Republika para projektit: Investimi strategjik kërkon transparencë strategjike!
- Arian Galdini

- Jun 3
- 8 min read

Nga Arian Galdini
Në një vend të drejtë, qytetari duhet të shohë dokumentin përpara se të shohë gardhin.
Kur ndodh e kundërta, çështja nuk është më vetëm një leje, një pronë, një protestë, një projekt apo një investitor.
Është provë e shtetit.
Dhe kur kryeministri e lidh fatin e një projekti privat me karrigen e vet, çështja nuk është më vetëm provë e shtetit.
Është provë e metodës së pushtetit.
Kjo është arsyeja pse Zvërneci nuk mund të lexohet si episod i vogël bregdetar.
Nuk është vetëm debat për një resort, përplasje mes banorëve dhe investitorit, konflikt mes zhvillimit dhe mjedisit, apo rast ku dikush thotë “pronë private” dhe dikush tjetër thotë “tokë e jona”.
Zvërneci është vendi ku u shfaq një rend më i thellë, projekti para dosjes, gardhi para dokumentit, investitori para banorit, vizioni para verifikimit, forca private para shtetit publik, dhe karrigia e kryeministrit si garanci politike e një projekti që duhej të qëndronte mbi ligj, jo mbi njeri.
Në një Republikë serioze, projekti nuk mbahet nga karrigia e kryeministrit.
Mbahet nga dokumenti.
Prandaj pyetja ime nuk është nëse Shqipëria duhet të zhvillohet.
Duhet.
Nuk është nëse Shqipëria ka nevojë për kapital të madh.
Ka.
Nuk është nëse turizmi, punësimi, infrastruktura, hotelet, portet, aeroportet, energjia, teknologjia dhe investitorët ndërkombëtarë janë të rëndësishëm.
Janë.
Pyetja është tjetër, a mund të zhvillohet Shqipëria duke u përdorur?
Sepse një vend nuk përdoret vetëm kur i merret toka.
Përdoret edhe kur toka kthehet në kartë negociimi.
Përdoret kur bregdeti bëhet monedhë hyrjeje, kur zona e mbrojtur bëhet provë besnikërie ndaj kapitalit, kur projekti bëhet fotografi ndërkombëtare, kur investitori bëhet mburojë politike, kur protesta bëhet instrument presioni, dhe kur qytetari mbetet i fundit që sheh dosjen e vendit të vet.
Kjo është ajo që duhet të ndalet.
Jo investimi.
Përdorimi i Shqipërisë.
Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes varfërisë dhe plaçkitjes elegante.
Nuk ka nevojë të zgjedhë mes zhvillimit pa kontroll dhe mbylljes ndaj kapitalit.
Nuk ka nevojë të zgjedhë mes gardhit të projektit dhe zhurmës së protestës.
Nuk ka nevojë të zgjedhë mes Ramës, investitorit, opozitës, aktivistëve, mediave, rrjeteve apo çdo pale që kërkon të bëhet pronare e zemërimit publik.
Republika nuk zgjedh mes projektit dhe protestës.
Republika zgjedh dosjen.
Kjo është ndarja.
Qëndrimi im është pro pronës, pro investimit, pro Perëndimit, pro kapitalit serioz dhe pro së drejtës së protestës, pikërisht për këtë arsye është kundër Shqipërisë si monedhë pazari, kundër investimit që kërkon heshtje, kundër protestës së kapur dhe kundër çdo emri ndërkombëtar që përdoret si mburojë ndaj dosjes shqiptare.
Jam pro Republikës.
Dhe Republika fillon aty ku askush nuk lejohet të fshihet pas fjalës së madhe.
As qeveria pas “vizionit”.
As investitori pas “emrit ndërkombëtar”.
As pronari pas “privat”.
As protesta pas “kauzës”.
As opozita pas “zemërimit”.
As kryeministri pas “karriges”.
Kjo është arsyeja pse sot nuk mjafton më të thuhet, është pronë private.
Pyetja është, si u bë private?
Nuk mjafton të thuhet, është investim strategjik.
