top of page

Poezi: Ora brenda murit!



(Dedikuar Babait tim të paharruar Pëllumb Saliaj, pas një vizite shpirtërore që më bëri mbrëmë në ëndërr..)



Nga Arian Galdini


Para se të të shihja,

dëgjova orën.


Punonte brenda murit.


Pastaj ishe ti,

në verandë,

me kafenë përpara

dhe buzëqeshjen tënde.


Ora numëronte.


Ti nuk e dije.


Unë po.


Ora numëronte.


Një rrokje m’u ngrit në grykë.


Po të dilte,

kafja do të mbetej po ajo,

veranda po ajo,

por ti do të bëheshe menjëherë

ai që mund të mbaja vetëm në kujtesë.


E mbajta frymën.


Ora numëronte.


U afrova,

të mora dorën

dhe e putha.


Goja që mund të ta jepte të vërtetën

u mbyll mbi gishtat e tu.


Pastaj ula kokën.


Lotët ranë mbi dorën tënde.


Ora numëronte.


Nuk mbeti mosha ime.


Ti nuk e tërhoqe dorën.


Unë nuk e ngrita kokën.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page