Poezi për babain tim: Ai s’më udhëhoqi, por u bë rrugë!
- Arian Galdini

- May 4
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Ti nuk erdhe si flakë
që lyp syrin e botës.
As si bubullimë
që e do malin
vetëm për t’ia kthyer vetes jehonën.
Erdhe si guri i vënë në themel,
që s’e kërkon vështrimin,
por mban mbi vete
atë që s’duhet të bjerë.
Nuk më ndërtove kështjella me fjalë.
Më dhe një strehë prej heshtjeje,
ku stuhitë nuk mungonin,
por gjenin përballë vetes
një qëndresë
që s’dinte të përkulej.
Që atëherë e mora vesh
se shtëpitë e vërteta
nuk i mbajnë muret,
por njeriu që pranon
të bëhet mur
pa ia përmendur kush emrin.
Ti nuk ishe shenjë.
As dorë që tregon drejtimin.
Ti ishe vetë rruga,
ajo që nuk kuptohet në hartë,
por vetëm në ecje,
kur shputa e birit
nis të marrë mbi vete
peshën që ka parë te ati
dhe mëson
se hapi nuk është lëvizje,
por përgjegjësi.
Kur desha të thyeja botën,
ti nuk më ndalove me frikën
e atij që ruan qetësinë e vet.
Rrije aty.
Mjaftueshëm afër
që të mos humbisja,
mjaftueshëm larg
që hapi të bëhej imi.
Sot e di
se kjo është një nga format më të rralla të dashurisë,
ta mbash tjetrin brenda ligjit
pa ia vjedhur lirinë.
Kur desha të bëhesha më shumë se isha,
nuk ma vrave etjen.
Nuk ma zbukurove as rënien.
Më pe me atë shikim
që i ngjan tokës kur pret gjethen,
nuk e lartëson,
nuk e përbuz,
vetëm e merr
në rendin e vet.
Dhe gjethja, duke rënë,
mëson më shumë për pemën
sesa po të mbetej
përgjithmonë e gjelbër.
Ti s’kishe altar.
Kishe përditshmëri.
S’kishe thikë.
Kishe durim.
Jo në çastin e madh
që botës i pëlqen ta quajë flijim,
por në ditët e zakonshme
kur njeriu heq nga vetja
që biri të mos rritet i thyer.
Jo me britmë.
Jo me meritë.
Po me atë barrë të heshtur
që mban një shtëpi në këmbë
edhe kur askush s’e pyet
kush po e mban.
Ti nuk më mësove bindjen.
Më mësove kufijtë e lirisë
duke ma lënë lirinë në dorë.
Dhe ky është mësim më i rëndë
se çdo urdhër.
Sepse urdhri e mban njeriun
të pastër nga jashtë,
liria
ia zbulon baltën e brendshme
dhe e detyron të zgjedhë
çfarë do të bëhet.
Kur qaja,
nuk ma turpëroje lotin.
As nuk ma ngrije në qiell të rremë.
Më lije ta kaloja dhembjen
nëpër trup,
derisa të mos ishte më ujë,
por kujtesë.
Ti nuk më le të bëhesha si ti.
Kjo ishte madhështia jote më e vështirë.
Njeriu i vogël
do pasqyrë.
Burri i vërtetë
pranon njeri.
Ti nuk deshe një kopje
që të të zgjaste emrin.
Deshe një bir
që të mos e shiste shpirtin për lehtësi.
Dhe gjithçka që jam sot
mban kripën e dorës sate,
jo si shenjë që duket,
por si ajo shije e domosdoshme
që, po të mungojë,
e bën jetën
të dalë pa ligj.
Më mësove drejtësinë
jo si fjalë,
por si qëndrim.
Jo si kostum,
por si shtyllë kurrizore.
Më mësove se nderi
nuk bërtet për veten.
I mjafton të mos përkulet
kur turma e quan përkuljen urti,
kur koha e quan dorëzimin pjekuri,
kur frika vishet si mençuri
dhe hyn në shtëpi
si këshillë e arsyeshme.
Ti nuk kishe nevojë të të shihnin.
Mjaftonte të shihje ti.
Je dritë,
por jo për sy.
Dritë për bukën që piqet.
Për shtëpinë që ngrohet.
Për paqen
që nuk vjen nga fjalët e bukura,
por nga barra e mbajtur drejt.
Kështu të njoha vonë.
Jo kur ishe aty
dhe dita të përdorte
si përdor dora
bukën, derën, çatinë, ujin,
gjërat pa të cilat s’jetohet
pikërisht sepse rrinë pa zë.
Të njoha kur mungesa jote
s’u bë zbrazëti,
por peshë.
Kur e mora vesh
se jo çdo ikje lë pas hije,
ka ikje
që zbresin më poshtë se kujtimi
dhe bëhen ligj i brendshëm.
Nëse një ditë duan të dinë kush isha,
mjafton buka në tryezë,
jo si fat,
por si pasojë e një shpirti
që s’e la barrën
të bëhej britmë.
Ti je ajo formë
që s’i ndahet njeriut
kur njeriu zgjedh
të mos e shesë veten.
Kur më duhet
ta mbaj emrin tim
pa e zbritur në pazar,
të gjej
në atë që më mban
të mos bie.
Arian Galdini
.png)



Comments