top of page

Poezi: Letra e vjetër e babait!



Nga Arian Galdini


Në fund të një sirtari

gjeta letrën e babait.


Nuk mbante erë lavdie.


Mbante erë letre,

pak bojë të zbehur,

pak vite të palosura,

dhe atë kursim të brendshëm

që kanë sendet

kur nuk duan të duken të shenjta,

por të sakta.


Babai shkruante pak.


Jo për të më mësuar botën.


Për një borxh

që e kishte kthyer

para se t’ia kujtonin.


Për një fqinj

të cilit, një dimër,

i kishte mbajtur shkallën

ndërsa burri rregullonte çatinë.


Për një fjalë

që i kishte kushtuar humbje,

por nuk e kishte tërhequr.


Për gjuhën,

ku kishte lënë emrat tanë

pa i lëmuar

për t’u dukur më të pranueshëm.


Pastaj,

me shkrim më të ngushtë,


Bir,

mos e ngri emrin tënd

mbi shpinën e askujt.


Gishti nuk lëvizi menjëherë.


Letra nuk kërkoi vitrinë.


Rrinte e hollë,

gati e thyeshme,

por në vijat e saj

babai ende nuk lejonte

që fjala të bëhej mall.


Nuk e ktheva më

në errësirën e sirtarit.


E lashë mbi raft,

pranë librave.


Një ditë,

Im bir do ta hapë pa e kërkuar.


Ndoshta nuk do ta kuptojë menjëherë.


Do të shohë shkrimin,

rreshtin e shkurtër,

firmën e babait.


Pastaj do ta palosë përsëri.


Jo siç e gjeti.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page