top of page

Republika fillon atje ku mbaron nevoja për mik…


Nga Arian Galdini


Në Shqipëri kemi mësuar të pyesim shumë shpejt, kë njeh?


E pyesim kur kërkojmë punë.

Kur na duhet një dokument.

Kur një zyrë nuk përgjigjet.

Kur një e drejtë ngec në korridor. Kur na trokasin papritmas halle shëndetësore e na duhet të përplasemi në dyert e Spitaleve..

Kur hapim një sipërmarrje dhe zbulojmë se ligji është i njëjtë për të gjithë në letër, por rruga drejt tij nuk është njësoj e shkurtër për secilin.


Kjo pyetje duket e vogël.


Në të vërtetë, brenda saj mund të fshihet një filozofi e tërë e shtetit.


Sepse qytetari që detyrohet të njohë dikë për të marrë atë që i takon, nuk ka marrë vetëm një shërbim më të keq.


I është mësuar diçka më e rëndë, se ndërmjet tij dhe së drejtës qëndron një njeri.


Dhe njeriu ndërmjetës, herët a vonë, kërkon një çmim.


Ndonjëherë para.


Ndonjëherë votë.


Ndonjëherë bindje.


Ndonjëherë vetëm mirënjohjen e gjatë që e bën qytetarin të ulë kokën kur duhet ta ngrinte.


Kështu klientelizmi nuk mbetet teknikë elektorale.


Bëhet edukim shoqëror.


Na mëson të kërkojmë mbrojtës përpara se të kërkojmë ligjin.


Na mëson të kultivojmë njohjen në vend të meritës.


Dhe, më keq akoma, e mëson edhe njeriun e ndershëm të përshtatet me një zakon që në fillim e neveriste.


Unë këtu e gjej një nga arsyet më të thella pse Shqipërisë nuk i mjafton thjesht ndërrimi i qeverisë.


Mund të ndryshojë kryeministri dhe qytetari të vazhdojë të ruajë në telefon numrin e njeriut që “i kryen punë”.


Mund të ndryshojë partia dhe sipërmarrësi të mësojë vetëm emrat e rinj.


Mund të ndryshojnë drejtorët dhe administrata të vazhdojë t’i ndajë njerëzit në të mbrojtur dhe të pambrojtur.


Atëherë kemi bërë rotacionin e personelit, ndërsa zakoni ka mbijetuar.


E Djathta Humane që besoj unë nuk mund ta pranojë këtë marrëdhënie.


Sepse prona nuk është e lirë kur duhet të gjejë mik për t’u mbrojtur.


Sipërmarrja nuk është treg kur rezultati vendoset nga afërsia me zyrën.


Puna nuk ka dinjitet kur vendi i saj ruhet me bindje politike.


Dhe shteti nuk është i qytetarit kur ligji mbërrin tek ai vetëm pasi dikush tjetër ndërhyn.


Për këtë arsye liria ekonomike dhe dinjiteti njerëzor nuk janë dy biseda të ndryshme.


Njeriu që nuk i lutet pushtetit për bukën e vetë është më i lirë edhe përballë pushtetit.


Njeriu që nuk ia ka borxh vendin e punës partisë mund t’i thotë jo asaj.


Sipërmarrësi që nuk pret kontratën e mikut mund ta kritikojë qeverinë pa llogaritur se çfarë humbet të nesërmen.


Familja që jeton prej punës së vetë ka një pjesë të sovranitetit të saj që asnjë zyrë nuk duhet t’ia marrë.


Kjo është arsyeja pse unë nuk e shoh shtetin e kufizuar si shtet të dobët.


Dua një shtet shumë të fortë pikërisht aty ku duhet të jetë i fortë, përpara krimit, korrupsionit, monopolit, arbitraritetit, shkeljes së kontratës, cenimit të pronës dhe përdorimit të detyrës publike për interes privat.


Por nuk dua një shtet që bëhet aq i pranishëm në fatin personal të njeriut, sa qytetari të fillojë ta shohë partinë si siguracion për jetën.


Ky është një dallim themelor.


Shteti duhet të jetë mjaftueshëm i fortë që qytetarit të mos i duhet i forti.


Dhe politika duhet të jetë mjaftueshëm e përmbajtur që qytetarit të mos i duhet politika për të jetuar.


Ndoshta kjo duket shumë larg një takimi më 21 gusht.


Për mua nuk është.


Sepse unë nuk mund t’u flas shqiptarëve për një mënyrë tjetër të të bërit politikë dhe, ndërkohë, t’u kërkoj të vijnë tek unë për të fituar një favor.


Nuk kam vende pune për të ndarë.


Nuk kam kontrata për të premtuar.


Nuk kam pushtet për të ofruar.


Madje sot kam shumë më tepër gjëra për të ndërtuar sesa gjëra për të shpërndarë.


Dhe pikërisht për këtë dua që marrëdhënia të fillojë pastër.


Nëse vini më 21 gusht, mos ejani sepse prisni diçka nga Arian Galdini.


Ejani vetëm nëse mendoni se ia vlen të shihni nga afër një përpjekje që kërkon t’ia rinisë politikës nga një marrëdhënie tjetër me qytetarin.


Mund të vini dhe të mos bindeni.


Mund të dëgjoni dhe të largoheni.


Mund të mos bëheni pjesë e Rinisjes.


Kjo e drejtë ju takon po aq sa e drejta ime për t’ju ftuar.


Por nëse një ditë arrijmë të ndërtojmë diçka që meriton besim, do të doja të njihej nga një provë shumë e thjeshtë, që njeriu të mund të hyjë në një zyrë të Republikës pa pasur nevojë të thotë emrin e askujt.


Të mjaftojë emri i tij.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page