top of page

“Private” nuk mjafton!



Nga Arian Galdini


Kur një qeveri thotë se një tokë është pronë private, ajo nuk e ka mbyllur pyetjen, në Shqipëri, sidomos në bregdet, shpesh sapo e ka hapur.


Prona private është një nga themelet e lirisë. Ajo mbron njeriun nga arbitrariteti i shtetit, nga turma që do të vendosë mbi gjithçka, nga partia që kërkon t’i japë vetes të drejtë mbi jetën e të tjerëve, nga zyra që e kthen qytetarin në lutës, nga pushteti që do ta trajtojë jetën si pronë të vet.


Një vend që nuk mbron pronën nuk mbron njeriun.


Por pikërisht sepse prona private është kaq e rëndësishme, ajo nuk mund të përdoret si fjalë mbyllëse mbi një histori që publiku nuk e njeh.


Në një vend me plagë të gjata pronësie, me kthime të vonuara, me mbivendosje, me vendime që kanë ndryshuar fatin e familjeve, me zona të mbrojtura që zbuten, me harta që publiku i sheh vonë dhe me leje që jepen shpejt e zbardhen ngadalë, fjala “private” nuk është gjithmonë dëshmi qetësie.


Ajo është fillimi i provës.


Nuk mjafton të thuhet se diçka është private, duhet të shihet si u bë e tillë, kur u bë, nga kush u mor, kujt iu kalua, me çfarë vendimi, pas cilit ndryshim statusi, përmes cilit zinxhir shoqërish, pas cilës heshtje publike dhe mbi cilën procedurë që qytetari nuk e ka parë.


Këtu fillon çështja më e thellë e Zvërnecit. Nuk mjafton të pyesim kush po ndërton.


Duhet të pyesim kush e bëri ndërtimin të mundur.


Nuk mjafton të na thuhet se toka është private.


Duhet të dimë si u krijua kjo pronësi, si u mbajt, si u transferua, si u lidh me projektin dhe çfarë ndryshoi shteti përpara se publiku të njihte të vërtetën.


Një qeveri nuk ka nevojë të jetë pronare e një projekti për të mbajtur përgjegjësi politike për të, mjafton të ketë ndërtuar rrugën.


Mjafton të ketë ndryshuar rregullat, statusin, kufijtë, lehtësitë, gjuhën dhe ritmin publik në mënyrë që projekti të hyjë më shpejt se qytetari, më shpejt se dokumenti, më shpejt se mjedisi dhe më shpejt se e drejta.


Kjo nuk është akuzë pronësie personale.


Është akuzë shtetformuese.


Në këtë model, shteti nuk fal gjithmonë tokën.


Ndonjëherë fal rregullin.


Dhe kur shteti fal rregullin, toka e humb mbrojtjen përpara se publiku ta kuptojë se çfarë ka ndodhur.


Në rastin e zonës Pishë Poro–Nartë, faktet publike kërkojnë vëmendje të ftohtë.


Raportimet kanë treguar se kompania “Zvërnec South Adriatic Development” mori leje zhvillimi për një projekt turistik masiv në vitin 2025, ndërsa lejet nuk ishin zbardhur në kohën e raportimit; po ashtu, çështja është lidhur me debat mbi pronësinë, ndikimin mjedisor dhe ndryshimet e rregullave për zonat e mbrojtura.


Organizata mjedisore dhe aktorë publikë kanë ngritur shqetësime për Pishë Poro - Nartën dhe për efektin e Ligjit 21/2024 mbi zonat e mbrojtura.


Në të njëjtën kohë, kompania ka deklaruar publikisht se trualli është pronë private dhe se investimi do të jetë i madh.


Pikërisht këtu lind detyrimi i shtetit, të mos kërkojë besim, por të japë prova.


Rendi publik nuk mbahet me deklarata. Mbahet me dokumente.


Nëse statusi i zonës është ndryshuar, publiku ka të drejtë të dijë pse.


Nëse mbrojtja është zbutur, publiku ka të drejtë të dijë me cilin arsyetim shkencor dhe publik.


Nëse ligji ka hapur rrugë për turizëm në zona të ndjeshme, publiku ka të drejtë të dijë pse interesi i investimit u bë më i shpejtë se kujdesi ndaj vendit.


Nëse një kompani me zinxhir shoqërish të huaja dhe përfitues fundorë që kërkojnë zbardhje merr leje për një projekt masiv në territor me vlerë kombëtare e mjedisore, publiku nuk ka nevojë për qetësim.


