top of page

Rinisja nuk është moshë. Është mënyra se si ia dorëzojmë Shqipërinë njëri - tjetrit…


Nga Arian Galdini


Fjala rini i përket kujtdo.


Nuk kam as dëshirë, as të drejtë ta marr në pronësi. Edhe po të doja, nuk mundem më.


Çdo djalë e vajzë që mendon për Shqipërinë, çdo i ri që proteston, punon, studion, ikën, kthehet, kundërshton apo kërkon një jetë më të denjë, ka të drejtën e vet mbi këtë fjalë pa marrë leje nga unë, nga një parti, nga një protestë apo nga cilido që mban një mikrofon.


Rinisja, për mua, është diçka tjetër.


Nuk është pretendimi se ne jemi rinia dhe të tjerët jo.


Është pyetja nëse mund të fillojmë të sillemi ndryshe me atë që na është besuar.


Sepse mund të ndërrohet një brez dhe të mbetet i njëjti ves.


Mund të vijë një fytyrë e re dhe të trashëgojë zakonet e vjetra.


Mund të bërtasim kundër pronarit të sotëm dhe, pa e kuptuar, të përgatitemi të bëhemi pronari i nesërm.


Mund të kërkojmë liri për veten dhe të harrojmë se prova e saj fillon pikërisht te liria e atij që nuk mendon si ne.


Prandaj Rinisja që unë kam në mendje nuk fillon me pyetjen:


Sa vjeç je?


Fillon me një pyetje shumë më të vështirë:


Çfarë je i gatshëm të mos bësh me fuqinë që një ditë mund të të jepet?


Nëse je i djathtë, a do ta mbrosh pronën edhe kur pronari nuk të voton?


Nëse beson te Kombi, a do të refuzosh ta përdorësh flamurin për ta shpallur kundërshtarin më pak shqiptar?


Nëse je properëndimor, a do ta mbrosh aleancën me Perëndimin edhe kur ajo nuk të shërben si dekor për njeriun tënd?


Nëse kërkon drejtësi, a do ta pranosh të njëjtin standard kur dera ku troket është e mikut tënd?


Nëse flet për fëmijët, a do të pranosh të mos konsumosh sot atë që ata do të duhet të paguajnë nesër?


Këtu hyn ajo që unë e quaj Prindërim.


Jo si metaforë e ëmbël.


Si përgjegjësi politike.


Ne marrim vendime edhe për njerëz që nuk janë ende në sallë, nuk votojnë, nuk protestojnë dhe nuk mund të na thonë “ndal”.


Pikërisht sepse nuk mund të na vënë kufi, brezi ynë ka detyrimin t’ia vendosë vetes.


Këtu hyn edhe Shqiptarizmi.


Jo për të shpikur armiq.


Për të kujtuar se Shqipëria nuk filloi me ne dhe nuk mbaron me ne.


Gjuha që flasim, emri që mbajmë, toka që përdorim, kujtesa që trashëgojmë dhe shteti që kemi marrë në dorë nuk janë sende që një brez politik mund t’i konsumojë sikur është pronari i fundit.


Dhe këtu hyn E Djathta Humane.


Sepse liria nuk është privilegji i njeriut të fortë për të bërë çfarë të dojë.


Është hapësira ku njeriu mund të jetojë, të punojë, të krijojë, të zotërojë frytin e mundit të vet, të ndërtojë familjen dhe të mos ketë nevojë të njohë një të fuqishëm për të marrë atë që ligji ia njeh.


Këto janë bindje të mëdha.


Por dua të jem shumë i kujdesshëm me një gjë, ato janë bindjet që propozoj.


Nuk janë dëshmi se pas tyre qëndron sot një forcë e madhe.


Rinisja ka shumë për të ndërtuar.


Unë kam shumë njerëz për të njohur.


Shumë prej jush sapo kanë filluar të kuptojnë se kush jam, çfarë historie kam dhe pse po flas përsëri publikisht.


Nuk më shqetëson kjo.


Më shqetëson vetëm të mos e mbulojmë këtë të vërtetë me një madhësi të sajuar.


Më 21 gusht nuk po ju ftoj të vini për të dëshmuar se Rinisja është tashmë ajo që dëshiron të bëhet.


Po ju ftoj ta shohim së bashku nëse mund të bëjmë hapin e parë.


Pa pronar.


Pa detyrim besnikërie.


Pa nevojën për t’u ekspozuar më shumë nga sa dëshironi.


Pa ua kërkuar njerëzve besimin përpara se ta kemi merituar.


Nëse vini vetëm për të parë, mirësevini.


Nëse vini për të dëgjuar, mirësevini.


Nëse vini duke mos qenë dakord me mua për shumë gjëra, miresevini po njësoj.


Sepse një Rinisje që pranon vetëm njerëzit që kanë mbërritur tashmë te përfundimet e mia nuk do të ishte Rinisje.


Do të ishte vetëm një rreth tjetër.


Unë dua të provoj diçka më të vështirë, që njerëz të ndryshëm mund të qëndrojnë në të njëjtin vend pa ia dorëzuar ndërgjegjen njëri-tjetrit.


Dhe që, prej atij takimi të vogël apo të madh, këtë nuk e di sot, të mbetet të paktën një grimë më shumë besim se politika shqiptare nuk është e dënuar të zgjedhë përgjithmonë vetëm se kush do ta zotërojë tjetrin.


Nëse më 21 gusht arrijmë vetëm kaq, nuk kemi ndryshuar Shqipërinë.


Por mund të kemi filluar të ndryshojmë mënyrën se si ne vetë sillemi me të.


Dhe për mua, prej aty fillon çdo Rinisje që meriton emrin.


21 GUSHT 2026


RINISJA · RAMA IKËN · REPUBLIKA HAPET


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page