top of page

Poezi: I drejti do të ecë

Updated: Oct 3

ree

Nga Arian Galdini


I drejti do të ecë...

Dielli zjarr oxhaku do të bëhet,

Hëna kandil deti për të ngucur hidhanakët.


I drejti do të ecë...

Njeriu do dalë nga zhgualli i dykëmbëshit pa shpirt e mendim.

Bota do të përthahet nga aknet gjigande të ligështisë e mohimit.


I drejti do të ecë...

Askush nuk do të dyshojë më tek fuqia e të dobëtit.

I pushtetshmi do të turpërohet nga panevoja e forcës së tij.


I drejti do të ecë...

Fëmija do të bëhet çliruesi i së nesërmes.

E sotmja e dhimbjes dhe paecurisë, do të rendë vrik si sorkadhe e shpresës.


I drejti do të ecë...

Nuk do të zgjidhet njëri ndër të shpërfillurit e panumërt.

Do të nisë me njërin ndër ta që shpresa të bëhet e pasosur për të gjithë ata.


I drejti do të ecë...

Që ne të ndjejmë rrahjet e zemrave tone të ndalura nga pashpresësia.

Që ne të çojmë dritë në mendjet tona të kllapitura nga mbijetojësia.


I drejti do të ecë...

Që ne të bëhemi më të mirë. Që vendi ynë të bëhet më i drejtë.

Që ne të gjejmë sytë e fshehur ndaj njëri-tjetrit, e udhën e mirë ta zbulojmë me vështrimet tona.


I drejti do të ecë...

Që të ecim ne, të gjithë ne...

Ne që kalbësinë e kemi bërë shtëpi, e zbrazëtinë atdhe.


I drejti do të ecë...

Që të ngrihemi ne...

Ne që barkas-shtrirë lëpijmë gjithçka mbi, e pështyjmë çdokënd nën ne.


I drejti do të ecë...

Që ne tokën ta prekim me këmbë, e qiellin me kokë.

E ajrin ta vibrojmë me zemrat që na rrahin tok.


I drejti do të ecë...

Sepse ne jemi në zgrip të kryengritjes për drejtësi.

Ngase vuajtja e të drejtëve është realiteti ynë.

Është makthi ynë, është dështimi ynë.


I drejti do të ecë.


Fund


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page