Ka nevojë për hartë, pronësi, leje, vlerësim mjedisor dhe zinxhir të plotë përgjegjësie.


Kapitali i huaj nuk është problem.


Kapitali i paqartë mbi territor të ndjeshëm është problem i Republikës.


Një shtet serioz nuk e trajton transparencën si sulm ndaj investimit.


E trajton si kusht që investimi të mos bëhet burim mosbesimi.


Një investitor serioz nuk hyn në një vend me më shumë avokatë se dritë, hyn me dokumente që e bëjnë të panevojshëm dyshimin.


Në Shqipëri, fjala “strategjik” po rrezikon të bëhet emri elegant i privilegjit.


Një investim mund të jetë i madh, por madhësia nuk e shenjtëron.


Mund të sjellë punë, por punësimi nuk e pastron errësirën e pronës.


Mund të sjellë turizëm, por turizmi nuk e anulon mjedisin.


Mund të ketë emra ndërkombëtarë, por emri nuk e zëvendëson procedurën.


Mund të premtojë të ardhme, por e ardhmja që kërkon të kalojë mbi pyetjen publike nuk është ende zhvillim.


Është përparësi e maskuar si zhvillim.


Një zonë e mbrojtur nuk është rezervë trualli për ëndrrën turistike të qeverisë.


Është kufi publik ndaj oreksit privat.


Aty ku shteti e ndryshon këtë kufi, duhet të japë shpjegim më të madh, jo më të vogël.


Aty ku ligji hap rrugë për ndërhyrje në hapësira të ndjeshme, shteti duhet të jetë më i kujdesshëm, jo më i paduruar.


Aty ku bregdeti, laguna, pylli, rruga, uji, aksesi dhe kujtesa e vendit hyjnë në gjuhën e projektit, qeveria nuk mund të përgjigjet vetëm me pronësi private.


Prona ka pronar, por vendi ka kujdestari.


Një bregdet mund të ndahet në parcela, por nuk mund të ndahet plotësisht nga interesi publik.


Një truall mund të ketë certifikatë, por një peizazh nuk është kurrë vetëm certifikatë.


Një investitor mund të ketë kontratë, por kontrata nuk e shuan detyrimin e shtetit për të mbrojtur natyrën, aksesin, kujtesën dhe besimin publik.


Këtu Rama mban përgjegjësinë e tij më të madhe, jo sepse duhet shpallur pronar i projektit pa provë, por sepse është përgjegjës politik për arkitekturën që e bëri projektin të mundshëm.


Ai ka qeverinë.


Ka ligjin. Ka KKT-në.


Ka gjuhën publike.


Ka pushtetin për të ndryshuar statusin, për të hapur leje, për të mbrojtur një model, për të thënë “private” kur publiku kërkon të dijë më shumë.


Rama nuk duhet pyetur vetëm çfarë po ndërtohet.


Duhet pyetur çfarë rregulli u ndryshua, çfarë kufiri u zhvendos, çfarë dokumenti nuk u zbardh, çfarë të drejte u hesht dhe çfarë qytetari u la në fund që ndërtimi të bëhej i mundur.


Ky është modeli, zhvillimi si pamje, shteti si përshpejtues, qytetari si vonesë, mjedisi si detaj, prona si fjalë mbyllëse, investitori si e ardhme e shpallur përpara se publiku të shohë të vërtetën.


Territori, për këtë model, nuk është vend i jetuar.


Është skenë ku vendoset pamja e pushtetit.


Pamja e projektit zëvendëson hartën.


Fotografia ndërkombëtare zëvendëson dëgjesën.


Fjala “ekselencë” zëvendëson kufirin.


Fjala “strategjik” zëvendëson konkurrencën.


Fjala “private” zëvendëson hetimin.


Dhe kur qytetari kërkon të shohë, i thuhet se zhvillimi nuk duhet penguar.


Por qytetari nuk po kërkon të ndalojë zhvillimin. Po kërkon të mos përjashtohet nga e vërteta.


Në Zvërnec, e vërteta nuk është vetëm te gardhi.


Gardhi është pasoja.


E vërteta është te letra që e bëri gardhin të ndihej i mundur.


Aty duhet të hyjë drita, te prona, te harta, te zinxhiri, te përfituesi fundor, te leja, te vlerësimi mjedisor, te vendimi që ndryshoi mbrojtjen, te arsyeja pse një territor me vlerë publike hyn në gjuhën e një projekti privat.


