Rama ikën!
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 4 min read
21 gushti dhe shumica që nuk i trembet fundit të vetë…
Nga Arian Galdini
Çdo qeverisje e ruan me kujdes tregimin e ardhjes së vetë, padrejtësinë që premtoi të ndreqte, krizën që mori përsipër, shpresën që e bëri të besueshme, por shumë më rrallë përgatit gjuhën e tërheqjes.
Kur arsyeja e nisjes përdoret si leje për të zgjatur praninë, misioni bashkohet me biografinë e drejtuesit dhe një detyrë e përkohshme fillon të sillet si e drejtë e fituar përgjithmonë.
Republika provohet edhe nga aftësia për ta ndalur këtë shndërrim, ajo e zëvendëson një kabinet pa dëmtuar shtetin, e njeh një arritje pa ia falur askujt të ardhmen dhe e ruan drejtimin kombëtar përtej jetëgjatësisë së një njeriu, sepse merita kërkon mirënjohje dhe nuk i jep askujt të drejtë mbi epokën.
Në mandatin e katërt radhazi, pas tri mandatesh të plota, Edi Rama nuk mund të paraqitet si reformatori që mbërrin nga jashtë gjendjes së vendit.
Ai ka qenë ndër formësuesit kryesorë të kulturës së vendimmarrjes, marrëdhënies mes partisë dhe administratës, përqendrimit të autoritetit dhe zakonit për ta drejtuar çdo zgjidhje sërish te kryeministri.
Qeveria ka detyrimin të përmirësojë atë që ka krijuar ose ka lejuar, qytetarët ruajnë të drejtën ta zëvendësojnë.
Thirrja “Rama ikën” mbron alternimin si virtyt të Republikës, sepse edhe një kabinet me rezultate, përvojë dhe mbështetje ndërkombëtare mbetet bartës i përkohshëm i mandatit, suksesi s’mund të bëhet argument kundër demokracisë, ndërsa vështirësia nuk është leje për zgjatje pa cak.
Alternimi e çliron arritjen nga tundimi për t’u kthyer në titull të përhershëm dhe i kujton kujtdo që drejton se Shqipëria jeton më gjatë se qeveria e saj.
Më 21 gusht propozoj një marrëveshje të kufizuar ndërmjet njerëzish që duan të mbeten të ndryshëm.
Socialisti ruan bindjen e vetë, demokrati nuk ia dorëzon ndërgjegjen një figure tjetër, qytetari që nuk i përket asnjë partie qëndron jashtë rreshtave të selive.
Afrimi u shërben disa kushteve të përbashkëta, çlirimit të garës, mbrojtjes së votës dhe rikthimit të paanshmërisë së shtetit, kurse zgjedhja e qeverisë pasuese u mbetet qytetarëve.
Shumica që nuk ka pronar është një aleancë me detyrë të përcaktuar, jo një identitet i ri.
Sapo kushtet e pluralizmit të jenë rikthyer, pjesëmarrësit kthehen te bindjet e veta, pa borxh besnikërie ndaj nismëtarit dhe pa detyrim për të votuar njësoj.
Emrin republikan e meriton vetëm një bashkim që e pranon ditën e mbarimit po aq të ligjshme sa ditën e lindjes.
Politika shqiptare ka ditur të ndërtojë kampe, besnikëri të gjata dhe drejtues që mbijetojnë arsyen e ngritjes së tyre.
Rrallë ka krijuar autoritet që e njeh tërheqjen si pjesë të ligjshmërisë së veté.
Fitorja është trajtuar si titull, mbështetja si leje për epërsi të pakufizuar dhe pjesëmarrja si trashëgimi mbi rezultatin, qytetarit, ndërkaq, i është kërkuar të zgjedhë kujt do t’ia besojë qeverisjen, pa qenë i sigurt se do të mund t’ia marrë sërish.