Pyetja është, strategjik për kë?
Nuk mjafton të thuhet, krijon vende pune.
Pyetja është, me çfarë kostoje mbi vendin, ligjin, mjedisin, pronën dhe besimin publik?
Nuk mjafton të thuhet, kapital i huaj.
Pyetja është, kush janë përfituesit fundorë, cili është burimi i kapitalit, kush e kontrollon realisht projektin dhe çfarë marrëdhënieje ka shteti me të?
Nuk mjafton të thuhet, protestë qytetare.
Pyetja është, kush e mban, kush e financon, kush e amplifikon, kush e kanalizon dhe kush përfiton nga rritja ose dështimi i saj?
Në një Republikë serioze, edhe dyshimi i gabuar shuhet me dokument.
Në një shtet të kapur, edhe e vërteta e thjeshtë duket si prapaskenë, sepse dokumenti vjen vonë.
Prandaj nuk akuzoj pa dosje.
Por nuk pranoj që pushteti të kërkojë besim pa dosje.
Këtu qëndron thelbi i gjithë çështjes.
Rama nuk po mbron vetëm një projekt.
Ai po mbron metodën e tij, ta kthejë Shqipërinë në kartë negociimi për pushtetin e vet.
Këto nuk i them si akuzë penale.
Ato i provon gjykata.
I them si diagnozë politike, Rama e ka kthyer territorin në skenë ku ndërtohet legjitimitet, ku kapitali bëhet hyrje, ku aleati bëhet fotografi, ku projekti bëhet mburojë, ku protesta mund të bëhet kosto, dhe ku karrigia e tij shfaqet si garancia pa të cilën gjithçka rrezikon të mbetet pezull.
Kur një kryeministër thotë, në thelb, se pa vizionin e tij nuk i duhet karrigia, ai nuk po flet vetëm me qytetarët.
Ai po u flet edhe investitorëve.
Po u thotë, pa mua, projekti juaj nuk ka të njëjtën siguri.
Po u flet edhe qendrave ndërkombëtare.
Po u thotë, pa mua, Shqipëria kthehet në pasiguri.
Po u flet edhe të vetëve.
Po u thotë, ky projekt është pjesë e vijës sime, mos u lëkundni.
Kjo është arsyeja pse karrigia nuk është më thjesht karrige.
Është kolateral politik.
Rama e vendos veten si garanci të projektit dhe pastaj e paraqet projektin si provë të domosdoshmërisë së vet.
Kur kjo metodë pranohet, nesër çdo copë e Shqipërisë mund të hyjë në të njëjtin mekanizëm. së pari vizioni, pastaj projekti, pastaj lejet, pastaj gardhi, pastaj protesta, pastaj fjalimi për karrigen, pastaj thirrja për t’i besuar njeriut që e solli vetë mjegullën.
Kjo nuk mund të jetë rend Republike.
Një Republikë nuk mbahet me njeri të pazëvendësueshëm.
Mbahet me dokumente që nuk i tremben dritës.
Prandaj sot nuk mjafton të kërkojmë “hetim”.
Nuk mjafton të kërkojmë “sqarim”.
Nuk mjafton të kërkojmë “transparencë” si fjalë të përgjithshme.
Duhet kërkuar një standard i ri publik për çdo projekt strategjik në Shqipëri.
Këtë standard e quaj, Karta e Transparencës Strategjike.
Parimi i parë është i thjeshtë, asnjë investim strategjik pa transparencë strategjike.
Nëse projekti është i madh, dosja duhet të jetë më e madhe se fjalimi.
Nëse territori është i ndjeshëm, dokumenti duhet të dalë përpara gardhit.
Nëse kapitali është ndërkombëtar, standardi i dritës duhet të jetë ndërkombëtar.
Nëse shteti thotë se nuk është palë, duhet ta provojë me akte.
Nëse qeveria thotë se gjithçka është private, duhet të tregojë historinë e privatësisë.
Prandaj, zoti Rama, ju bëj thirrje, para çdo fjale tjetër për vizionin, publikoni dosjen.
