top of page

Poezi: Tinguj!



Nga Arian Galdini


Pa sy e shoh qiellin.


Jo prej dritës.

Jo prej mëshirës së natës.

Po prej asaj peshe

që bie mbi shpirt

kur njeriu, më në fund,

ulet

dhe vë veshin

mbi gjoksin e dheut.


Atje fillon gjithçka.


Jo si pamje.

Jo si ide.

Jo si madhështi e shpallur.

Po si ajo rrahje e thellë

që s’e kap veshi i nxituar,

as syri që kërkon të ngopet me shkëlqim,

por vetëm ai njeri

që ka ndenjur mjaft gjatë

nën barrën e botës

sa të kuptojë

se pesha, kur rri gjatë në ndërgjegje,

nis të bëhet tingull.


Prandaj e njoh pafundësinë

pa e parë.


Jo sepse s’ka fund,

por sepse ka tepëri kuptimi,

si uji nën gur

që s’shihet

dhe prapë e mban dheun gjallë.


Tokën e dëgjoj

me sy që nuk ngopen,


bukën,

kur çahet në tryezë

dhe e mban shtëpinë më fort

se ligjëratat e burrave,


emrin e nënës,

kur thuhet ulët,

jo pse është i vogël,

por pse është i shenjtë,


flamurin,

kur nuk lëviz për shfaqje,

po rri drejt

si plagë që nuk pranon turp,


pragun,

që mban peshën e hyrjes dhe të ikjes

pa kërkuar sy,


gjallesat

që s’bëzajnë dot

dhe prapë e mbajnë jetën

si provë të pastër të dhimbjes,


malet,

që nuk na mësojnë krenari,

por masë,


detin,

që nuk përgjigjet,

sepse ka pyetje më të vjetra se ne,


gurin,

që ka mësuar të mos bjerë

edhe kur zemrat kërkojnë të bien.


Ne endemi shpesh

si të fjetur në këmbë.


Njeriu i kohës sonë

ecën me ekran në dorë

si me një kandil të rremë.

Ia afron fytyrës

jo që të shohë më thellë,

por që të mos i duhet

ta shohë terrin e vet.

Ajo dritë e vogël

ia mbush syrin.

Jo zemrën.


Dhe unë prapë

e vë veshin mbi dhe.


Sepse dheu nuk duartroket.

Mban.


Mban eshtrat.

Mban farën.

Mban djersën e atit.

Mban lutjen e nënës.

Mban gjurmën e atij

që s’pranoi të bëhej më i vogël

se fjala që mbante.

Mban edhe turpin

e atij që u shit.


Dheu nuk ngatërron.

Ai nuk harron.


Kështu e dëgjoj historinë.


Jo si paradë emrash.

Jo si kalendar mbretërish.

Po si një rrahje të gjatë

nën gurët e një trualli

që s’u tret krejt

as nën hekur,

as nën frikë,

as nën gjumë.


Atje e dëgjoj shqiptarin.

Jo kur brohoret.

Kur mban.


Kur ndan bukën.

Kur s’e shkel pragun me baltë.

Kur e thotë emrin e nënës ulët.

Kur e lë flamurin të rrijë drejt

si plagë,

jo si reklamë.

Kur e kupton

se nderi s’është zhurmë,

por peshë

që mbahet pa dëshmitarë.


Ka heshtje që është varr.

Ka heshtje që është Zot.

Të dyja rrinë pa zë.


Ka një dëgjim

që nuk të lë të gënjesh.


Atje

qielli gjykon pa u dukur.

Mali mban në shpinë

atë që shekujt s’e rrëzuan.

Deti pyet

pa pritur përgjigje.


Dhe e di

se fundi i saj

nuk është atje ku mbaron bota,

por atje ku njeriu

më në fund

pranon të dëgjojë.


Atëherë bëhen të rrokshme

dheu,

buka,

plaga,

heshtja,

edhe ai tingull i fundit

që të tjerët e quajnë errësirë,


ndërsa poshtë saj

diçka pa emër

ka vënë veshin mbi ne.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page