Poezi: Sikur të vdisja sot...
- Arian Galdini

- Aug 31
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Sikur sot të vdisja, nuk do t'ia jepja frymën frikës.
As jetën nuk do ta kujtoja në një sekondë.
Me veten do bëja përcjelljen e duhur...
Si të pija me të kafenë e zakontë...
Nuk e prita dot veten kur linda,
Në udhë mësova ta njoh e pranoj,
Gjithë jeta më shkoi si pjekje me veten,
Në ikje më takon që ta çliroj...
Frika nga vdekja, nuk është dashuri për jetën.
Mosnjohje e vetes është me siguri.
Në smundëm ta bëjmë tonën për aq kohe sa rrojtëm,
Nuk shkojnë dot bashkë me veten në t'njëjtën kuti...
Ajo do të shkojë përtej asaj çka dimë,
Me frikën tonë t'rruditshme, nuk ia ndalim dot shtegëtimin,
Vdekja, është fundi i kohës, kur me veten më nuk mund të rrimë..
Ne shkojmë drejt trejtjes, ajo ka udhë amëshimin...
Sikur sot të vdisja, pyetje nuk do të kisha as edhe një,
Me veten kam jetuar plot derte e kërleshje epike,
Ama as iu fsheha, as e shmanga kurrë sa mora frymë...
Me botën u përballëm, duke iu gëzuar çdo dekike..
Sikur sot të vdisja, do të buzëqeshja i paqtë,
Me veten jetova i pandarë, plot sakrifica e mundime,
E di që i dlirë dhe i ndershëm kam qenë thelbësisht,
Për çfarë isha nuk i kam as jetës as vdekjes, ankime...
Në jetë mësohesh me guximin.
Lirinë takon në çastin që vdes,
Kur në atbotë unë të bëj kalimin,
Sdo të kem as frikë e as shpresë...
Shpresa është për jo guximtarët,
Të lirët ushtrojnë veç besimin.
Frika është për idhujtarët...
Tek Krijuesi, unë e kam bërë dorëzimin.
Arian Galdini
——-
(Rruditshme - fjalë e re e krijuar prej meje nëpërmjet bashkimit të fjalëve rrudhur dhe çuditshme, për të shprehur njëkohësisht edhe çudinë edhe mpakjen, rrudhjen, strukjen...)
.png)











Comments