Sa ra çmimi i guximit?
- Arian Galdini

- Jun 3
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Prej disa ditësh po shfaqet para nesh një mrekulli e rrallë shoqërore.
Në një vend ku njerëzit për vite kanë jetuar me frikë nga një pëlqim, nga një koment, nga një fotografi, nga një përshëndetje publike me njeriun e gabuar, ndaluar, mohuar, dhe ku shumë prej tyre do t’i kthehen sërish kësaj frike sapo vala të bjerë, papritur u hap një treg i ri, tregu i guximit.
Guxim me shumicë.
Kurajë me çmim të ulur.
Idealizëm i nxjerrë si mall në shitje publike.
Dje ishte luks.
Sot qenka bërë i lirë.
Dhe unë, që nuk kam besim të madh te mrekullitë politike brenda natës, po pyes thjesht, kush ia uli kaq shumë çmimin guximit?
Qytetari që del për të drejtën e vet meriton respekt.
Banori që kërkon tokën, dokumentin, pronën, rrugën, ujin, varrin, pemën dhe dinjitetin nuk është objekt talljeje.
Njeriu që e ka parë gardhin përpara shtetit ka arsye të kërkojë llogari.
Por nuk kam pse t’i besoj pa pyetje një guximi që bëhet masiv pikërisht kur bëhet i sigurtë, e të gjithë e dinë se është me leje.
Sepse guximi i vërtetë nuk matet kur turma të mbron.
Matet kur njeriu mbetet vetëm, kur kamera nuk është aty, kur media nuk e merr, kur partia nuk e mbulon, kur miku hesht, kur fjala e nxjerr jashtë rrethit dhe kur një veprim njerëzor shoqërizimi, a një pëlqim i thjeshtë tek “njeriu i ndaluar”, kushton më shumë se një thirrje në shesh.
Prandaj pyetja ime nuk është pse njerëzit flasin sot.
Pyetja ime është pse heshtën dje.
Dhe më tej, kush ua dha sot ndjesinë se mund të flasin pa paguar çmim?
Në një Republikë serioze, edhe qytetari i guximit sezonal e me leje, edhe protesta duhet ta durojë dritën.
Jo vetëm projekti.
Jo vetëm qeveria. Jo vetëm investitori.
Edhe sheshi.
Sepse një kauzë e drejtë mund të vidhet. Zemërimi mund të bëhet mall.
Guximi mund të kthehet në trend.
Dhe turma mund të shitet si popull pikërisht në çastin kur dikush tjetër po e merr në pronësi.
Prova nuk është sot.
Prova vjen pasi vala të bjerë, kur kamerat të largohen, kur sheshi të mos jetë më i dobishëm, kur mikrofonët të kenë kaluar te pronari i radhës.
Atëherë do të kuptohet kush ka qëndresë, idealizëm, kombëtarizëm e guxim natyral e të përditshëm dhe kush kishte vetëm leje të përkohshme për ta përdorur guximin.
Deri atëherë, pyetja mbetet, sa ra çmimi i guximit, kush e dha lejen, kush e subvencionoi, dhe kujt do t’i shkojë fatura nesër?
Arian Galdini
.png)



Comments