Poezi: Kripa e fshehtë!
- Arian Galdini

- May 14
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Gëzimi ka shumë të afërm.
Në ditët kur dukesh i plotë,
edhe të largëtit afrohen lehtë.
E njohin dritën e mirë,
emrin që hap udhë,
fytyrën që ende nuk kërkon durim.
Miku njihet më vonë.
Kur telefoni hesht
si një pus
që nuk e pranon më kovën.
Kur lajmi për ty
nuk zgjon më kureshtje.
Kur fjala jote del e thyer
dhe askush nuk ka më leverdi
ta mbajë me kujdes.
Atëherë,
nëse mbetet dikush,
mos e pyet pse.
Ai që shpjegon shumë
shpesh është ende duke matur
sa i kushton besnikëria.
Nuk vjen për të të ëmbëlsuar jetën.
Ëmbëlsia e tepërt
e prish gjakun.
Ai vjen si kripë e fshehtë,
nuk duket,
nuk kërkon falënderim,
nuk bën zhurmë në gojë,
por pa të
diçka brenda teje
nis të kalbet pa erë.
Ai nuk ta heq dhimbjen.
Vetëm rri aty ku ajo djeg,
pa e bërë zjarr për të tjerët.
Ka të drejtë
që të dëmton
kur të jepet vetëm për të të qetësuar.
Ka mëshirë që, nga frika,
të lë në gabimin tënd
si në një dhomë të ngrohtë
ku ajri është rënduar.
Ai të afrohet
me atë ashprësi të pastër
që nuk të poshtëron,
por nuk të lejon
ta kthesh lëndimin në leje.
Kur përpiqesh
ta bësh fajtor gjithë qiellin
për errësirën tënde,
ai nuk të kundërshton me britmë.
Vetëm nuk të ndjek
deri në fund të gënjeshtrës.
Kjo mjafton.
Një njeri që nuk të lë
të bëhesh armik i vetes
është më i rrallë
se shumë dashuri
që vijnë me fjalë të bukura.
Kam njohur miqësi
që u tretën nga një fitim i vogël,
nga një afrim me pushtetin,
nga një ftesë ku dikush duhej harruar
që dikush tjetër të ngjitej.
Ato nuk u prishën papritur.
Kishin kohë që ishin pa kripë.
Në fillim humbën shijen.
Pastaj humbën turpin.
Pastaj njerëzit vazhduan të flisnin
si të afërt,
por fjalët nuk ruanin më asgjë.
Kam njohur edhe një tjetër.
Nuk më shpëtoi.
Nuk më mbajti fjalim.
Nuk më tha se do të kalonte.
Disa gjëra nuk kalojnë,
vetëm mësojnë të jetojnë
pa na urdhëruar më.
Ai erdhi në një orë
kur unë isha bërë i vështirë
edhe për veten.
Nuk më ndreqi.
Nuk më pastroi.
Nuk më bëri më të mirë në çast.
Vetëm nuk iku
kur errësira ime
po kërkonte të bëhej banesa ime e fundit.
Ka prani që nuk ngushëllojnë.
Ruajnë.
Si kripa në mishin e hapur,
ato djegin pak,
por nuk e lënë
të marrë erën e dorëzimit.
Njëherë, edhe unë
nuk ditkam të jem mik.
E lashë dikë të priste
në një heshtje
që unë e quaja maturi.
Mendova se fjala e pathënë
do ta gjente vetë udhën,
se njeriu që të do
e kupton edhe mungesën tënde.
Por mungesa, shpesh,
është braktisje
që nuk pati guxim
të dilte me fytyrën e vet.
Ai nuk më qortoi.
Kjo ishte më e rëndë.
Ka njerëz
që të falin
pa të kthyer në të pafajshëm.
Nuk ta kërkojnë gjakun e vonuar.
Nuk ta përplasin gabimin në ballë.
Vetëm largohen pak,
dhe ti e kupton vonë
se nuk ke humbur një shok,
por kripën
që ruante te ti
atë pjesë që nuk dinte të ruhej vetë.
Ndjesitë ndërrojnë mot.
Ai nuk të zotëron,
nuk të zbukuron,
nuk kërkon vend të lartë në jetën tënde.
Të lë të kthehesh
pa u detyruar të dukesh i denjë.
Nuk të kërkon madhështi.
Të lejon të jesh i vogël
pa u bërë i ulët,
të qash
pa u kthyer në viktimë,
të humbësh
pa ia dorëzuar humbjes
gjuhën tënde.
Një njeri nuk iku.
Nuk iku kur ti ishe i rëndë.
Nuk iku kur forma jote ishte rrëzuar.
Nuk iku kur fjalia jote dilte keq,
kur fytyra nuk dinte çfarë të mbante,
kur krenaria të rrinte mbi trup
si rrobë e lagur.
Ai qëndroi
jo për të të zotëruar,
por që rënia jote
të mos merrte pushtet mbi ty.
Jo shfaqja.
Jo ëmbëlsia.
Jo shpëtimi i madh.
Vetëm ajo prani
që tretet para se ta shohësh,
djeg pak
kur duhet të djegë,
dhe lë pas
atë shije të ashpër
pa të cilën njeriu
nuk ruhet dot
nga vetja.
Arian Galdini
.png)



Comments