top of page

Rinisja: Shqipëria Mendonjëse ngrihet

2 days ago
2 min read

Nga Arian Galdini


Ne jemi Shqipëria Mendonjëse, Shqipëria e Urtisë. Besojmë se mendimi i lirë mund të mbledhë njerëz dhe t’i japë vendit një drejtim të ri.


Shqipëria ka nevojë që dija, përvoja dhe ndërgjegjja e qytetarëve të saj të marrin peshë politike.


Rinisja është përpjekja jonë për t’i dhënë kësaj Shqipërie një bashkësi ku bindja bëhet angazhim dhe njeriu merr pjesë me gjykimin e vet.


Më 12 dhjetor 2026 nisim Rithemelimin Politik dhe Doktrinor të Rinisjes.


Për gjashtë vite kemi qëndruar nën mohim, pengesa dhe sulme.


Njerëzit që e mbajtën gjallë këtë përpjekje i dhanë kohë nga jeta e tyre.


Falë tyre, sot mund të mblidhemi rreth një alternative të pavarur dhe ta hapim atë ndaj kontributeve të reja.


Mirënjohja për të shkuarën na shoqëron në përgjegjësinë për t’i dhënë vazhdim.


Rithemelimi kërkon të zhvillojmë doktrinën dhe ta bëjmë bashkësinë të aftë për ta përfaqësuar me qëndrime e veprimtari të qëndrueshme.


Përvoja e secilit mund të ndriçojë atë që të tjerët ende nuk e njohin.


Urtia politike merr forcë kur kjo njohje bëhet gjykim i përbashkët dhe njerëzit marrin përsipër të veprojnë sipas tij.


Dinjiteti i pakushtëzuar e mban njeriun të lirë brenda këtij bashkimi.


Ne e çmojmë punën, sipërmarrjen dhe pronën e ligjshme si mundësi për të ndërtuar një jetë me siguri.


Përkujdesja ndaj nevojës mbron po atë liri.


Për të Djathtën e Dinjitetit, mbështetja që merr njeriu e lë të paprekur të drejtën e tij për të vendosur vetë.


Familja, besimi dhe mbrojtja e jetës na lidhin me njerëzit për të cilët punojmë dhe me brezat të cilëve u lëmë vendin.


Këtu Shqiptarizmi merr përmbajtjen e një përgjegjësie që vazhdon.


Si konservatorë, duam që trashëgimia jonë t’u japë pasardhësve forcën për të krijuar me mendjen e tyre.


Me bindje antikomuniste, orientim properëndimor dhe përkushtim republikan, përballemi me sistemin dhe regjimin.


Katovica e Vjetër dhe Katovica e Re janë emërtimet tona për sundimin që vazhdon dhe riprodhohet si risi.


Marrim përsipër rithemelimin e pluralizmit politik, duke e bërë misionin e Rinisjes Kombëtare një alternativë të organizuar për qytetarë të lirë.


Ftoj anëtarët, aktivistët e dashamirësit e LRE-së, të larguarit dhe të sapoardhurit.


Ejani të ndikoni në drejtimin tonë dhe të merrni përgjegjësi në punën që fillojmë.


Me ndihmën e Zotit, do t’ia dalim mbanë ta ringremë Rinisjen.


Më 12 dhjetor ju pres me besimin se kemi ende shumë Shqipëri për të ndërtuar brenda jetës që na është dhënë.


Shihemi në 12 dhjetor, ora: 19.00, në Selinë e LRE - Rinisja🇦🇱🫶🙏


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page