🟦Rubrika Ditore: Nga Dhjetori 1990 tek Skuthokracia e sotme 🗓️ 14 Korrik 2025📍 Dita 20 / 121
- Arian Galdini

- Jul 14, 2025
- 2 min read

📌 Titulli: “2005: Një rikthim pa rrënjë”
📝 Analiza
Ka rikthime që ndodhin jo sepse je gati të drejtosh, por sepse tjetri ka dështuar.
Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 nuk ishte shpërblim për ndonjë riformatim ideor apo moral.
Ishte rezultati i një lodhjeje publike ndaj qeverisjes së Partisë Socialiste dhe një shprese që “këtë herë ndoshta do të jetë ndryshe”.
Por PD nuk kishte ndryshuar.
As doktrinën që s’e kishte kurrë.
As stilin e drejtimit.
As liderin.
As mënyrën si e konceptonte shtetin.
📚 Fushata e 2005-ës u drejtua nga një gjuhë teknike, me fokus në “efikasitet” dhe “zhvillim”.
U premtuan 300 mijë vende pune.
U premtua luftë ndaj korrupsionit.
U premtua shtet i fortë.
Por asnjëherë nuk u artikulua:
• çfarë është shteti për të djathtën shqiptare?
• cili është kuptimi i lirisë, sipas një force konservatore?
• çfarë marrëdhënieje do të ndërtohej mes individit, shtetit dhe komunitetit?
Pushteti erdhi si rezultat i rrethanave, jo si konsekencë e përgatitjes së një vizioni të ri.
📍 PD hyri në qeveri me teknokratë, me emra të rinj, me energji, por pa rrënjë ideore.
Qeveria e 2005–2009 ishte më e organizuar, më funksionale, më e disiplinuar.
Por jo më e thellë.
Sepse nuk kishte as një bërthamë filozofike dhe as një sens të identitetit të vet politik.
Në thelb, PD filloi të qeveriste pa e ditur as vetë çfarë përfaqësonte.
🕯️ Në vend që të ishte fillimi i një kapitulli të ri për të djathtën shqiptare, viti 2005 u kthye në shfaqjen e përsëritur të një loje të vjetër, me kostum të hekurosur dhe tabela të reja fjalësh.
Një rikthim pa rrënjë nuk mund të çojë në ndërtim të qëndrueshëm.
Sepse pa identitet, pushteti është vetëm menaxhim i momentit, jo shërbim ndaj së ardhmes.
📘 Nesër, më 15 korrik: Dita 21, “Qeverisja 2005–2009: Efikasitet pa identitet”
Do të analizojmë mandatin e parë të PD-së pas rikthimit në pushtet, si një periudhë me administrim teknikisht më të mirë, por politikisht të zbrazët, ku mungesa e vizionit e ktheu pushtetin në funksion, jo në frymë.
.png)











Comments