Poezi: Ti që nuk u thirre kurrë!
- Arian Galdini

- Jul 3, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Asgjë s’erdhi.
Gjithçka që pritej,
e kishte rrëfyer veten pa folur.
Në thellësinë e tokës t’pashkelur nga këmbët,
rrihte një ritëm i padukshëm
si fryma e një bime që lind
nga fara e padukshme e qenies.
Ti nuk u thirre.
Nuk dole nga asgjëja.
As nga fjala.
As nga drita.
Ishe aty si gjumi në sytë e ujit,
si rrudha në duart e një kohe pa kujtesë.
Pa hije.
Pa zhurmë.
Pa emër.
Një lëkurë që s’kish nevojë të mbyllte asgjë.
Një lëvizje që e linte botën në vend.
Ti s’kishe hap.
Ti nuk matje distanca.
Vetvetja jote i zgjaste degët
në ajrin e pambajtur,
pa rrënjë, pa dhe,
pa cak ku ndaleshin erërat.
Në vendin që dikur do ta quanin fillim,
të rritej qetësia në mish.
Jo si pushim.
As si pushkatim i shqisave.
Po si peshë e një bote që jeton
nga rëndesa e atij që nuk do të dallohet.
Në çdo rrjedhë të pashkruar
ece si uji që nuk bën zhurmë,
si vërshim i heshtur në brendësi
që s’kërkon të derdhet, as të ndalet.
Në çdo kthesë, asgjë s’kërkonte shpjegim.
Trupi yt,
një enë që qëndron pa mbajtur asgjë.
Ti s’erdhe.
Ti nuk ike.
Rrije në vendin që s’të priste,
e prapëseprapë lëshonte dritë nga brenda teje,
si thelbi i një jete që s’njeh as lindje, as emër,
por është vetë kuptimi që ndjen trualli kur nuk shkelet.
Jo prani.
Jo mungesë.
Jo udhëtim.
Vetëqëndrim që frymën e kthen në fryt,
që lëkurën e bën pemë,
që pemën e bën drith.
Dhe drithi…
s’kërkon të mbillet.
Rri në ajër si tharmi i heshtjes
që rrit gjithçka
pa e pyetur
nëse duhej.
Arian Galdini
.png)











Comments