Qeveria në Nepal
- Arian Galdini

- Sep 17
- 1 min read

Në Nepal, qeveria e përkohshme u formua në klimën e një revolte rinore që u koordinua përmes Discord-it, një platformë digjitale e njohur më shumë për biseda lojërash sesa për dialog publik.
Vendimmarrja për udhëheqjen kalimtare u shty nga një proces masiv online, me pjesëmarrje të pakontrolluar, me votime të pa verifikuara dhe me ndikim të paqartë institucional.
Ky eksperiment ngjan në pamje të parë si një ringjallje e demokracisë nga poshtë, por në thelb mbart të gjitha simptomat e një iluzioni digjital që shmang bazat reale të legjitimitetit demokratik, verifikimin e votës, barazinë e aksesit, përgjegjësinë institucionale dhe mbikëqyrjen ligjore.
Kur protestuesit anonimë zëvendësojnë institucione të zgjedhura, lind një formë e re pasigurie, kush flet në emër të kujt, dhe kush mban përgjegjësi për çfarë?
Discord-i, i përdorur më parë si mjet komunikimi mes komuniteteve të lojtarëve, ka qenë objekt kritikash ndërkombëtare edhe për tolerimin e serverëve me përmbajtje të rrezikshme, përfshirë raste të dokumentuara abuzimesh, manipulimi narrativash dhe mungesë kontrolli mbi përmbajtjet e paligjshme.
Kur një komb e zhvendos debatin kushtetues në një platformë që nuk garanton as ligjshmëri, as siguri, as barazi qytetare, demokracia nuk rilind, ajo maskohet, tjetërsohet, shuhet.
Në Lëvizjen Rinisje nuk e shohim teknologjinë si rrezik, por as si mrekulli.
Ajo është mjet, jo burim i së drejtës.
Demokracia është marrëdhënie përfaqësimi me përgjegjësi dhe drejtësi.
Kur platforma private merr rolin e parlamentit, atëherë qytetari nuk ngrihet, zhduket.
.png)










Comments