Jo pjesë.
Jo video.
Jo sqarim të shkëputur.
Jo fjalim.
Dosjen.
Dosjen e pronës: numrat e pasurive, hartën kadastrale, zinxhirin e kalimit, vendimet e kthimit, kompensimit, regjistrimit apo shitjes, konfliktet gjyqësore dhe kufijtë mes pronës private, pronës publike, plazhit, dunave, kanaleve, lagunës dhe aksesit publik.
“Private” nuk mjafton.
Duhet historia e privatësisë.
Dosjen e mjedisit: vlerësimin mjedisor, arsyetimin shkencor për çdo ndërhyrje, raportet mbi habitatet, kanalet, dunat, lagunën dhe monumentet natyrore, studion që bën vlerësimin, pavarësinë e saj, afatet dhe fazat.
VNM-ja pas buldozerit nuk është mbrojtje, është përpjekje për t’i dhënë administratë një dëmi që ka nisur.
Dosjen e lejeve: lejet e zhvillimit, lejet e rrethimit, lejet për rrugë aksesi, aktet e KKT-së, KKTU-së, AZHT-së dhe çdo institucioni tjetër, firmat, datat, çfarë autorizon secila leje dhe çfarë nuk autorizon.
Nuk mjafton të thuhet “nuk ka leje ndërtimi”. Duhet të thuhet kush e lejoi ndërhyrjen.
Dosjen e përfituesve fundorë: kompanitë, strukturën e tyre, partnerët, burimin e kapitalit, pronarët realë, kontrollin real dhe çdo marrëveshje me palë shqiptare.
Kapitali i madh nuk duhet të ketë pronarë të vegjël në hije.
Dosjen e interesit publik: çfarë fiton shteti, çfarë fiton bashkia, çfarë fiton komuniteti, çfarë aksesi publik mbetet, çfarë rrugësh mbeten të hapura, çfarë ndodh me plazhin, ujin, natyrën, punësimin lokal, taksat, shërbimet, garancitë dhe detyrimet.
Investimi nuk është publik sepse është i madh.
Bëhet publik vetëm kur i jep llogari publikut.
Dosjen e forcës private: kush e kontraktoi sigurinë, kush e autorizoi praninë në terren, kush dha urdhër, çfarë raporti kishte kompania me investitorin, pronarët dhe Policinë e Shtetit, pse qytetari u përball me forcën private përpara se të përballej me dokumentin publik, çfarë hetimi ka nisur dhe kush mban përgjegjësi nëse provohet dhuna.
Prona private nuk është shtet privat.
Dhe dosjen e protestës.
E drejta e protestës është e shenjtë. Pronësia e fshehtë mbi protestën është e rrezikshme.
Kush përfiton nëse protesta rritet?
Kush përfiton nëse protesta dështon?
Kush e kanalizon zemërimin drejt pazareve, referendumeve, partive, reklamës apo spin-it ndërkombëtar?
Në Shqipëri, edhe kauza e drejtë mund të ketë pronar të fshehtë.
Prandaj Republika nuk duhet t’i dorëzohet as gardhit, as turmës.
Duhet t’i dorëzohet dosjes.
Kjo është Karta e Transparencës Strategjike:
Asnjë projekt strategjik pa dosje publike.
Asnjë gardh para dokumentit.
Asnjë VNM pas buldozerit.
Asnjë pronë private pa histori të hapur kur preket interesi publik.
Asnjë forcë private mbi qytetarin pa autoritet publik të kontrolluar.
Asnjë emër ndërkombëtar mbi ligjin shqiptar.
Asnjë protestë e drejtë pa dritë mbi ata që e përdorin.
Asnjë vendim strategjik pa dosje publike përpara rrethimit, ndërhyrjes dhe fjalimit.
Ky është standardi.
Dhe ky standard nuk është kundër Ramës vetëm.
Është kundër çdo qeverie që do të vijë pas tij.
Nuk është për këtë investitor vetëm.
