top of page

Politika që nuk zotëron, por shërben: E Djathta e ardhshme lind nga të vegjlit!


Nga Arian Galdini


Kur Perëndimi e ndërtoi rendin pas Luftës së Dytë Botërore, e bazoi atë mbi idenë se politika është një shërbim për dinjitetin e njeriut.


Por sot, në mes të luftës në Ukrainë, përplasjes Iran–Izrael dhe kaosit në Gaza, gjithnjë e më shumë duket se politika është kthyer në një lojë për dominim, jo për shërbim.


Dhe është e qartë, kur politika harron njeriun, njeriu harron të besojë në politikë.


Në Perëndim, e djathta ka hyrë në një krizë identiteti.


Nga njëra anë, ka rënë pre e korporatave që matin çdo vlerë me fitim.


Nga ana tjetër, është marrë peng nga radikalizmi që flet për komb, por ushqehet me përjashtim dhe urrejtje.

Por ka edhe një rrugë tjetër.


Një rrugë që nuk lind nga qendrat e mëdha, por nga skajet e heshtura.

Nga vende që kanë mësuar të mbijetojnë pa pushtuar.


Të ruhen pa dhunuar.


Të jetojnë me pak, por me dinjitet.


Një rrugë që mund të quhet e djathta humane, që nuk sheh forcën si qëllim, por si përgjegjësi.


Shqipëria, Kosova, dhe Ballkani kanë përjetuar gjithçka që një komb i vogël mund të durojë.


Ne nuk kemi trashëgimi kolonialiste.


Nuk kemi nevojë për t’u çliruar nga ndonjë kompleks perandorak.


Ne kemi vetëm një aspiratë, të jemi të lirë, të rrënjosur dhe të ndershëm.


Kjo e djathtë nuk ngrihet mbi frikë, por mbi vlera.


Ajo e pranon Zotin, por nuk dhunon të ndryshmin.


Mbron familjen, por nuk e shndërron në mur. Beson në komunitet, por nuk urren të panjohurin.

Do rend, por jo shtypje.


Do liri, por jo egoizëm.


Kjo është e djathta që mund të propozojmë ne, e djathta që shërben.


Në një botë që është lodhur nga urrejtja dhe nga pafytyrësia, nga polarizimi dhe nga relativizmi, kjo e djathtë është etike, e heshtur, e duruar, por edhe e guximshme.


Ajo nuk bërtet në sheshe, por nuk hesht kur njeriu cenohet.


Ne besojmë se kombet e vogla, si yjet më të largët, ndriçojnë më thellë në errësirë.


Dhe nëse nuk mund të ndryshojmë rendin e botës me fuqi, mund ta ndikojmë me frymë. Me shembull. Me qëndrim.


Të jesh i djathtë sot do të thotë të marrësh përsipër barrën e historisë pa mall për pushtet.


Do të thotë të jesh i fortë jo për të shtypur, por për të mbrojtur.


Të jesh konservator jo për të mbajtur gjërat ashtu si janë, por për të ruajtur atë që është i shenjtë në kohë që po shkërmoqen.


Unë besoj se nga Shqipëria mund të vijë një thirrje e re për botën, një konservatorizëm i pastër, i pandikuar nga trauma të mëdha koloniale apo rrënjë raciste.


Një konservatorizëm që nuk shet shpirtin për aleancë, por as nuk e mohon mikun për populizëm.


Në këtë botë, e djathta e re nuk do të vijë me flamuj. Do të vijë me ndërgjegje.

Jo për të zotëruar. Por për të shërbyer.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page