Revolucioni i Zvërnecit: Kush e zotëron zgjimin?
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Një shoqëri mund të dalë në shesh dhe prapë të mos e ketë ende në dorë fatin e vet.
Aty nis ndarja më e vështirë.
Jo nëse njerëzit u zgjuan.
Jo nëse zemërimi është i vërtetë.
Jo nëse plaga ekziston.
Pyetja është më e ftohtë, kush po përpiqet ta zotërojë / pronësojë zgjimin?
Zvërneci mund të ketë nisur si plagë mbi tokën, pronën, mjedisin, dokumentin dhe dinjitetin e banorit.
Këto pyetje janë reale dhe shteti nuk mund t’i mbyllë me fjalime.
Çdo projekt që prek vendin duhet të durojë provën e letrës, të ligjit dhe të interesit publik.
Por protesta nuk mbetet gjithmonë te plaga që e lindi.
Në një çast, ajo fillon të kërkojë emër, zë, përfaqësues, mandat dhe histori.
Pastaj dikush afrohet dhe thotë, me gjuhë të butë ose me zë të lartë, kjo lëvizje tani flet edhe përmes meje.
Aty fillon rreziku.
Një shoqëri nuk çlirohet vetëm pse mbush një shesh.
Çlirohet kur nuk lejon që sheshi i saj të ketë pronar të fshehtë.
Liria nuk është vetëm dalja nga frika, është mosdorëzimi te ai që vjen ta administrojë daljen.
Një protestë mund të lindë nga dinjiteti dhe prapë të merret peng nga ambicia e pelivanëve politikë ose kalkulimet e kalemxhinjve.
Një revoltë mund të rrëzojë për një ditë frikën dhe prapë të lindë, pas saj, një varësi e re.
Një popull mund të nxjerrë zërin nga gjoksi dhe prapë të shohë dikë tjetër ta regjistrojë atë zë në emrin e vet.
Historia e njeh këtë ligj.
Njerëzit prodhojnë guximin, të tjerët prodhojnë pronësinë.
Njerëzit mbajnë rrezikun, të tjerët mbajnë vulën.
Njerëzit hapin udhën, të tjerët shohin ëndrra e përgatisin plane se si e kur do hyjnë në zyrë.
Prandaj nuk më mjafton fjala revolucion.
Një revolucion që nuk pranon pyetje fillon të ngjajë me pushtetin që thotë se do të rrëzojë.
Një shesh që kërkon besim pa llogari nuk është ende Republikë.
Është vetëm një fuqi në kërkim të emrit.
Nëse qeverisë i kërkohet të hapë dokumentin, edhe revolta duhet të tregojë burimin e mandatit.
Jo sepse qytetari që proteston është i dyshimtë.
Por sepse ai që kërkon të flasë në emër të qytetarit nuk është më thjesht qytetar.
Ai ka hyrë në përgjegjësi publike.
Kush e shkroi kërkesën?
Kush e zgjodhi zërin?
Kush e çon zemërimin në tryezë?
Kush do të dalë nesër si trashëgimtar i kësaj dite?
Këto pyetje nuk e dobësojnë protestën.
E mbrojnë.
Sepse plaga reale nuk është licencë për pronarë të rinj.
Dhe një popull nuk shpëton nëse nga pronarët e territorit bie te pronarët e zemërimit.
Shqipëria nuk është parcelë projekti.
Nuk është skenë revolucioni.
Nuk është fletë ku kushdo që vjen i pari shkruan emrin mbi dhimbjen e të tjerëve.
Zgjimi i një shoqërie është i lirë vetëm kur askush nuk e merr në pronësi.
Përndryshe, njerëzit dalin nga frika dhe hyjnë nën kujdestarinë e atij që ua shiti daljen si liri.
Arian Galdini
.png)



Comments