Është për çdo investitor serioz që do të hyjë në Shqipëri pa u ndotur nga mjegulla e pushtetit.
Nuk është për këtë protestë vetëm.
Është për çdo protestë të pastër që nuk duhet të vidhet nga pronarë të fshehtë.
Nuk është kundër zhvillimit.
Është për zhvillimin që nuk ka frikë nga dokumenti.
Perëndimi nuk është fotografi me të fortët.
Perëndimi është dokument, rregull, garë, kontroll, transparencë, përgjegjësi dhe qytetar që nuk trembet kur kërkon të dijë.
Aleanca me SHBA-në nuk do të thotë që çdo projekt me emër amerikan të jetë mbi transparencën shqiptare.
Përkundrazi, standardi perëndimor kërkon më shumë dritë, jo më pak.
Kapitali serioz nuk hyn në një vend si perandor, hyn si partner që i nënshtrohet ligjit, dokumentit dhe qytetarit.
Kjo është liria që nuk ia fal shtetin të fortit dhe nuk ia dorëzon pronën turmës.
Prona private është e shenjtë, prandaj historia e saj duhet të jetë e pastër.
Kapitali është i mirëpritur, prandaj nuk duhet të vijë me mjegull.
Investimi është i nevojshëm, prandaj nuk duhet të kërkojë heshtje.
Protesta është e drejtë, prandaj nuk duhet të kthehet në pronë të padukshme.
Shteti është i domosdoshëm, prandaj nuk duhet të bëhet noter i projektit, roje e gardhit apo përkthyes i interesit privat në gjuhë publike.
Republika është më e madhe se projekti.
Më e madhe se protesta.
Më e madhe se investitori.
Më e madhe se karrigia.
Kjo është arsyeja pse kërkesa ime ndaj Edi Ramës është e thjeshtë, para çdo fjale tjetër për vizionin, hapni dosjen.
Nëse projekti është privat, hapni pronën.
Nëse është strategjik, hapni strategjinë.
Nëse është i pastër, hapni zinxhirin.
Nëse është i madh, hapeni të gjithin.
Nëse qeveria ka të drejtë, le ta provojë pa teatër.
Nëse investitori është serioz, le ta kërkojë vetë transparencën.
Nëse protesta është qytetare, le të mos ketë frikë nga e vërteta e plotë.
Nëse ligji është respektuar, dokumenti do ta tregojë.
Nëse ligji është përdorur, dokumenti do ta zbulojë.
Nëse shteti ka qenë kujdestar, dosja do ta nderojë.
Nëse shteti ka qenë shërbëtor i projektit, dosja do ta dëshmojë.
Nuk kërkoj që Shqipëria të mbyllet ndaj investimit, të ndalë zhvillimin, të shuajë protestën apo të refuzojë botën.
Kërkoj që investimi të hyjë me dokument, zhvillimi të hyjë me fytyrë të hapur, protesta të mos përdoret si kartë pazari dhe bota, kur hyn në Shqipëri, të hyjë përmes ligjit shqiptar, dinjitetit shqiptar dhe dritës publike.
Kjo është pyetja që mbetet mbi Zvërnecin, Rrjollin, Sazanin, Thethin, portet, aeroportet, energjinë, koncesionet, bregdetin, malet dhe çdo projekt ku vendi rrezikon të përdoret si material për pushtetin e dikujt:
Kush e duron dosjen?
Ai që e duron dosjen është më afër së vërtetës.
Ai që fshihet pas vizionit, investitorit, protestës, flamurit, medias, emrit të madh ose karriges, ka diçka për të humbur nga drita.
Shqipëria nuk duhet të bëhet monedhë hyrjeje për askënd.
As për oligarkë.
As për investitorë.
As për protestues të kapur.
As për qeveri.
As për kryeministra që e lidhin vendin me karrigen e vet.
Republika nuk mbahet me fjalim.
Mbahet me dosje.
Dhe shteti fillon aty ku dokumenti vjen para gardhit, para vizionit, para projektit, para protestës dhe para karriges.
Arian Galdini
.png)



Comments