Poezi: Tryeza që nuk shitet!
- Arian Galdini

- May 7
- 1 min read

Nga Arian Galdini
Sallat rrinin ndezur
me drita që s’ngrohnin njeri.
Ekranet kalonin mbi fytyra
si ujë i ftohtë mbi llamarinë.
Emrat bënin xhiron e natës,
zërat punën e tymit,
dhe qyteti, nga aq shumë zhurmë,
kishte nisur të mos përgjigjej më.
Atëherë ne zbritëm.
Jo te skena.
Te tryeza.
Te druri që njeh peshën e duarve
kur njeriu vendos
të mos e japë shpirtin për përdorim.
Pak.
Po pakica e vërtetë
ka më shumë natë në sy
se turma që fryhet me dritë.
Nuk na duhej duartrokitja.
Na duhej dora.
Ajo që vjen,
ulet,
dhe rri.
Ajo që nuk lyp zë për vete,
por mban zjarr
sa të marrë frymë tjetri.
Shpresa,
po mbeti në gojë,
kalbet.
Buka doli në tryezë.
Jo si stoli.
Si barrë
që s’u bë britmë.
Duart
nuk duartrokasin më.
Mbajnë.
Arian Galdini
.png)



Comments