Shqipëria përballë reflektimit: Urtësia që mungon dhe revolta që vonon!
- Arian Galdini

- Jul 11, 2025
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Në kohët kur çdo e vërtetë është zëvendësuar me narrativë dhe çdo narrativë është kthyer në armë pushteti, mëkatin më të madh nuk e përbën më padrejtësia, por heshtja që e mbulon atë.
Heshtja e qytetarëve, heshtja e institucioneve, heshtja e elitave.
Pas dymbëdhjetë vitesh në pushtet dhe në nisje të mandatit të katërt, Edi Rama nuk është më një politikan.
Ai është bërë një skenografi i rrjeteve të iluzionit, ku shteti nuk ka më kolonë, por perde.
Dhe qytetari shqiptar është ulur përballë këtyre perdeve, në një teatër që e ka harruar realitetin dhe ka harruar qëllimin e vet.
Në vend të rendit të mendimit, kemi estetiken e rastësisë.
Në vend të guximit qytetar, kemi lejen për të luajtur me iluzionin e zgjedhjes.
Në një ese të vitit 2022, filozofi koreano-gjerman Byung-Chul Han shkruante:
“Shoqëria postmoderne nuk i frikësohet më censurës. Ajo jeton në një obezitet informacioni që e paralizon vetëdijen, sepse e zëvendëson të vërtetën me tejmbushjen.”
Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Rama nuk ka ndaluar kurrë askënd të flasë.
Ai ka ndërtuar një sistem ku çdo fjalë humbet kuptimin sepse asnjë veprim nuk ndjek më pas.
E gjithë shoqëria është mbushur me fjalë që nuk veprojnë, fjalë që nuk guxojnë, fjalë që nuk bëhen mish.
Ne nuk jemi më të shtypur.
Ne jemi të shpërndarë e të përçarë.
E kjo është më e rrezikshme se çdo diktaturë.
Sepse nuk e ndien që je rob.
Je thjesht i shkapetur, i hutuar, i shpërndarë, i përgjumur.
Shteti si teatër i shkatërrimit moral
Edi Rama është kthyer në një arkitekt të dizenjimit pa ndërgjegje.
Ai nuk ka ndërtuar institucione.
Ai ka rindërtuar mure që të duken si institucione, por që nuk mbajnë asnjë peshë.
Në asnjë fazë të qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjë projekt moral për të ardhmen, vetëm një projekt imazhi për mbijetesën.
Siç shkruan Timothy Snyder në librin “On Tyranny”,
“Simboli i pushtetit absolut nuk është zëri i liderit, por heshtja e të tjerëve që kanë frikë se mos e sfidojnë atë.”
Në Shqipëri, kjo heshtje nuk është më frikë. Është dorëzim kolektiv.
Dhe në këtë dorëzim, çdo ligj shndërrohet në dekret të një vullneti vetjak, çdo institucion në dekor, çdo bashki në filial, çdo drejtori në qendër e pazarit të klanit a klikës.
A mund të quhet “shtet” një hapësirë ku drejtori i një spitali është një zyrtar partie dhe jo një profesionist i shëndetit?
A mund të quhet “qeveri” një strukturë që shkarkon në masë drejtues vendorë sepse nuk iu përgjigjën telefonatave nga lart?
A mund të quhet “demokraci” një rend ku qytetari votohet, por nuk përfaqësohet?
Në vend që të kemi ndërtuar një shtet të së drejtës, kemi ndërtuar një gjuhë të re për të fshehur të paligjshmen.
Fjalë si “reformë”, “transparencë”, “bashkëqeverisje”, nuk janë më mjete për ndërtim.
Janë perde që fshehin dështimin.
Shqipëria e dukjes, jo Shqipëria e gjërave
Filozofi amerikan Michael Sandel e quajti këtë epokë si epokën kur politika është kthyer në teknikë menaxhimi të pamjes, jo drejtim të vlerave.
Në Shqipëri, Edi Rama është kampioni i këtij menaxhimi të pamjes.
Ai nuk ndërton drejtësi.
Ai ndërton fasada për drejtësinë.
Ai nuk ndërton ekonomi.
Ai rindërton bulevardet.
Ai nuk ndërton institucione.
Ai dekoron zyrat.
Dhe ndërsa shqiptarët emigrojnë, ai mbjell palma.
Ndërsa pensionistët mezi mbijetojnë, ai fluturon me avionë luksozë.
Ndërsa arsimtarët protestojnë për dinjitet, ai shpik platforma dixhitale për propagandë.
Qeverisja është kthyer në një arkitekturë estetike pa themele morale.
Dhe kjo është formula më e sofistikuar e dekadencës.
Jo më kritikë, por përmbysje etike
Edi Rama nuk duhet më thjesht kritikuar.
Ai duhet kuptuar si simptoma e një sëmundjeje më të thellë, që është kapitullimi moral i elitave, zbrazja shpirtërore e shtetësisë dhe qytetarëve, dhe zhdukja e kufirit mes të drejtës dhe të mundshmes.
Rama është ajo që mbetet kur një shoqëri heq dorë nga nocioni i dinjitetit institucional dhe e zëvendëson me pragmatizmin e përditshëm.
Ai është ajo që lind kur të rinjtë nuk kanë më ëndrra kolektive, por vetëm plane vetjake larg këtij vendi.
Ai është ajo që mbetet kur patriotizmi zëvendësohet me lejen për të ikur.
Por Shqipëria nuk është vetëm ajo që shihet nga pushteti.
Shqipëria është ajo që fillon të marrë formë kur njerëzit zgjedhin të mos jenë më spektatorë.
Ajo fillon kur qytetari zgjohet dhe kupton se fjala nuk mjafton pa organizim.
Ajo fillon kur të vërtetët dalin nga heshtja dhe fillojnë të ndërtojnë nga e para.
Mësimet nga epoka e mjerimit politik
Nga Chantal Mouffe te Mark Lilla, nga Francis Fukuyama te Carlo Galli, të gjithë mendojnë se epoka që po jetojmë nuk është krizë e demokracisë, por krizë e përfaqësimit të vlerave në emër të stabilitetit.
Në Shqipëri, kjo është kthyer në një legjitimim të autokracisë për hir të “qetësisë”.
Por demokracia nuk është qetësi.
Demokracia është konflikt i institucionalizuar dhe pluralizëm moral.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër fytyrë të re. Ka nevojë për një vetëdije të re.
Një Shqipëri që nuk e sheh veten si pronë të askujt, por si shtëpi të përbashkët të të gjithëve.
Një Shqipëri që nuk pret më një Mesiah, por ngre qeliza veprimi.
Një Shqipëri që nuk ushqehet më me ëndrra të paketura, por kërkon lirinë në konkretësi.
Ky është momenti për të thënë:
Shteti nuk është spektakël.
Demokracia nuk është maskë.
Liria nuk është leje.
Qytetari nuk është duartrokitës.
Shqipëria do të rilindë vetëm kur të çlirohet nga mashtrimi estetik i pushtetit dhe të përqafojë strukturën morale të shtetit republikan.
Dhe kjo nuk fillon me një zgjedhje.
Fillon me një vendim të heshtur, personal, të secilit:
“Nuk do të jem më spektator.”
Arian Galdini
.png)











Comments