Poezi: Fitorja që nuk e pa askush!
- Arian Galdini

- Jun 15, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Askush nuk më pa teksa i thosha vetes:
“Çohu…
edhe një herë.”
As vetë unë…
s’besoja ndonjëherë
se zemra mund të lëvizte
pa u dëgjuar nga asnjë tjetër.
Nuk kishte duartrokitje,
as fjalë inkurajuese.
Vetëm…
një mur gri,
dhe unë përballë tij,
si një lutje
që nuk pret përgjigje.
Gjithçka që bëra…
e bëra pa dëshmitarë.
Në një botë që peshon çfarë sheh,
unë mbijetova me çfarë ndjeva.
Dhe kjo…
s’vlen për botën.
Por bën njeriun.
E kjo…
nuk bën lajme.
As nuk shitet.
Por mban shpirtin
në këmbë.
Unë nuk jam ai që fitoi gjithçka.
Jam ai që nuk hoqi dorë,
edhe kur gjithçka dukej e humbur.
Nuk e munda botën.
Por…
s’e lashë të më shndërrojë në të.
Fitore…
e pazëshme…
s’vishet…
me lavdi.
Plagë…
të padukshme.
Buzëqeshje…
s’janë për sy.
Hapa…
s’kërkojnë…
rrugë.
Të vërtetët…
nuk bërtasin.
Ata përkulen,
mblidhen si gjethe në stuhi,
por…
nuk këputen.
Dhe kur stuhia ikën,
janë aty,
pa u vënë re.
Të njëjtët.
Të papërkulur.
Nëse një ditë më kërkon në libra,
s’do më gjesh.
Por në heshtjen e një njeriu që nuk u dorëzua,
në një kafshatë që u nda,
në një fjalë që nuk e tha kurrë me inat,
aty do jem.
Si Gjergj Elez Alia,
që mbajti plagën në trup,
dhe dinjitetin në heshtje.
Si Muji,
që s’u mburr për forcën,
por luftoi
pa thirrur askënd.
Si lisat e Tomorrit,
që nuk kërkojnë dritë,
por nuk pranojnë të bien.
Si Çika,
që mban qiellin…
pa u lëkundur.
Sepse ndonjëherë…
më shumë se të mundësh botën,
është
të mos lejosh botën
të të bëjë si ajo…
duke e dashur
atë që ajo s’e sheh.
Arian Galdini
.png)











Comments