Dhe kur kjo e vërtetë vonohet deri në çastin kur qytetari përballet me forcë private, çështja hyn në shkallën më të rëndë.


Prona private nuk është shtet privat.


Asnjë investitor, sado i madh, sado ndërkombëtar, sado i mbuluar me premtime pune, nuk mund të ketë forcë private që duket më e shpejtë se ligji publik.


Kur qytetari kërkon dosjen dhe merr spraj, nuk kemi më vetëm debat prone.


Kemi krizë shteti.


Kemi pyetjen nëse Republika është ende zot i forcës së vet morale.


Kjo nuk është gjuhë kundër investimit.


Është gjuhë pro Republikës.


Prona private duhet mbrojtur.


Investimi duhet mirëpritur.


Kapitali serioz duhet të hyjë.


Por të gjitha këto duhet të kalojnë nga e njëjta derë, ligji i hapur, dokumenti i parë, prona e pastër, mjedisi i verifikuar, shteti i paanshëm dhe qytetari i dëgjuar.


Nëse protesta shkel ligjin, protestuesi përgjigjet, nëse siguria private tejkalon kufirin, ajo përgjigjet, nëse policia gabon, policia përgjigjet, nëse qeveria ka ndryshuar rregullat për ta bërë projektin të mundur, qeveria përgjigjet.


Nëse prona është e pastër, ajo provohet. Nëse nuk është, fjala “private” nuk mjafton.


Ky është rendi i një Republike, jo kush bërtet më shumë, jo kush ka më shumë para, jo kush ka më shumë roje, jo kush ka më shumë lidhje, jo kush e quan veten strategjik, por kush e provon të drejtën e vet përpara ligjit dhe publikut.


Edhe opozita që zgjohet vetëm kur makina është në terren dhe kamera është ndezur nuk është e pafajshme.


Ligjet, vendimet qeveritare, ndryshimet e hartave, ulja e mbrojtjes, arkitektura e investimeve strategjike, lejet, kompanitë dhe gardhet nuk lindin brenda natës.


Një opozitë serioze nuk pret sprajin për të kuptuar se shteti ka filluar ta humbë kufirin.


Një qeveri serioze nuk pret videon për të kujtuar se qytetari ka trup, dinjitet dhe të drejtë për shpjegim.


Në këtë pikë kërkesa është e thjeshtë, por nuk është teknike, është rend Republike.


Shteti duhet të hapë hartën e pronësisë, zinxhirin e kalimit të pronave, përfituesit fundorë, arsyetimin e ndryshimit të mbrojtjes, lejet, vlerësimin mjedisor dhe çdo dokument që e kthen këtë projekt privat në çështje publike.


Nëse çdo gjë është e pastër, asnjëra nga këto nuk e dëmton projektin, nëse nuk hapen, atëherë problemi nuk është më dyshimi i qytetarit, por frika e shtetit nga prova.


Punimet duhet të pezullohen derisa dosja të jetë e plotë në sytë e publikut, dhe çdo përdorim force, çdo gabim policor, çdo rol i sigurisë private duhet të hetohet me seriozitet, jo me gjuhë qetësuese.


Këto nuk janë kërkesa kundër zhvillimit.


Janë kushtet që zhvillimi të mos kthehet në pushtet mbi vendin.


Në Zvërnec nuk po kërkohet që Shqipëria të mos zhvillohet, po kërkohet që Shqipëria të mos zhvillohet duke mos njohur më veten.


Nuk po kërkohet të ndalet kapitali, po kërkohet që kapitali të hyjë me dritë.


Nuk po kërkohet të mohohet prona private, po kërkohet që historia e saj të jetë e dukshme.


Nuk po kërkohet të shkatërrohet turizmi, po kërkohet që turizmi të mos ngrihet mbi një vend që nuk pyetet më për të vërtetën e vet.


Toka mund të jetë private, por e vërteta për tokën është publike.


Investimi mund të jetë i madh, por Republika është më e madhe.


Dhe kur qytetari kërkon të shohë dosjen, shteti nuk ka të drejtë t’i tregojë gardhin, dorën private dhe sprajin.


Ka detyrë t’i tregojë të vërtetën.


Sepse një vend nuk humbet vetëm kur toka i merret.


Humbet edhe kur e vërteta mbi tokën vjen pasi gardhi, leja, paraja dhe forca kanë zënë vendin ku duhej të qëndronte ligji.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page