Poezi: Spirale që mbijeton
- Arian Galdini

- Aug 7, 2025
- 3 min read
Updated: Aug 8, 2025

Nga Arian Galdini
Koha të kap dorën dhe qesh si Zanë që end fijet e padukshme të shpirtit.
Të çon në kujtime herë të zhubrosura e lëngatuara
e herë të harlisura me sy të mbyllur,
të plandos tek portat në pritje të një trokitjeje,
ndërsa kuptimet digjen në brendi me furinë e zjarrit të brengave e dhimbjeve mësonjëse..
e vetiu lind drita…
Çdo hap është shndritje që rrjedh nga brenda,
si frymë që ledhatohet mbi gurin kur i mëson të marrë jetë.
Sizifi këndon çdo mëngjes, me botën mbi shpinë.
Ai qesh, dhe rruzulli dëgjon.
Nuk rrokullis më gurin drejt majës,
Por vetë tokën drejt qëllimit…
Mosdorëzimi e bën edhe dheun ta bujtë rrënjën e nderit me përkushtim prindi.
Mirësia është një dorë që të gjen edhe në ashtën e territ.
Është heroi i përditësisë në luftë të parreshtur me Kuçedrën e harresës,
mban botën me hare të heshtur,
dhe e ngre kupën e qiellit me krahun e dashurisë.
Toka nën plugun e mirësisë shndërrohet në Eden ku këndohet pa bëzarë.
Kur i miri bie, rënia e tij shndërrohet në përqafim Anteu me amën,
Ai ripërtërihet e nëna mban në gji më fort rrënjën,
Gëzimi i të mirit pas çdo rënieje e ringritjeje, e mëdysh e drithëron edhe shkëmbin,
heshtja e tij është si këngët e Orave kur mrizojnë nën hijen e lisave të moçëm.
Mirësia është vetë ndërgjegja që pëshpërit në shikimin e atij që fal.
Ajo është dorë që lëviz pa zë,
burim që zbret në duar të hapura,
urë që ndërtohet me lojën e një fëmije,
fjalë që mbijnë si bari pas reshjeve,
puthje që vjen pa thirrje,
si përqafim i nënës që flet me duar.
Fëmijët janë yje që vizatojnë shtigje të papara në botën tonë.
Nuk ndjekin.
Shohin me sytë e së ardhmes.
Qeshin dhe toka shkund pluhurin e harresës.
Dashuria jonë fryn si fllad që çel lule të padukshme,
si një melodi e embël që nuk i lë kurrë të zbrazëta bucelat e vullnetit.
Toka mban.
Gruri qëndron si dëshmi.
Uji gdhend kujtesën.
Drita flet me praninë e saj.
Aty ku gjithçka rrëzohet,
lulja bart ndriçimin që nuk fiket.
Fantazma e harresës shpërbëhet prej durimit,
që kurrë nuk ankohet e ngahera kreshpëron.
E ardhmja është një vajzë që galdon në errësirë.
Ngazëllimi i saj çel dyer të pashkelura.
Ajo na kumton si lahutë prej të panjohurës, me fije të padukshme, nga urtia e së shkuarës,
dhe pëshpërit:
“Fal. Ec. Krijo.”
Rruga e saj nuk ka gurë.
Çdo pengesë është kthyer në këngë.
Të jesh në këmbë edhe kur të kanë copëtuar, është të ndezësh një yll,
në shpirtin e kujtdo që ka harruar të vërtetën.
Të duash edhe kur të kanë shqyer, është të mbash botën me frymë.
Të falësh edhe kur të kanë mbuluar me gjak e me baltë,
është të rrish i hapur,
si derë që pret rrokjen e rregëtimës së parë të çdo mëngjesi.
E ta lejosh dashurinë të hyjë,
si një notë muzikore që mbart gjithësinë.
Fëmija që qesh në errësirë është vetë drita që harruam ta shpikim.
Në çdo lot të paqtë endet një yll që kërkon qiellin e vet.
Dashuria frymon në fjalët që s’i kemi thënë.
Syri që sheh për herë të parë,
është lindja e një universi të papagëzuar.
Këngët që s’i kënduam
janë urat që ende presin.
Zjarri që nuk e ndezëm,
rri në duart që presin një fëmijë
të hapë dritaren
nga brenda një bote që e kishim harruar.
Arian Galdini
.png)











Comments