🟦Rubrika Ditore: Nga Dhjetori 1990 tek Skuthokracia e sotme 🗓️ 7 Korrik 2025📍 Dita 13 / 121
- Arian Galdini

- Jul 7, 2025
- 2 min read

📌 Titulli: “Referendumi i 1994: Fitorja e parë e shoqërisë kundër arrogancës politike”
📝 Analiza
7 nëntor 1994.
Një ditë që duhet të mbahet mend. Jo si datë teknike kushtetuese, por si akt i vetëdijes qytetare shqiptare.
Në një Shqipëri ende të lëkundur nga kaosi i tranzicionit, pa një klasë të mesme të konsoliduar, pa opozitë të fortë, pa media të lirë, ndodhi diçka e papritur: populli tha “Jo” arrogancës së pushtetit.
📚 Kushtetuta e re, e përgatitur nën drejtimin e Presidentit Sali Berisha, do t’i jepte kreut të shtetit kompetenca të jashtëzakonshme:
• kontroll të thelluar mbi drejtësinë,
• të drejtë për të emëruar krerët e institucioneve pa balancë,
• dominim të pushteteve në emër të stabilitetit.
Propaganda e PD-së e paraqiti projektin si një hap drejt një “republike moderne” dhe si domosdoshmëri për të shmangur kthimin e të majtës.
Por në të vërtetë, ishte një përpjekje për të konsoliduar pushtetin personal të Presidentit përtej çdo kontrolli institucional.
🗳️ Në referendumin e 7 nëntorit, shqiptarët votuan “Jo”.
Me një pjesëmarrje domethënëse dhe një rezultat befasues, shoqëria shqiptare refuzoi për herë të parë me votë të lirë një projekt autoritar të një qeverie që gëzonte shumicë absolute.
Ishte një mrekulli e heshtur.
Një akt i moralit qytetar.
Një sinjal që edhe pas rrëzimit të komunizmit, njerëzit nuk ishin të gatshëm të pranonin një sundim të ri, qoftë edhe me emër të ri.
📍 Por PD-ja nuk mësoi asgjë nga kjo goditje.
Në vend që ta lexonte si thirrje për reflektim, ajo e interpretoi si keqkuptim.
Në vend që të rimendonte qasjen ndaj shtetit, ajo u mbyll në më shumë përjashtim, më shumë përqendrim, më shumë pushtet.
Kështu u humb rasti që kjo fitore qytetare të bëhej pikë kthimi e filozofisë politike të PD-së.
🕯️ Referendumi i vitit 1994 dëshmoi se shoqëria shqiptare kishte një intuitë të gjallë për kufijtë e pushtetit.
Por pushteti nuk e kishte më as sensin për të dëgjuar, as vullnetin për t’u përulur.
Kjo është ndoshta ajo që e djathta nuk e kuptoi kurrë, populli nuk ka nevojë për komandantë me kostum perëndimor, por për shtet që e mbron, e respekton dhe e përfaqëson.
📘 Nesër, më 8 korrik: Dita 14, “Shurdhëria pas ‘Jo’-së: Si nisi shkatërrimi që çoi në 1997”
Do të analizojmë se si PD, në vend që ta lexonte refuzimin e referendumit si mundësi për reformim të brendshëm, vijoi në të njëjtin drejtim, duke e çuar vendin drejt krizës më të thellë institucionale dhe morale që kishte parë pas komunizmit.
.png)











Comments