajte gënjeshtër.
E palose dhe e vure në regjistër,
pranë hartave të reja
që kishe mësuar t’i lexoje pa mua.
Pastaj prite mbrëmjen,
fshive kripën nga xhami
dhe ndeze llambën.
Unë isha ende aq i ri
sa e ardhmja më dukej e vetmja gjë
që nuk duhej të jepte llogari.
Më vinte turp nga duart e tua,
nga era e vajit në rroba,
nga shkallët që ngjisje çdo natë
për anije që, sipas nesh,
nuk kishin më nevojë
për një dritë në breg.
- Për kë e ndez? të pyeta.
Këtu nuk vjen më askush.
Ti kontrollove fitilin,
shënove forcën e erës
dhe hodhe sytë nga horizonti.
Nuk më dhe përgjigje.
Poshtë nesh, dallgët rrihnin shkëmbin
ku prej shekujsh kishin kërkuar breg
ata që vinin me armë,
ata që vinin me mallra
dhe ata që, duke ikur,
kishin mundur të merrnin me vete
veç fëmijët.
Drita binte njësoj
mbi armën, mbi trastën,
mbi duart që mbanin një fëmijë.
Dikush kërkonte breg.
U largova në pranverë.
Mora librat, dy këmisha
dhe bindjen se po lija pas
gjithçka që nuk dinte të përtërihej.
Në qytet mësova
çfarë mund të bënin hartat.
Një sinjal i dobët
nxirrte një anije nga mjegulla.
Një pikë e humbur gjendej
atje ku syri yt
nuk do të arrinte kurrë.
Por në dhomat ku punonim,
luftërat kalonin pa erën e barutit,
uria pa zhurmën që bën trupi
kur nuk ka më çfarë të tresë,
dhe mbytjet pa na lagur këpucët.
Në fund të turnit
ia dorëzonim ekranin njëri-tjetrit.
Pikat vazhdonin të lëviznin.
Ne shkonim në shtëpi.
Ti shkruaje rrallë.
Nuk më këshilloje.
Nuk më kërkoje të kthehesha.
Më tregoje se pulëbardhat
kishin fluturuar ulët,
se kripa po hante vidat e dritares,
se motori i rrotullimit humbiste një rrahje
sa herë frynte nga deti i hapur.
Pas fjalës së fundit
mbetej gjithmonë
një anë e bardhë e letrës.
Asnjëherë nuk shkrove:
më mungon.
Asnjëherë:
eja.
Pastaj erdhi nata
kur qielli pushoi së foluri.
Stuhia rrëzoi shtyllat përgjatë bregut.
Sinjalet u fikën njëri pas tjetrit,
ekranet humbën pikat
dhe deti mbeti pa numrat
me të cilët ne besonim
se e kishim zbutur.
Në far, mekanizmi u këput.
Më thanë se e mbajte rrezen në lëvizje
me forcën e krahut,
derisa shpatulla nuk të bindej më.
Në çdo kthim të dritës
shfaqeshin për një çast
shkuma mbi shkëmbinj,
shiu i shtyrë anash nga era
dhe një varkë e ulët
që deti e sillte drejt gurëve.
Brenda saj ishin tetëmbëdhjetë njerëz.
Një burrë ngrinte mbi kokë
një këpucë fëmije,
sikur bregu të mund ta njihte
nga masa e një shpute.
Drita kaloi mbi ta,
u zhduk
dhe u kthye.
Varka gjeti çarjen mes shkëmbinjve.
Shtatëmbëdhjetë njerëz dolën në breg.
Vendi i tetëmbëdhjetë
mbeti duke u mbushur me shi.
Në krye të faqes,
si çdo mbrëmje,
kishe shkruar:
llamba u ndez.
Më poshtë:
02:16 - mekanizmi u ndal.
02:19 - rrotullimi vazhdoi me dorë.
03:08 - shtatëmbëdhjetë në breg.
03:11 - një mungon.
Nuk më shkrove për atë natë.
E mora vesh nga një njeri
që nuk e dinte se isha biri yt.
Antenat u ngritën përsëri.
Qielli ua dha sërish anijeve vendin e tyre.
Fari u hoq nga hartat zyrtare
dhe drita jote pushoi së numëruari
mes mjeteve të shpëtimit.
Kur u ktheva,
dera ishte e mbyllur.
Bari kishte hyrë
mes të çarave të shkallëve
dhe kripa kishte veshur dorezën
me një shtresë të bardhë.
Ti nuk ishe më atje.
Në dhomën e llambës gjeta
copën e leshtë të ngurtësuar nga kripa,
hartat e reja të palosura me kujdes
dhe regjistrin e hapur.
Nuk gjeta emrin tim.
Ktheva faqet.
Në netët me stuhi,
në netët me mjegull,
në verërat kur deti rrinte i sheshtë
dhe në muaj të tërë
kur asnjë anije nuk kishte kaluar,
ti kishe shkruar të njëjtën fjali:
llamba u ndez.
E lexova disa herë.
Kuptova pse nuk e kishe shuar farin.
Nuk kuptova pse nuk më kishe thirrur.
Jashtë, deti rrinte i errët.
Nuk kishte dritë anijeje,
as zë motori,
asnjë shenjë se nata
po sillte dikë drejt shkëmbinjve.
Në xham kishte mbetur
një vijë e hollë nga stuhia.
E fshiva kripën përreth.
Vija mbeti.
Hodha vaj në llambë,
ngrita fitilin
dhe ndeza shkrepësen.
Për një çast, fytyra ime u shfaq në xham
mbi detin ku kishe pritur ti.
Nuk ngjante me tënden.
Jashtë nuk erdhi askush.
E lashë fitilin të digjej.
Arian Galdini
.png)



Comments