Poezi: Froni dhe tryeza!
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Dhimbja hyri pa trokitur.
Pas saj erdhi një karrige e lartë,
e veshur me pëlhurë të errët,
me atë qetësi të rëndë
që kanë vendet
ku dëgjimi mbaron.
Nuk e solla unë.
E gjeta pranë gjykimit tim,
në një mëngjes të hollë,
me këmbët e futura thellë
në truallin e fshehtë
ku vendoset
nëse ajo që dhemb
do të mbetet dëshmi
apo do të kërkojë sundim.
Plaga rrinte pranë saj.
Pa britmë.
Pa lot.
Pa lutje.
Vetëm priste.
E dinte se lodhja,
po të zgjaste mjaft,
mund të vishej një ditë
si e drejtë.
Ajo nuk tha, ulu.
E la fronin aty
dhe priti që unë
ta quaja veten mbret.
E pashë.
Nuk më trembi.
Kishte vend për lodhjen time.
Kishte krahë.
Kishte heshtje.
Nuk të merrte me forcë.
Të linte të mendoje
se të takonte.
Në krahët e tij
rrinte një emër i lagur
nga gojë të huaja.
Ka një dhunë
që të paraprin.
Hyn në dhoma ku s’ke qenë,
ulet në ndenjëse ku s’je ulur,
flet me njerëz që ende s’të kanë parë,
dhe kur mbërrin,
mbërrin pas vetes.
Në prag
të pret një tjetër,
i bërë nga dyshimi,
nga fjalët e hedhura pa zot,
nga frika e atyre
që duan të të njohin
pa të dëgjuar.
Ai mban emrin tënd.
Ti duhet ta largosh nga dera
para se të hysh.
Kjo lodh më shumë
se guri i hedhur hapur.
Guri ka drejtim.
Fjala e shtrembër
ka mjegull.
Plaga la pranë dorës
disa fjalë të gatshme.
Përbuzje.
Shpagim.
Nder.
Mbrojtje.
Dukeshin të pastra.
Por kur i afrova te goja,
kishin shijen e atyre
që më kishin lënduar.
Rënia më e thellë
nuk ishte të mbetesha përdhe.
Ishte të ngrihesha
me fytyrën e asaj
që më rrëzoi.
Nuk kishte shesh.
Nuk kishte sy
që e donin tjetrin
ose të thyer,
ose fitimtar.
Vetëm ai vend i ulët
ku fjala ende rri në trup,
ku dora ende s’e ka zgjedhur
ditën e saj.
Dora ime mund të mbyllej.
Kishte mjaft
për t’u bërë grusht.
Kishte kujtesë në nyje,
lodhje në pëllëmbë,
emra që i dinte
pa i thënë.
Po të mbyllej,
nuk do të mbante më mua.
Mund edhe të ngrihej.
Jo për lutje.
Për dorëzim.
Po të ngrihej ashtu,
dita do të kalonte
pa më kërkuar më.
Prandaj mbeti pezull
mbi atë pak kohë
që i mbetet dorës
para se të bëhet grusht
ose punë.
Atë natë
e lashë fronin.
Le të rrinte bosh.
Plaga mund të mbante mend.
Vendin
nuk ia dhashë.
Le të rrinte në lëkurë,
si shenjë e vjetër.
Te gjykimi
nuk u ul.
Pastaj pashë tryezën.
Ishte e ulët.
Të linte poshtë,
në lartësinë e duarve.
Druri kishte njolla të vjetra,
një vijë të hollë pranë cepit,
pluhur aty ku dora nuk arrinte,
dhe një fletë
që nuk dinte
çfarë kishte ndodhur me mua.
U ula.
Jo për t’u shëruar.
Për të mos u prishur.
Mbi tryezë,
duart e mia nuk dukeshin heroike.
Dukeshin të lodhura.
Por fleta më priste përgjysmë.
Pluhuri rrinte në qoshe,
i qetë,
sikur puna
të mos dinte ende
çfarë kishte ndodhur.
Druri i vjetër
mbajti bërrylat e mi
pa më pyetur
çfarë më kishin bërë.
Nuk i dhashë plagës fronin.
I dhashë duarve tryezën.
Një tekst u kthye
pas një nate të rëndë.
Një fjalë e matur
kur nervi kërkonte pushtet.
Pastaj heshtje.
Pastaj dora mbi letër.
Pastaj tryeza.
Plaga mbeti në mua.
Jo mbi mua.
Froni mbeti bosh.
Duart gjetën tryezën.
Arian Galdini
.png)



Comments