Më 21 gusht do të dal përpara për të kërkuar largimin demokratik të Edi Ramës, për të marrë përsipër nisjen e kësaj përpjekjeje dhe për ta mbrojtur qëllimin e saj nga pazaret, duke pranuar njëkohësisht se qytetarët që më japin besim mund të më korrigjojnë, ta vazhdojnë nismën pa mua ose të ma tërheqin mandatin.
Vdekshmëria politike e rolit duhet pranuar përpara marrjes së përgjegjësisë, pa këtë kusht, thirrja kundër pazëvendësueshmërisë do ta mbante brenda vetes vesin që shpall se do të mposhtë.
Pastërtia e kësaj marrëveshjeje do të duket tek ajo që secili refuzon të marrë si shpërblim.
Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë peshë reale në opozitë, ndaj një përpjekje e gjerë duhet t’i përfshijë pa pranuar që pesha e tyre të paracaktojë rezultatin, i njëjti kufi vlen për partitë e reja, për LRE Rinisjen dhe për nismëtarin.
Qytetari socialist, ndërkaq, ruan të drejtën ta kundërshtojë nismën, ta votojë përsëri Partinë Socialiste dhe të mbetet i mbrojtur në punën, pronën, shërbimet e dinjitetin e vetë, sepse fitorja që kërkon bindje në këmbim të sigurisë ka ndryshuar vetëm emrin e varësisë.
Orientimi euroatlantik bëhet vërtet shtetëror vetëm kur vazhdon përtej kabinetit që e përfaqëson dhe e çon përpara.
Po kështu, një nismë që prodhon frikë, poshtërim ose dhunë cenon të ardhmen që pretendon të ndërtojë.
Mjetet duhet ta dëshmojnë natyrën e synimit, po e përgënjeshtruan, kauza humbet të drejtën morale për të folur në emër të tij.
Shoqëria mund ta tërheqë pëlqimin politik mbi të cilin mbështetet një qeveri, pasojën juridike e japin institucionet.
Sheshi nuk e zëvendëson Kuvendin, nuk shmang procedurën kushtetuese dhe nuk ia merr votës fjalën përfundimtare, por një vullnet i gjerë e i qëndrueshëm mund t’ia heqë qeverisë privilegjin për ta paraqitur veten si të vetmen garanci të normalitetit.
Kur mbështetja nuk merret më si e sigurt, përfaqësuesit fillojnë ta peshojnë koston e bindjes dhe zgjedhjet kthehen nga kërcënim në rrugëdalje.
Më 21 gusht synimi është të mos shpallet zotëruesi i ri i së ardhmes, por të provohet nëse shqiptarët mund t’i japin autoritet një përpjekjeje pa i dorëzuar ndërgjegjen, votën e ardhshme dhe të drejtën për t’ia tërhequr besimin.
Forcat e mëdha do të maten nga gatishmëria për të marrë pjesë pa e kthyer peshën e tyre në urdhër mbi të gjithë, ai që humbet duhet të mbetet qytetar i plotë, ndërsa nismëtari ta njohë qysh në fillim kohën kur prania e tij nuk do të jetë më e nevojshme.
Një shumicë e tillë nuk synon ta përthithë kombin, të ngrihet në parti të re ose të zgjasë si regjim.
Ajo kryen punën e përbashkët dhe ua kthen njerëzve lirinë për të qenë të ndryshëm.
Kur përgjegjësia e saj të jetë përmbushur, socialisti, demokrati, qytetari pa parti, mbështetësi im dhe kundërshtari i secilit prej tyre duhet të jenë të lirë të debatojnë, të votojnë kundër njëri-tjetrit dhe, po të jetë nevoja, të largojnë edhe njeriun që sot i thirri.
Të nesërmen, ata që u afruan do të jenë sërish të lirë të ndahen, vetëm atëherë do të dihet se ajo përpjekje nuk kishte pronar.
Arian Galdini
.png)



Comments